E Diel, 1 Nëntor 2026

Andi Lila, drejt Dinamos së Zagrebit me ndërmjetësinë e trajnerit Kuzhe

Merkato Mbrojtësi bardheblu pritet të transferohet prej janarit te gjigandët kroatë

Andi Lila është fare pranë transferimit te Dinamo e Zagrebit. Mbrojtësi i Tiranës, që ende pa u hapur merkato ka qenë në qendër të transferimeve nga Kategoria Superiore drejt një kampionati më të rëndësishëm europian, më në fund do të ketë shansin për të bërë hapin cilësor në karrierën si profesionist. Mundësia për t’u bashkuar me klubin e mirënjohur kroat ka një sponsor të veçantë: trajnerin e Kombëtares, Josip Kuzhe. Që prej emërimit në krye të stolit kuqezi, tekniku 57-vjeçar nuk e ka fshehur asnjëherë faktin se Lila është një prej të preferuarve të tij. Kuzhe e cilëson kavajasin si një element të rëndësishëm të ekipit përfaqësues. Pasi ka kaluar me sukses testimin në miqësoret me Irlandën e Veriut dhe Malin e Zi, tashmë 24-vjeçari ka fituar një fanellë titullari në Kombëtare. Në fakt, ai është aktivizuar si titullar në tri prej katër sfidave eliminatore të Shqipërisë në Euro 2012, kundër Rumanisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Bjellorusisë. Në të gjitha këto sfida, Lila ka qëndruar në fushë gjatë gjithë 90-minutëshit, ndërsa në takimin me Luksemburgun, ai u aktivizua vetëm si zëvendësues, për shkak të zgjedhjeve taktike që impononin një skuadër mjaft sulmuese.
Kushte më të lehta për transferimin e Lilës jashtë Shqipërisë i ofron edhe kontrata e lojtarit me Tiranën (i afruar te bardheblutë në qershor të vitit 2008), e cila skadon në muajin janar. Deri më tani, për mbrojtësin ishin interesuar Hajduku i Splitit, skuadër kroate ku militon edhe Ervin Bulku dhe moldavët e Sherif Tiraspol (skuadra që eliminoi Dinamon nga Champions League). Gjithsesi, alternativa më e mirë duket pikërisht Dinamo e Zagrebit, skuadra më e njohur kroate, e që kryeson kampionatin në këtë sezon. Sponsori i kuqeziut është bërë trajneri Kuzhe. Pasi kishte dëgjuar nga drejtuesit e klubit të kryeqytetit kroat se kërkonin një futbollist me karakteristikat e Lilës, për t’u përforcuar gjatë janarit, ai nuk nguroi dhe ua parashtroi si alternativë, ndërsa ka folur me superlativa për lojtarin. Duket se biseda kokë më kokë me mbrojtësin për këtë mundësi, ka qenë edhe arsyeja kryesore e vizitës disaditore të teknikut në vendin tonë. Lojtari bardheblu pritet të firmosë gjatë javës së ardhshme, ndërsa ende nuk dihen detaje të kontratës, siç janë kohëzgjatja apo rroga.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›