Ançeloti: Ky është fillimi i një epoke të re te Çelsi
Karlo Ançeloti është i bindur se titulli i parë kampion i fituar nga çelsi në këto katër vite është fillimi i një epoke të re në historinë e klubit. Trajneri italian e udhëhoqi skuadrën drejt triumfit në Premiership, trofe që mungonte prej vitit 2006, ndërsa sezoni mund të bëhet edhe më i suksesshëm me fitimin e FA Cup javën e ardhshme. Me 50-vjeçarin, blutë vendosën një seri rekordesh. Kjo ishte hera e parë në historinë e Premier League, liga profesioniste e krijuar në vitin 1992, që një skuadër realizon 100 gola (çelsi e mbylli edicionin me 103) në një sezon. Ançeloti bëhet trajneri i parë italian që fiton kampionatin anglez, ndërsa Diedier Drogba (me 36 gola) dhe Frenk Lampard (me 27 gola) kanë regjistruar sezonin ku kanë shënuar më shumë në karrierë. Drejtuesi i stolit beson se skuadra nuk ka nevojë të rindërtohet, pas ajo ka mundësi që të fitojë të tjerë trofe në vitet në vazhdim. “Mendoj se kjo skuadër ka të ardhme, pasi lojtarët nuk janë shumë të mëdhenj në moshë. Për sezonin e ardhshëm dhe për vitet në vazhdim kemi në dispozicion një ekip mjaft cilësor”, deklaroi ai. “Zhvilluam një sezon fantastik dhe këtë nuk e them vetëm sepse fituam titullin. Treguam një futboll të bukur në fushë dhe shpresoj të qëndroj sa më gjatë me çelsin, për të fituar të tjerë trofe”.
Karlo Ançeloti u emërua në “Stemford Brixh” më 1 korrik 2009, si zëvendësues i Gus Hidink, pas nëntë sezonesh në “San Siro” me Milanin, ku i ka dhënë kuqezinjve një titull në Serinë A dhe dy Champions League. Triumfi në Europë ishte një prej objektivave të këtij sezoni, por aventura e londinezëve përfundoi pas përballjes me Interin. Tashmë trajneri synon që të përsërisë ecurinë e Zhoze Murinjos në vitet 2005 dhe 2006, për ta drejtuar skuadrën në fitimin e titullit të dytë radhazi. Por, përpara se të mendojë për sezonin e ri, ai kërkon t’i japë çelsit edhe trofeun e FA Cup. “Murinjo ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe fitoi dy tituj radhazi”, tha Ançeloti. “Ky ishte kampionati im i parë dhe shpresoj që të përsëris arritjen e portugezit. Tashmë kemi shansin ta mbyllim sezonin me dy trofe dhe pas festës në kampionat, uroj që futbollistët e mi të festojnë edhe në finalen e ‘Uemblit’ kundër Portsmuthit”. Blutë janë kampionë falë ecurisë perfekte përballë të ashtuquajturve rivalë për katër vendet e para. Dy fitore me Arsenalin, dy me Liverpulin dhe dy me Mançester Junajtid, pa përmendur këtu faktin që në katër nga 38 ndeshjet e luajtura, ata kanë realizuar shtatë ose më shumë gola. “Përveç fitores 8-0 me Uiganin në javën e fundit, mendoj se ndeshja vendimtare e sezonit ishte fitorja në fushën e Mançesterit. Ky ishte çelësi i suksesit: ne fituam besim në forcat tona, ndërsa Junajtid pësoi një goditje psikologjike. Jemi shumë të lumtur për titullin dhe dëshiroj të falënderoj mjaft njerëz: të parin, pronarin Roman Abramoviç, klubin, ata që punuan me mua gjatë gjithë vitit, tifozët, por mbi të gjitha futbollistët. Gjeta një skuadër fantastike dhe një klub të mirorganizuar, që ma lehtësuan shumë punën dhe më lejuan të bëja më të mirën”, përfundoi Ançeloti.