Berisha: Shqipërinë e vizituan 277 mijë turistë më shumë se një vit më parë – u hapën 190 mijë vende të reja pune

Qeveria mban një minutë heshtje në nderim të Arbën Xhaferit
Qeveria e nisi mbledhjen e sotme me një minutë heshtje në kujtim të Arbën Xhaferit, i cili u nda dje nga jeta.
“Të nderojmë kujtimin e njërit prej politikanëve më të shquar të botës shqiptare, mendimtarit, personalitetit, liderit të urtë, të vendosur, të sprovuar, me një kontribut historik në promovimin mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni por dhe të shqiptarëve kudo në rajon”- u shpreh kryeministri Berisha, i cili shtoi se Arbën Xhaferi luftoi ditët e fundit në një betejë shumë të egër me një sëmundje të rëndë dhe nuk e fitoi dot këtë betejë, por lë një trashëgimi të shkëlqyer dhe një kontribut thelbësor.
“La mbrapa një vizion që do i frymëzojë shqiptarët si komb në rrugën e tyre të realizimit të idealeve më të larta njerëzore dhe kombëtare. Ndaj dhe për të ndarë zinë me familjen e tij bashkëpunëtorët e tij më të afërt, me anëtarët e partisë që udhëhoqi dhe themeloi, me shqiptarët e Maqedonisë dhe kudo që janë, le të nderojmë me një minutë heshtje kujtimin e tij”- nënvizoi Berisha.
Rritje e madhe e numrit të turistëve
Por kryefjala e mbledhjes së sotme të qeverisë, siç e cilësoi edhe vetë kryeministri ështe sezoni turistik. Ai e cilësoi turizmin e këtij viti si një nga arritjet më të ndjeshme , pasi u vërejt një rritje e numrit të turistëve të huaj, 277 mijë më shumë turistë të huaj gjatë 7 muajve të parë të vitit, të cilët fuqizuan më tej turizmin si degë kryesore e ekonomisë shqiptare dhe u krijuan në vend 190 mijë vende pune. “Turistët bënë që të fuqizohet më tej turizmin si degë kryesore e ekonomisë shqiptare. Bënë që vetëm nga kjo degë u krijuan në vend 190 mijë vende pune, një shifër rekord. Të gjithë ata të cilët që udhëtojnë nga Velipoja në Ksamil konstatojnë morinë e jashtëzakonshme të vendeve të punës që funksionojnë në këtë sektor. Nga Velipoja në Ksamil nuk ka patur një dyndje të tillë turistike”- vijoi Berisha.
Sipas tij dyndje të jashtëzakonshme ka njohur jugu, ndërsa qeveria ka bërë më shumë se asnjëherë për kushte më të mira në një kohë që këtë vit ka investuar 220 mln euro për turizmin.
“Mesazhe vijnë nga jugu me dy rrugët e bukura të inauguruara në një hark njëjavor, rrugë të cilat kanë transformuar një herë e përgjithmonë zonat e bukura turistike të vendit: autostrada Levan-Vlorë , dhurata më e bukur për 100 vjetor për Vlorën dhe autostrada Levan-Damës që ka shkurtuar në mënyrë të jashtëzakonshme distancën Gjirokastër-Tiranë.
U përurua terminali i ri i portit të Durrësit, u ndërtuan rrugët kryesore të trashëgimisë kulturore nga Finqi në Drisht”- theksoi shefi i qeverisë, ndërsa shtoi se investime janë bërë dhe po bëhen në të gjitha zonat malore nga maja e Çajupit deri në Bjeshkët e Namuna dhe në Valbonë, Shishtavec, Prespë, Voskopojë.
“Ka një hapje të potencialeve malore të vendit. Kontributi në ekonominë shqiptare është shumë i madh, qindra miliardë lekë, por mbi të gjitha kontributi në luftën kundër varfërisë është rezultati më i shkëlqyer i turizmit, pasi krahas qindra mijëra vendeve të punës që krijohen direkt në gjithë infrastrukturën e tij, ai përbën një avantazh të jashtëzakonshëm për prodhuesit shqiptarë, në rajonet turistike të vendit dhe krijojnë të ardhura zgjerojnë fermat, bëjnë investime dhe punësojnë”.
Berisha e vlerësoi turizmin edhe si një nga shtyllat që e mbrojti Shqipërinë nga kriza.
“Në qoftë se lexoni statistikat kriza ka prekur në një farë mënyrë intensitetin e trafikut ajror, por është shtuar në mënyrë thelbësore trafiku jugor. Ata që udhëtojnë në weekend në rrugët e Shqipërisë harrojnë se janë në këto rrugë. Autokolonat pafundmë, që hyjnë në vend nga pikat kufitare”- theksoi ai, ndërsa ai i bëri thirrje Ramës që të mos hedhë baltë mbi turizmin, pasi nuk i shërben askujt.
“Shfrytëzoj rastin t’i them zotit Rama se kasnecët e tij që hedhin baltë duke cituar qytete nuk i bëjnë nder PS-së dhe askujt. Sepse ato qytete administrohen nga qeveritarët vendorë, të cilët janë larg të qenit të përsosur, por nuk mund t’u mohohet shkalla e mobilizimit që tregojnë. Ata që sulmojnë Dakon për turizmin e Durrësit e kanë me ligësi. Unë nuk dua ta mbroj zotin Dako se më rreptë se unë nuk qëndron kush ndaj tij, por t’u biesh sirenave që ra numri i pushuesve në plazhe, ndërkohë që po t’u shtosh ata që pushojnë në Hamallaj e Gjirin e Lalzit, në Durrës, jo vetëm që nuk janë zvogëluar, por janë shtuar me 50-60%. Sigurisht që ky breg është për t’u zbuluar”- nënvizoi kryeministri.