E Diel, 1 Nëntor 2026

Dehet Kavaja festë deri në mëngjes

Qyteti në shesh për skuadrën, Bizhdili premton trofe edhe më të rëndësishëm

Triumfi në Kupën e Shqipërisë ka bërë që e gjithë Kavaja të jetë në festë. Nga stadiumi “Qemal Stafa” në kryeqytet, gëzimi për trofeun e dytë në historinë e klubit, është shpërngulur në qytetin e Shqipërisë së Mesme. Mijëra tifozët verdhezinj, të cilët kanë mbështetur pa pushim skuadrën gjatë 120 minutave të fitores 2-1 me Vllazninë kanë qenë të parët që mbushën sheshin, duke pritur heronjtë e tyre. Mbrëmjes festive i janë shtuar edhe shumë të tjerë, që për një arsye apo një tjetër e kishin të pamundur të udhëtonin në Tiranë, por që dolën nga shtëpitë për të përshëndetur lojtarët, drejtuesit dhe stafin teknik të Besës. Mes thirrjeve dhe muzikës, ata pritën kthimin e ekipit: delegacioni udhëhiqej nga makina e presidentit Nexhat Bizhdili, i cili e kishte “përvetësuar” Kupën, duke e mbajtur gjatë gjithë udhëtimit. Me xhamin të hapur, drejtuesi më i lartë i klubit e ngriti trofeun mes tifozëve, ndërsa pak nga pak vëmendja u përqendrua tek autobusi i skuadrës, që pasi ka çarë turmën ka hapur edhe dyert.

Në podium i pari hipi Bizhdili, me trofeun në dorë, ndërsa pas tij nënprefekti i Kavajës, Galip Ramadhi, kapiteni Orges Shehi e kështu me radhë, deri në pjesëtarin e fundit të stafit teknik. I entuziazmuar për Kupën e dytë që i ka dhuruar skuadrës, presidenti nuk e ka fshehur euforinë. Pasi ka përshëndetur protagonistët e kësaj arritjeje, ai nuk ngurroi të premtonte përforcimin e skuadrës për të ardhmen. “Jemi të lumtur për këtë Kupë, të cilën Kavaja e meriton. Tashmë ia kemi marrë dorën këtij trofeu, por ne do të vazhdojmë në rrugën tonë. Do të punojmë për të përforcuar skuadrën dhe që në të ardhmen të kërkojmë trofe edhe më të rëndësishëm”, deklaroi ai duke iu referuar ambicies për të luftuar për titullin. Përpara tifozëve të pranishëm kanë folur edhe trajneri Duro, i cili nuk i fshehu emocionet, portieri Orges Shehi, por edhe protagonistët e tjerë të skuadrës, që me lojën e tyre kontribuuan në fitoren përballë Vllaznisë. Dozat e humorit nuk kanë munguar, mbi të gjitha kur mikrofoni kaloi në duart e organizatorit, Bledar Mancaku: “Kjo është një festë për të gjithë, të paktën për sot edhe ne jemi të justifikuar që ta pimë ndonjë birrë së bashku me ju”. Një tjetër fakt mjaft interesant lidhej me sulmuesin shkodran, Vioresin Sinani: në momentin e zëvendësimit gjatë ndeshjes, kur Vllaznia kryesonte 1-0, ai është fërshëllyer nga tifozët e Besës, por gjatë festimeve në Kavajë, emri i tij u brohorit gjatë.

Festimet kanë vazhduar deri në orët e para të mëngjesit, ndërsa të hënën Kavaja është zgjuar e dehur nga suksesi i arritur në finale. Me pjesëmarrjen në Europa League në xhep, verdhezinjtë presin vetëm mbylljen zyrtare të kampionatit, për të marrë pushimet e merituara. Në anën tjetër, drejtuesit e klubit po fillojnë të përgatiten për përforcimin e skuadrës: për të bërë një paraqitje sa më të mirë në turet eliminatore të kupave të Europës, por edhe për të qenë rivale në luftën për titullin kampion i Shqipërisë. Merkato e Besës ka filluar nga reparti ofensiv: sipas burimeve pranë klubit po punohet për afrimin e një sulmuesi kroat, emri i të cilit ende nuk bëhet i ditur.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›