E Diel, 1 Nëntor 2026

Anceloti: Baloteli, një i çmendur, Ibra nuk është për ekipin

TIRANE-Baloteli, Diego, Ibrahimoviç apo futbolli anglez. është një Karlo Ançeloti në të gjithë fushën ai që jep vlerësimet e tij për periudhën e merkatos, por edhe për mënyrën sesi po avancon futbolli i këtyre ditëve. Në një intervistë për gazetën "La Stampa", tekniku i çelsit flet për lëvizjet e bëra deri tani, për Murinjon e Benitez, si edhe për Ibrahimoviç.
Ançeloti, është e vërtetë që Balotelin e donte edhe çelsi?
Nuk më rezulton kjo.
Do të shkojë te Mançester Siti, ju kënaq kjo?
Jo edhe aq. Siti është klubi që ka shpenzuar më shumë në Evropë. çfarë vendi i katërt thoni? Ata do të luftojnë për titull.
Duke u kthyer te Baloteli, anglezët po e presin me kriticizëm...
Mario është një talent i çmendur, por Premier Liga është ideale për të. Do të rigjejë Mançinin, trajnerin që e lançoi në Serinë A, ndërsa përsa i përket racizmit, këtu është afër zeros absolute. Asnjë alibi për të, por vetëm një këshillë, një të vetme: ruaju nga tabloidët!
Mbush 20 vjeçc më 20 gusht dhe sipas Moratit, Baloteli është një talent që ende nuk e ka dhënë më të mirën...
E para: 35 milionë euro, nëse konfirmohet kaq, është një "shifër zonjushë". E dyta: në Itali ka shumë presion mbi të rinjtë, preferohet më mirë një i përdorur i sigurt, sesa një i ri.
Rai ka vendosur të kufizojë moviolën. është e drejtë apo jo?
Më në fund. Por, nuk besoj.
Berluskoni e Morati zbuluan fair-play-n financiar, habiteni?
UEFA e Mishel Platini ka vendosur disa piketa dhe pas disa sezonesh do të jetë një periudhë e hidhur. Duhet ta harrojmë epokën e lopëve të shëndosha.
Po Abramoviç?
Edhe ai ka ndaluar së gëzuari si i çmendur. Mendoj se blerja ime më e rëndësishme mbetet, të paktën deri sot, rikuperimi i Esien.
Murinjo te Real Madrid, e prisnit këtë?
Le të themi se nuk më ka habitur. Edhe te Porto, pasi fitoi Champions, iku. Në Itali s'ishte shumë i lidhur me ambientin.
Ju ishit një profet i mirë: Interi i Shnajderit është më i paparashikueshëm se Interi i Ibrahimoviç...
Nuk duhej një gjeni për këtë. Sidoqoftë, arbitra apo jo arbitra, nëse Interi fitoi 3 trofe, merita është thuajse e gjitha e Murinjos. Ndonjëherë më bezdis edhe mua, por ai është një motivues, një udhëheqës i madh.
Misteri Ibrahimoviç: 7 tituj kampionë radhazi mes Ajaksit, Juventusit, Interit e Barcelonës, por në Evropë...zero...
Futbolli nuk është një shkencë, Ibra është dëshmia më e mirë e këtij slogani. Kemi përballë një solist të madh, shumë i madh ndoshta për të qenë pjesë e skuadrës. Në të njëjtën kohë, nëse nuk ia kanë "gjetur telat" Kapelo, Mançini, Murinjo e Guardiola, imagjinoni çfarë mund të sugjerojë Ibra.
Nga Murinjo te Benitez, si do të ndryshojë Interi?
Rafa është më pak mediatik, por po aq konkret. S'ka revolucione.
"Juve, shit Diegon, nuk është për Serinë A". E ka thënë Saki...
Të presë të paktën deri në verën e ardhshme. Jo këtë verë. Nëse do isha në vend të Del Nerit do t'i jepja një tjetër shans. Po, ishte një sezon i falimentuar, por për të gjithë Juven.
Për Berluskonin, Ronaldinjo është lojtari më i madh i të gjitha kohërave, për disa të tjerë është më i madhi i pjesëve të para. Kush ka ta drejtë?
Jam për një kompromis të nderuar: është një nga fantazistët më të fortë dhe më të kënaqëshëm në botë, por që jo gjithmonë, ose më mirë për vetëm një pjesë, arrin të mbajë ritmin.
Në lidhje me "Kavalierin", e patë si e bëri të heshtë të gjorin Alegri? Murinjo do ta kishte ngrënë me dhëmbë...
Kur presidenti shpreh një mendim, edhe pse kaq haptazi, trajneri nuk ka çfarë të bëjë veçse t'i shkojë pas. Alegri ka gjithë kampionatin për të treguar autonominë e tij. Unë kam qenë më me fat, në kohët e mia Berluskoni nuk vinte kurrë ditën e parë.
Favoritët tuaj për titullin?
Interi, ndonëse pa Balotelin e Maikon. Pastaj të zakontat, Roma, Juve, Milan.
çelsit i duhet të "rikuperojë" Anelka e Lampard...
Në fakt, të gjithë mosketierët e mi, Drogba, Maluda, Terri, bënë një Botëror të profilit të ulët.
Keni pyetur përse?
U fundosën të gjitha kombëtaret - nga Anglia, te Argjentina dhe nga Brazili te Franca- në të cilat trajnerët bazoheshin tek individët dhe jo tek organizimi.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›