Andrea Chenier, vjen premierë në skenën e operës
Opera, që tregon historinë tragjike të dashurisë mes poetit të famshëm Andrea Chenier dhe së dashurës se tij Maddalena di Coigny në kohën e Revolucionit Francez, do të vijnë si premierë ni skenën Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit nga data 4, 6, 8, 10 dhe 12 prill. Andrea Chenier, kryevepra e famshme e Umberto Giordano ka pjesëmarrës dhe shumë artistë të njohur italianë.
Kështu M° Vito Clemente do të drejtojë Orkestren Simfonike të Teatrit të Operës dhe Baletit, ndërsa regjia vjen nga Antonio Petris, ndërsa Alfredo Troisi do kujdeset për skenografinë. Sa i takon premierës, muzikanti nga Foxhia e kompozoi këtë opera, që zuri një hapësirë të pazëvendësueshme në historinë e melodramës, në një moment kyç e të lumtur të aktivitetit të tij artistik. I mrekulluar nga një histori franceze e shkruar nga Luigi Illica, Umberto Giordano përfundon operan në fillimin e vitit 1896 dhe e vë me një sukses të madh në skenën e teatrit La Scala të Milanos, më 28 mars të të njëjtit vit, me protagonist tenorin e njohur asokohe, Giuseppe Borgatti. Subjekti i muzikuar nga Giordano merr shtysë nga vitet e fundit të jetës së Andre Chenier, poet francez, vargjet e të cilit frymëzoheshin nga poezia klasike dhe ideali elenistik, që gjatë periudhës së terrorit u gijotinua pasi denoncoi me guxim shfrenimet e Revolucionit, megjithëse ndante të njëjtat parime dhe ideale. E gjithë opera rrotullohet mbi gjendjen shpirtërore dhe sjelljen e protagonistit kryesor, që në fakt, siç e ka dhënë autori, mund të konsiderohet jo Chenier, por Gerard. Te Carlo Gerard, spektatori lexon tronditjen e një shpirti të drejtë e të ndershëm, të errësuar nga dëshira për hakmarrje, i detyruar nga vetë kushtet e rënda që të jetë i pamëshirshëm meqenëse kërkon të arrijë qëllimet e tij. M° Vito Clemente, i diplomuar shkëlqyeshëm si dirigjent orkestre, muzike vokale dhome, pianoforte, vegla muzikore për banda, dirigjent kori dhe muzike corale, kompozim, është kualifikuar në Akademinë Chigiana dhe në Akademinë e Santa Sesilia. Ka studiuar me Roberto Duarte, Rino Marrone, Gustav Kuhn dhe Myung Ëhun Chung. Përveç se drejton Sezonin Lirik të Teatro della Fortuna të Fano-s dhe Orkestrën e Dhomës Tommaso Tratta, është drejtor i ftuar rregullisht si mik nga organizata si I.C.O. e Barit, I.C.O e Leces, Orkestra Rossigni, i Tokyo Chamber Opera Theaters Orchestra dhe ka inauguruar sezonet 2003, 2005 dhe 2006 të Teatrit Lirik Eksperimental të Spoletos. Gjithashtu dirigjenti italian ka kryer turne në Japoni, Argjentinë, Portugali, Rumani, Hungari, Brazil, Shtete të Bashkuara, Spanjë, Republika Çeke, Gjermani dhe bashkëpunime me solistë si Anna Caterina Antonacci, Pietro Ballo, Paata Burchuladze, Robert Cohen, Fiamma Izzo DAmico, Raina Kabavanska, Denis Mazzola Gavazzeni, Gloria Scalachi, Roberto Servile etj. Kjo kryevepër botërore premton të jetë suksesi i radhës në TKOB.