E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji për piramidën, 33 deputetë të PS-së, padi në Kushtetuese

SHKRUAN: Fejzi Braushi 23-08-2011 11:02

Ligji për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar, aty ku sot gjendet piramida, përfundon në Gjykatën Kushtetuese. Pas sinjalit mospajtues që dha kreu i shtetit me këtë ligj, janë deputetët socialistë ata që kanë marrë përsipër të bllokojnë zbatimin e tij, duke i kërkuar Gjykatës Kushtetuese që ta shpallë në kundërshtim me Kushtetutën dhe akte ndërkombëtare të nënshkruara nga vendi ynë dhe që janë të detyrueshme për t’u zbatuar. Deputeti socialist Taulant Balla ka dorëzuar dje në protokollin e Gjykatës Kushtetuese kërkesën prej 23 faqesh, të firmosur nga 33 të zgjedhur socialistë, ku në mënyrë të përmbledhur pretendohet se me ligjin 14.7.2011 “Për rregullat dhe procedurat e ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë”, cenohen parimi kushtetues i shtetit të së drejtës, parimi i hierarkisë së akteve normative, si dhe parimi i ndarjes dhe i balancimit të pushteteve. Para se të japë vendimin final, deputetët socialistë kërkojnë nga Gjykata ta pezullojë zbatimin e këtij ligji për shkak të pasojave të pariparueshme financiare dhe historike që mund të sillte zbatimi i tij.

Legjitimiteti

Që në nisje të padisë së paraqitur dje nga Taulant Balla, deputetët socialistë argumentojnë legjitimitetin e tyre për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për një çështje të tillë. Kështu, megjithëse nuk kanë një interes të tyrin personal, ata argumentojnë se si të zgjedhur të popullit, Kushtetuta u ka njohur të drejtën që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për çështje që kanë interes publik. “Në rastin në shqyrtim, miratimi i një ligji, i cili rregullon marrëdhënie në kundërshtim me parashikimet kushtetuese dhe me detyrimet e marra përsipër nga Republika e Shqipërisë përmes ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, përbën një dhunim të interesave publikë, porsa kohë që si të tillë (ende) konsiderohen prosperiteti i Atdheut përmes konsolidimit të demokracisë dhe forcimit të shtetit të së drejtës. Me këto vlera e pikësynime në qendër të përpjekjeve tona politike, ne një grup deputetësh, me legjitimitet të plotë i kërkojmë Gjykatës Kushtetuese të ushtrojë kompetencën e saj të kontrollit të pajtueshmërisë së tij”, - thuhet në kërkesë e deputetëve socialistë, të cilët për shkak të bojkotit nuk ishin në sallën e Kuvendit për të kundërshtuar këtë ligj gjatë miratimit të tij.

Shkeljet

Kërkesa e 33 deputetëve socialistë merr në mënyrë të detajuar të gjitha shkeljet e pretenduara ligjore dhe parimet kushtetuese që sipas tyre cenohen nga ligji në fjalë. Në lidhje me shkeljen e parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, socialistët pretendojnë se ligji objekt shqyrtimi ka dhunuar kompetencën e pushtetit vendor në fushën e planifikimin urban dhe të menaxhimit të territorit, kompetenca këto të njohura si “funksione të veta” dhe ekskluzive e për pasojë edhe parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve si dhe të decentralizimit e autonomisë vendore. Për shkeljen e këtij parimi ata sjellin në vëmendje të gjyqtarëve kushtetues faktin se tre ligje edhe të përforcuar, janë shkelur nga ky ligj i thjeshtë, në pjesën që ka të bëjë me kompetencat e pushtetit vendor dhe ndarjen e pushteteve. Më konkretisht, sipas kërkesës shkelet ligji “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, ligji “Për urbanistikën”, “Për planifikimin e territorit”, të cilat përcaktojnë se kompetenca e dhënies së lejes së ndërtimit, planifikimin e territorit të qytetit e ka pushteti vendor. Gjithashtu në kërkesë evidentohet se me ligjin objekt goditje, shkelet dhe parimi shtetit të së drejtës, ai i sigurisë juridike dhe i hierarkisë së akteve normative. Lidhur me këtë parim të fundit theksohet se një ligj i thjeshtë nxjerr rregulla që cenojnë rregulla të tjera që kanë përcaktuar ligje të miratuara me shumicë të cilësuar. Ndërkohë, lidhur me parimin e sigurisë juridike, deputetët kërkues pretendojnë se në rast se ligji do të zbatohej, atëherë kjo do të sillte dhe një dëm të madh financiar që nis që me ndërtimin e Piramidës në vitin 1988 dhe të gjitha shpenzimet e bëra qoftë me realizimin e konkurseve ndërkombëtare për ndërtimin e kompleksit parlamentar, me investimet e bëra në godinën ekzistuese të kuvendit dhe te piramida, ashtu edhe për të gjithë koston financiare që do të kërkojë ndërtimi i godinës së re.

Balla: Ligji për Parlamentin, antikushtetues

Deputeti Taulant Balla, teksa ka dorëzuar kërkesën ankimore në Gjykatën Kushtetuese, ka theksuar se përveç gjykimit të papajtueshmërisë me kushtetutën të ligjit “Për rregullat dhe procedurat e ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë”, kërkon edhe pezullimin e tij, për shkak të efekteve të parikuperueshme që mund të sjellë zbatimi i tij. “Ne emër të grupit parlamentar të PS-së depozituam një kërkesë të firmosur prej më shumë se një e pesta e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, që i kërkon Gjykatës Kushtetuese të shpallë si të papajtueshëm me Kushtetutën ligjin për procedurat e ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë, si dhe pezullimin e zbatimit të këtij ligji për shkak të papajtueshmërive kushtetuese, të cilat ne kemi dërguar sot në Gjykatën Kushtetuese, për t'i verifikuar, për t'i shpallur ato antikushtetuese”, - tha Balla dje për mediat menjëherë pasi depozitoi padinë në Gjykatën Kushtetuese.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›