Anceloti: “Nuk jam superstar, i meritoj 13.5 mln euro”
TIRANE-Nuk jam unë superstari i Paris Sent Zhermenit, jam vetëm një trajner që e dashuroj punën time. Karlo Ançeloti, në një intervistë dhënë dje për të përditshmen franceze “Le Figaro”, ka bërë një bilanc të 3 muajve të tij në krye të skuadrës së kryeqytetit francez që kryeson kampionatin para Montpelje, ndërsa ka folur për rivalitetin dhe për rrogën e tij të majme, që është bërë objekt bisedash edhe nga politikanët francezë. “Kam një përgjegjësi të madhe për fitimin e titullit. Nuk do të jetë e lehtë, sepse rivali ynë, Montpelje, është një skuadër e organizuar mirë dhe që bën një futboll natyral. Lojtarët kanë shumë vite bashkë dhe për këtë arsye janë shumë të fortë”, tha Ançeloti. Në prag të zgjedhjeve të ardhshme, ka patur edhe kritika nga kandidatë të politikës për rrogën e trajnerit italian, që është më e larta në historinë e futbollit francez. “Mendoj se është normale që politikanët të flasin për rrogën time (13.5 mln euro në vit), - tha ai. – Por, unë nuk marr asnjë euro më shumë nga ç’do të merrja te Milani apo te Çelsi. Rroga e një trajneri u nënshtrohet ligjeve të tregut”, shtoi Ançeloti. Ai u shpreh i lumtur që pranoi ofertën e PSG-së, ndërsa deklaroi se ekipi duhet të vazhdojë ta ketë bazën me lojtarë francezë.
(d.b/a.latifi/BalkanWeb)
(d.b/a.latifi/BalkanWeb)