E Diel, 1 Nëntor 2026

Andis Harasani - Politika si futbolli, luhet dhe në dhomat e zhveshjes

 

Klotilda Harka

Një intervistë për “Panorama Plus” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, atje ku jeton pjesa tjetër e familjes. Andis Harasani rrëfen gjithçka mbi programin e ri të partisë së tij, opinionin për emrat e njohur të politikës, dhe jetën që i ka ndryshuar si babai i Theas 15-muajshe: 
Nëse mund t’ju pyesim për programin e PS-së në qeverisjen e nesërme, cilat janë tri pikat më të forta të projektit tuaj?
Do të dëshiroja shumë t’ju përgjigjesha dhe unë me një pyetje. Keni vënë re se në pothuaj të gjithë intervistat apo prononcimet publike që media kërkon nga drejtues të PS apo deputetë të saj, nuk mungon kurrë një pyetje për programin tonë të nesërm? Në përgjigjen që do të prisja nga ju me siguri do të zërë vend fakti që vetëm PS-ja dhe tek PS-ja mund të diskutohet për një temë të tillë. Sepse vetëm PS-ja është partia që po përgatitet jo thjesht të marrë pushtetin, por po demonstron se çfarë do të bëjë me pushtetin. E nesërmja e fitores sonë elektorale të padiskutueshme nesër, nuk është fundi i një pune, është vetëm stacioni i ri i një udhe të re për të gjithë shoqërinë shqiptare. Eshtë dita kur shërbesa jonë për qytetarin do të marrë një dimension të ri, atë të shndërrimit të ideve në realitet, atë të shndërrimit të realitetit tonë të vockël provincial dhe ballkanik, në atë të një vendi që i përket Evropës jo vetëm si nocion apo si domethënie gjeografike, por më së shumti si mentalitet progresi dhe evolucioni. Programi ynë nuk është masturbim shifrash të kryera në momentin e fundit, nuk është as centrali atomik, as kafshata e gojës, as epoka e internetit. Programi ynë është një udhë që tregon shërbesën për të krijuar normalitet në këtë vend të sfilitur nga kjo qeverisje anormale. Nuk do të doja të ndalesha në tre apo më shumë pika të forta e të tjera më të dobëta në këtë program; gjithçka është parë me seriozitet që nga ekonomia, shëndetësia e arsimi, kultura dhe turizmi, energjetika dhe bujqësia. Programi ynë i ngjan konstruktit skeletik të një trupi njerëzor, qoftë dhe njëra nga to qoftë e thyer, e tërë struktura ka dhimbje. Në këtë kuptim do të thosha se tentojmë përkryerjen e kësaj Bible apo Kurani, quajeni si të doni, elektoral dhe solemn të PS-së me qytetarin.
Keni arritur të bëni një përllogaritje në lekë, se sa mund të kushtonte zbatimi i tij?
Jemi ende në fazën e diskutimit. Padyshim, ky program, më ambiciozi i shkruar ndonjëherë në këtë vend, do të shoqërohet me një faturë financiare, por të jeni të bindur se ai nuk do t’i ngjajë, fjala vjen, ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës që po shkon shto beton e shto para dhe kohë pune. Sepse aty puna ka nisur pa projekt.
Viti 2009, çfarë viti do të jetë për të gjithë ne që jetojmë në këtë vend?
Viti i ndarjes përfundimtare jo thjesht me individin Sali Berisha dhe të klonuarit e tij poshtë e përpjetë. Ai do të jetë një vit i ndarjes me një të shkuar pseudo demokratike, pseudo pluraliste, pseudo popullore dhe tërësisht komuniste në bindje, ide e veprim të një pjese të politikës. Me dhimbjen njeriu ndahet zakonisht me dhimbje, me shkaktarin e sa e sa traumave të dhembshme që ka kaluar ky vend, besoj se do të ndahemi me votë dhe me të qeshur. Nesër do të qeshim vërtet të gjithë me të gjithë sharlatanët dhe klounët e politikës, që janë varur në sisët e vendit si thithëlopa të helmëta.
Në fakt u lodhëm me idenë e të qenit ende një vend në tranzicion. Nëse do të shkëputeshit për një moment nga bindja juaj për PS-në, cili mund të ishte parashikimi për 10 vitet e ardhshme?
Duke parë se si ka qenë vendi dhjetë vjet më parë. Në vitin 1998 sapo kishim kaluar krizën e tmerrshme të fajdeve dhe po përjetonin grushtin e shtetit të Salinjve. Por në atë vit kishte dhe shumë optimizëm, mbretëronte bindja se e keqja e këtij vendi kishte mbërritur fundin dhe më në fund se ai fund, nuk kishte ku shkohej. Dhjetë vjet më pas kam bindjen se do të shoh një Shqipëri ndryshe, një Shqipëri normale. Dhe duke thënë normale, dua të them një Shqipëri që të jep dinjitet, që të jep punë e bukë, që të fton të jetosh këtu, që të jep arsim e kulturë, që të garanton mjekë e kujdes shëndetësor, që të kursen bashkëjetesën me atë skotë qesharake politike, që politikën e ka shndërruar një monedhë këmbimi dhe xhepin privat si bankë fundore. 
Në disa intervista të mëparshme jeni shprehur me një gjuhë shumë të ashpër ndaj Kryeministrit Berisha. Kjo është shenjë e karakterit protagonist, apo revolta juaj është thelbësore në karrierën si politikan?
Vërtet mendoni se kam përdorur gjuhë të ashpër? Nuk e besoj. Nëse vrasësit me pushtet që kryen krimin shtetëror të Gërdecit do të vazhdoja t’i quaja vrasës, nëse grabitësit e parave publike do t’i quaja hajdutë, nëse të paaftët që na qeverisin do t’i quaja të paaftë, atëherë besoj se kam thënë vetëm një pjesë të së vërtetës. Nëse terrin që na ka marrë shpirtin në këto tre vjet të mandatit të Berishës do ta quaja dritë, atëherë po, atëherë do të bashkohesha me korin hipokrit që qesh kur qesh Berisha, se kështu i bëhet qejfi Marshallit. Në këtë mënyrë besoj se kjo nuk ka të bëjë as me protagonizëm dhe as me revoltë. Si deputet dhe një nga përfaqësuesit e PS-së, duke denoncuar këtë gangrenë qeverisëse, besoj se i shërbej të vërtetës dhe qytetarit shqiptar.
Mund të bënit nga një përkufizim për Bamir Topin, Sali Berishën, Jozefina Topallin, Edi Ramën, Ilir Metën?
Nuk di se me çfarë kriteri e keni bërë këtë renditje emrash, po të ishte për hierarkinë në mazhorancë, muhabeti mbyllej vetëm në një emër, në atë të Berishës. Dhe për këtë është e lehtë të flitet. Ky emër tashmë është bërë simbol. Fatkeqësisht një simbol i të keqes. Për dy emrat e tjerë, Topi më duket se tashmë ka lexuar Kushtetutën dhe ka kuptuar se çfarë janë kompetencat e Presidentit, por ende nuk po kupton se mirë apo keq është kreu i shtetit. Nga ana tjetër, me gjithë respektin si grua, zonja Topalli është po vetë Berisha në një version femëror. Aspak më “soft” se ai. Rama e Meta? I pari është kryetari i partisë sime, njeriu që ka prerë bastin jo thjesht për rikthimin e socialistëve në pushtet – dhe unë e kam bindje një gjë të tillë, por është njeriu që ka vënë bastin për të nesërmen normale të vendit. I dyti, zoti Meta, ka qenë socialist. Në çdo rast nuk mund ta shoh atë përveçse si mikun tonë politik, pjesë të një familjeje që është shumë më shumë se selia e PS apo LSI.
Si deputet i PS-së, si mendoni ku takohen përgjegjësitë e një deputeti me të një votuesi?
Kjo është vërtet një pyetje e vështirë, që kërkon shumë më tepër hapësirë se një intervistë; është një ekuilibër mes përgjegjësisë dhe detyrës, mes nderit dhe besimit reciprok. Natyrisht është shumë më tepër se një marrëdhënie mes një zyre pune dhe hallexhiut të papunë, mes biznesmenit që paguan dhe deputetit që shpërblen, mes familjes që darkon varfërisht dhe shpresës që i afron asaj për t’i përmirësuar jetën.
Këto ditë të nxehta gushti ju ndodheni në SHBA tek vajza dhe bashkëshortja juaj. Si po e jetoni largësinë me to?
Larg? Një baba nuk mund të jetë kurrë larg nga krijesa e tij. Eshtë, nëse mund ta them një gjë të tillë, një jetë e dyfishtë, me trup këtu dhe shpirt që fluturon përtej pa nevojë për vizë, dogana apo biletë avioni.
Tani që Thea është 15-muajsh, dalloni se kujt prej prindërve i ngjan?
Po të isha i bindur se bashkëshortja ime nuk do ta lexonte këtë intervistë, do të doja të thosha që më ngjan mua. Kur ajo fle, unë përgjoj fytyrën e saj dhe ndiej sesi më përcillet ajo ndjenjë paqeje dhe mirësie, që mund ta japë një vetëm një foshnje. Këto fjalë i kam mësuar vetëm kur u bëra baba dhe në të njëjtën kohë u ndjeva dhe vetë po aq i paqtë sa një foshnje.
Çfarë ka ndryshuar në karakterin tuaj, ardhja në jetë e vajzës?
E vështirë të thuhet një gjë e tillë. Karakteri është diçka që nuk ndryshon si moda e veshjeve. Mund të them se jam bërë më i përgjegjshëm. Tashmë di që dita dhe nata ime, di që 24 orët e mia nuk më përkasin më mua. Zot i jetës dhe mendjes sime është pikërisht Thea.
E keni menduar ndonjëherë cila mund të jetë dilema më e madhe e babait? Si e parashikon veten si baba i vajzës adoleshente, pedant apo plotësues tekash?
Jeta nuk të lejon luksin të kesh dilema. Ka vetëm një zgjidhje dhe kurrë dy të tilla: t’i siguroj një jetë normale. Brezi im, si dhe brezat e mëparshëm janë rritur me privime. Brezi im është rritur me antenat e tarracave për të parë botë, është rritur me shishet bosh të Coca-Cola-s në bufetë standarde si element dekori për kuzhinën, është rritur me mishin e gjalpin e munguar, është rritur me rrobën ushtarake që na bënte njëlloj, është rritur pa frikën e Perëndisë. Kur më ndodh t’i lutem Zotit, i lutem që fëmija im dhe gjithë fëmijët e këtij vendi të kenë fëmijëri normale dhe të jenë të privuar vetëm nga e keqja.
Flasim për martesën. Për çfarë mendoni se keni dhënë maksimumin në martesën që po jetoni, po minimumin?
Po e them shkurt, kam tentuar të jap dashuri e përkushtim në maksimum, dëshiroj të ndryshoj kohën që e kam afruar me mungesë.
Jeni tradicionalist apo modern në konceptin tuaj për familjen?
Jam baba dhe bashkëshort. Kaq mendoj se i përfshin këto dy ekstreme, siç i paraqisni ju.
Si mendoni, çfarë nuk do të mund të tolerojë kurrë tek ju bashkëshortja juaj?
Duhet të pyesni atë. Unë vetë nuk do t’i lejoja kurrë vetes të bëja diçka që ajo nuk do të ma toleronte.
Cila do të ishte ajo sjellje që s’do t’ia falnit kurrë bashkëshortes?
Nuk e kam idenë. Koncepti i fajit të njërit apo tjetrit në marrëdhënien tonën, fatmirësisht nuk ka gjetur ende vend mes nesh.
Ju jeni i aftë të vendosni ekuilibra, apo i prirur t’i prishni ato, dhe a keni një strategji se si mund të ruhen ekuilibrat në jetë?
Tani po më ngjan vetja si ca individë në truallin tonë që kanë përgjigje për çdo pyetje. Unë nuk kam një të tillë për këtë pyetjen tuaj. Unë thjesht jetoj në mënyrën që nesër vajzës sime të mos i vijë turp për emrin e të atit. Përkundrazi!
Si mendoni çfarë ka më shumë vlerë në jetën tonë?
Jeta vetë.
Jeni përfolur si mashkulli i lidhjeve të shumta. Ju vetë si do të mund ta përkufizonit veten?
Njeri që ka vuajtur gjatë nga thashethemet, nga keqkuptimet e shpesh edhe nga dashakeqësia, por pikërisht nga këto ka mësuar të mos i vërë më veshin thashethemeve dhe keqdashësisë së njerëzve bosh që merren me thashetheme.
Tipi i femrës që s’do doje ta takoje kurrë, cili mund të ishte?
Nuk do të vija as emër dhe as nuk do të bëja një identikit të saj. Por më kujtohet që një mbrëmje vonë, mbas një seance të tensionuar në Kuvend, një koleg deputet i PD-së, ish-ministër, më pyeti nëse zonja Topalli do të gatuante drekën e nesërme në shtëpinë e saj. Sinqerisht nuk arrija ta imagjinoja duke qëruar qepë, apo duke ndezur sobën me gaz.
Ju vetë jeni tip i heshtur, impulsiv apo hakmarrës?
I heshtur kur nuk kam gjë për të thënë, impulsiv ndaj padrejtësisë, di të fal kur më bëjnë keq. Hakmarrja është një gjellë që serviret e ftohtë. Kur kjo gjellë ftohet, nuk ia afroj as armikut.
A ruani ende një pasion të fshehur, apo tani s’është koha më për pasione?
Futbolli. Për mua kjo lojë është si politika. Luhet në fushë, luhet në dhomat e zhveshjes, luhet dhe në tribuna. Ndaj po them se pasioni im i madh është politika. 
Telefonata e parë që do bëni kur të mbërrini në Tiranë?
Në këtë botë të komunikimit global, nuk ka telefonatë të parë dhe të dytë. Unë jam gjithashtu në Tiranë edhe në këto momente që po të flas nga SHBA-ja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›