Ne Gjykate dosjae transportuesittë 676 kg-ve droge
TIRANE- Prokuroria e Krimeve të Rënda dërgon për gjykim dosjen për “transportierin” e 676 kileve të hashashit për në brigjet e Bunecit, nga ku ngarkesa pritej të ngarkohej me gomone për në Itali. Kledian Koka ndodhet në qeli prej 13 marsit të këtij viti. Sipas kërkesës për gjykim, “me datë 13.03.2010, rreth orës 13.30 është arrestuar në flagrancë, pasi ka qenë në ndjekje e sipër menjëherë pas kryerjes së veprës penale. Arrestimi i këtij shtetasi është bërë si autor i veprës penale të ndodhur më datë 13.03.2010, datë në të cilën nga ky shtetas, në bashkëpunim me persona të tjerë, është tentuar dërgimi jashtë kufirit të territorit shqiptar i sasisë së lëndës narkotike në masën prej 676.25 kg Canabis Sativa”. Bëhet fjalë për sasinë e drogës të cilën Koka e kishte transportuar me furgonin e tij. Droga transportohej drejt bregut, nga ku do nisej me një mjet lundrues që është konstatuar nga radarët e policisë. “Pasi kanë konstatuar mjetin lundrues, forcat e policisë janë vënë në lëvizje dhe në patrullim në atë zonë, ku kanë konstatuar mjetin tip furgon që udhëtonte i drejtuar nga shtetasi Kledian Koka. I pandehuri sapo ka konstatuar forcat e policisë, ka braktisur mjetin me të cilin udhëtonte dhe është larguar, duke u bërë e mundur kapja e tij pas disa orësh. Nga studimi i të dhënave me vlerë provuese të dokumentuara, rezulton se shtetasi Kledian Koka së bashku me persona të tjerë, kanë realizuar veprimtarinë për trafikimin e lëndës narkotike në masën prej 676.25 kg, për jashtë kufijve shqiptarë, nëpërmjet detit.
(s.g/GSH/BalkanWeb)
(s.g/GSH/BalkanWeb)