E Diel, 1 Nëntor 2026

Anderson nxirret nga vetura në zjarr

Mesfushori i Manchester Unitedit, Anderson ka qenë i përfshirë në një aksident të rëndë në Portugali dhe ishte nxjerrë nga vetura pak çaste para se ajo të shpërthejë në zjarr, ka njoftuar e përditshmja portugeze, Jornal de Noticias.

Anderson kaloi disa orë në spital pas aksidentit që ndodhi rreth orës 7 të mëngjesit në një rrugë rurale në Braga, por shpëtoi vetëm me lëndime të lehta.

22-vjeçari kaloi natën në diskotekën Sardinha Biba, para se të largohej me veturën e tipit Audi R8, me vlerë prej 125 mijë funta. Një dëshmitar ka thënë se ai i shpëtoi vdekjes kur ishte nxjerrë nga vetura para se atë ta marrë zjarri.

Almeno Antunes, i cili sipas Jornal de Noticias ndihmoi në shpëtimin e Andersonit dhe dy personave të tjerë që kishin qenë në veturën e tij, tha: “Kam parë tym para meje. Vetura kishte humbur kontrollin dhe hyri në një fushë ku filloi të digjej. Mendoja se kishte vdekur. Vëllai im më ndihmoi t’i nxjerr jashtë nga vetura”.

Anderson kishte lënduar ligamentet e gjurit në muajin shkurt dhe prej asaj kohe ka qëndruar jashtë fushës. Mediat portugeze cituan agjencinë Gestifute që përfaqëson Andersonin që ka bërë të ditur se braziliani tani do të kthehet në Manchester për të vazhduar rehabilitimin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›