E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Shchmitt: Hungaria mbështet Shqipërinë në reformat e saj drejt BE

TIRANE-Kryeministri Sali Berisha zhvilloi sot një takim me Presidentin Pal Schmitt, në ditën e dytë vizitës në Budapest.

Presidenti Schmitt e vlerësoi këtë vizitë si shume të rëndësishme dhe të suksesshme. Ai tha se të dy popujt ndajnë të njëjtat vlera të lirisë dhe ruajnë miqësi të konsoliduar.

Presidenti Schmitt vlerësoi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, si një arritje historike të saj dhe qeverisë shqiptare dhe i shprehu Kryeministrit mbështetjen e fuqishme të Hungarisë edhe për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Hungaria, tha Presidenti Schmitt, "është shumë e lumtur që Shqipëria u bë anëtare e NATO-s dhe ajo do të jetë në radhën e parë të vendeve që do të mbështesin dhe ndihmojnë Shqipërinë për të marrë statusin e vendit kandidat! Shqiptarët kanë bërë shumë sakrifica për të qenë të lirë dhe duke qenë se edhe populli hungarez ka vuajtur nën diktaturën komuniste, ne e kuptojmë shumë mirë popullin mik shqiptar, ndaj do vijojmë t’ju mbështesim fuqishëm në hapat e mëtejshëm drejt BE-së.”

Kryeministri Berisha i shprehu Presidentit hungarez mirënjohjen më të thellë, për mbështetjen e paçmuar të Hungarisë për anëtarësimin në NATO, liberalizimin e vizave dhe në hapat e mëtejshëm për anëtarësimin në BE, por edhe për qëndrimin e kontributin e Hungarisë ndaj çështjes së drejtë të shqiptarëve në Kosovë dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj shtetit më të ri të Europës, Republikës së Kosovës.

Kryeministri e njohu Presidentin Schmitt me rezultatet shumë të frytshme të kësaj vizite, e cila zhvillohet në një vit të veçantë në marrëdhëniet mes dy vendeve, në 90 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

Në këtë kontekst, Kryeministri shprehu mirënjohjen ndaj Hungarisë për vullnetin për zhvillimin e konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore me Shqipërinë.

Miqësia midis të dy popujve, vlerësoi Kryeministri, shkon larg në historinë shekullore, në bashkëpunimin dhe në përpjekjet e tyre për liri e dinjitet.

Kryeministri Berisha bëri me dije përpjekjet dhe reformat e jashtëzakonshme të ndërmarra gjatë kësaj periudhe, për realizimin e projektit madhor kombëtar të anëtarësimit në BE, të cilat kanë shndërruar pamjen e vendit dhe imazhin e Shqipërisë në botë.

Kryeministri e njohu gjithashtu Presidentin hungarez me arritjet e rëndësishme në fushën e ekonomisë, të cilat kanë bërë të mundur që Shqipëria të shënojë rritjen më të madhe ekonomike në Europë, ndërtimin e një infrastrukture tërësisht të re rrugore në vend, katërfishimin e investimeve të huaja, ndërkohe numri i turisteve e vizitorëve që vijnë në Shqipëri për turizëm dhe rekreacion në vit ka kaluar 4 milionë, si edhe arritjet e rëndësishme në fushën e arsimit, shëndetit publik, arritjet në luftën kundër korrupsionit, thjeshtësimit dhe dixhitalizimit të procedurave, ICT etj.

Kryeministri Berisha e njohu Presidentin Schmitt me potencialet e jashtëzakonshme që ofron vendi si 400 kilometra bregdet të mrekullueshëm, por edhe peizazhe malore të virgjëra e piktoreske, mundësitë në fushën e prodhimit të energjisë hidrike e energji të tjera të rinovueshme, në sektorin minerar, etj..
Në takim u rikonfirmua vullneti për të nxitur investitorët hungarezë për të investuar në Shqipëri.

KRYEMINISTRI BERISHA VIZITON MUZEUN E TERRORIT, NË HUNGARI
Kryeministri Sali Berisha vizitoi sot, Muzeun e Terrorit, i cili i dedikohet krimeve dhe torturave të regjimit fashist dhe atij komunist në Hungari.
Ky muze, i vendosur në ish-ndërtesën e policisë sekrete komuniste hungareze, u hap 10 vjet më parë dhe është i pari muze i këtij lloji i hapur në vendet ish-komuniste, duke shërbyer si model për vendet e tjera. Pjesën më të madhe të pavioneve e zinin viktimat dhe persekucioni i periudhës së terrorit shtetëror komunist. Pavarësisht rezistencës nga përfaqësues të majtë të spektrit politik, hapja e këtij muzeu ka shënuar interes të jashtëzakonshëm duke regjistruar mbi 4 milion vizitorë.
Në takimin me drejtues të Muzeut, si dhe me Kryetarin e Bashkisë, Kryeministri Berisha theksoi rëndësinë e paçmuar që muze të tillë kanë për historinë dhe kujtesën e një kombi. Ai u shpreh se ato i shërbejnë edukimit të brezave të rinj, në mënyrë që krime dhe tragjedi të tilla që zhveshën njeriun nga dinjiteti njerëzor dhe të drejtat themelore, të mos përsëriten kurrë më.
Kryeministri nënvizoi nevojën e ngritjes së një muzeu të tillë dhe në Shqipëri, ku brezat të kenë mundësi të shohin mizoritë e diktaturës komuniste, përfshirë vuajtjet e shkaktuara nga politika hiperkolektiviste e atij regjimi mizor.
Drejtues të muzeut shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar dhe ndihmuar në këtë drejtim.

(d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Berisha-Shchmitt: Hungaria mbështet Shqipërinë në reformat e saj drejt BE

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›