Tevez: Siti, duhet të më shesësh. Klubi e refuzon kërkesën e tij
Në ditën në të cilën Mançester Siti fitoi vendim e parë në Premier League, ja lajmi që nuk e pret dhe që prish gëzimin e momentit për parakalimin e mundshëm të Mançester Junajtid, Arsenalit e Çelsit: Karlos Tevez ka prezantuar kërkesën formale me shkrim për t’u larguar. Lajmin e dhanë gazetat britanike. “News of the World” ishte më e ashpra, duke i atribuuar Mançinit gjithë përgjegjësinë e vendimit befasues të lojtarit argjentinas. Në fakt, sipas tabloideve, ajo që e shtyn Tevez të ikë ka lidhje me marrëdhënien e keqe me italianin. Futbollisti është shumë i zhgënjyer dhe i mërzitur se si po shkojnë gjërat në “Eastlands”, dhe dy javë më parë ia ka komunikuar qëllimin e tij të lamtumirës administratorit të deleguar të klubit, Garry Kuk, duke e shkruar më pas të zezë mbi të bardhë. Sikurse lexohet, argjentinasi i ka rrëfyer një shoku të skuadrës se ishte i gatshëm të pranonte edhe një ulje rroge vetëm për të mbyllur këtë çështje sa më shpejt, sepse nuk e përtyp dot të jetojë akoma krah për krah me Mançinin. Jo rastësisht, oferta e klubit rritur me 100 mijë sterlina për rrogën e tij, as nuk është marrë në konsideratë. Kjo tregon se për Tevezin nuk është një çështje parash, por respekti dhe lumturie: Dy gjëra që te Siti ndien se nuk i ka. Në fakt, i pari humbi pas sherrit publik me Mançinin dhe më pas klubi vendosi të transmetonte intervistën e dy muajve më parë, në të cilën Tevez deklaronte dashuri deri në përjetësi për klubin e sheikut Mansur. Ndërsa lumturia i mungon që nga largimi i ish-trajnerit Mark Hjuxhs për t’u zëvendësuar nga Mançini. “Karlitos ka shkruar kërkesën për t’u larguar, ka treguar një burim anonim pranë tij, por vazhdon të japë maksimumin për skuadrën. Është i nderuar që luan për këtë klub dhe krenar që është kapiten, por nuk punon dot më me trajnerin dhe shumë prej atyre që janë në prapavijë. Karlos ka një respekt të madh për tifozët dhe për Sheikun Mansur, por nuk mund të vazhdohet më kështu. Në merkaton e janarit atij do t’i pëlqente të largohej”. Por klubi, nëpërmjet një komunikate, e ka refuzuar kërkesën e tij, duke i thënë një “jo” të prerë.