Triumfon Pranvera e Fitores, Rama mbetet i vetëm me mullinjtë e erës
“Aleanca për Qytetarin”, prezanton kandidatin Andrea Mano për bashkinë e Korçës, me platformën e shndërrimit të qytetit në një qendër të rëndësishme turistike dhe tregtare. Berisha: Jemi krenarë, se jemi mazhoranca e projekteve të realizuara
Në prani të kryeministrit Sali Berisha, Partia Demokratike dhe koalicioni i djathtë “Aleanca për Qytetarin”, çelën dje fushatën elektorale në Korçë, ku për bashkinë e qytetit juglindor kandidon Andrea Mano. Kreu i qeverisë Berisha prezantoi para mijëra të pranishmëve kandidatin Mano, duke premtuar se në 4 vitet që vijnë Korça do të njohë transformimet më të mëdha dhe qeveria do të mbështesë çdo projekt për Korçën evropiane, Korçën turistike, Korçën universitare, të biznesit, të mirëqenies. “Ky është objektivi i qeverisë në katër vitet që vijnë”, u shpreh kryeministri Berisha. “Jam sot këtu te ju, për t’ju përshëndetur përzemërsisht, por edhe për të paraqitur para jush kandidatin e ‘Aleancës për Qytetarin’ për Kryetar të Bashkisë së qytetit të Korçës, një nga bijtë më të shquar të këtij qyteti, Andrea Mano. Jam këtu për t’ju premtuar se në 4 vitet që vijnë qeveria shqiptare do të mbështesë çdo projekt që ju do të hartoni së bashku me Andrea Manon, për Korçën tuaj, Korçën evropiane, Korçën e kësaj dekade. Jam sot këtu për t’ju dhënë fjalën se në katër vitet që vijnë Korça do të njohë transformimet më të mëdha, Korça turistike, Korça universitare, Korça e biznesit, Korça e mirëqenies. Ky është objektivi ynë në katër vitet që vijnë”, theksoi kryeministri. Berisha tha se në 5 vite, në qarkun e Korçës janë investuar plot 150 milionë euro, të cilat janë shpenzuar për ndërtimin e 380 km rrugë. Me mandatimin e kandidatit Andrea Mano në 8 maj, Berisha premtoi kthimin e Korçës në qendër të rëndësishme turistike dhe nyje të zhvilluar tregu. “Unë vij sot krenar para jush gjithashtu krenar me arritjet tuaja. Në këto vite në Qarkun e Korçës janë ndërtuar 380 km rrugë dhe janë investuar 150 milionë euro, nga të cilat 140 km janë realizuar me grantet konkurruese të qeverisë, janë ndërtuar 45 km me Fondin Rural të Zhvillimit, janë ndërtuar 165 km rrugë kombëtare, investuar gjithsej 135 milionë. Rrugët e ndërtuara janë të shumta, por jam këtu për t’u angazhuar para jush se alternativa jonë është asfaltimi në këtë qytet, në këtë rreth, i çdo kilometri rrugë në të katër anët e saj. Jam këtu për t’u angazhuar para jush se, me Andrea Manon, do të rindërtojmë qendrën e Korçës, do ta shndërrojmë atë në një nga qendrat më tërheqëse turistike, në një nga nyjet më të zhvilluara të tregut, do ta shndërrojmë ashtu siç ishte; krenaria e Korçës dhe e korçarëve”, theksoi Berisha. Duke iu referuar projektit madhor të qeverisë për “Shqipërinë e distancave të shkurtra”, Berisha tha se falë investimeve të qeverisë si autostradat Qafë Plloçë-Qukës dhe Tiranë-Elbasan, brenda një kohe të shkurtër Tirana dhe Korça do afrohen me 50 për qind me njëra tjetrën. “Qeveria po investon në të gjitha drejtimet, në mënyrë që Korça dhe Tirana të afrohen së paku, në kohë, 50 për qind më shpejt dhe më afër njëra-tjetër. Me rrugët e reja që ndërtojmë; autostradën Tiranë Elbasan, autostradën Qukës- Qafë Plloç, ne shkurtojmë distancën Korçë-Tiranë, nga 185 km në 125 km. Por, po të keni parasysh cilësinë e rrugëve, distanca Korçë-Tiranë shkurtohet së paku me 60 për qind të kohës”, theksoi më tej, kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë foli dhe për objektivat e fushatës elektorale të mazhorancës, duke deklaruar se në qendër të koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, është qytetari, problemet, dertet, punësimi dhe zhvillimi i tij, e i qytetit ku banon. “Në Aleancën tonë për qytetarin ne kemi vendosur në epiqendër të përpjekjes sonë, të alternativës sonë, që të jetë qytetari, hallet, problemet, dertet, punësimi, zhvillimi dhe mirëqenia e tij. Ndaj dhe kjo fushatë është betejë për rrugë më të mira për ju, është betejë për parqe më të mira për ju, për punësim më të madh për ju, për shkolla më të mira për fëmijët tuaj, për tregje më të mira për ju, Kjo është beteja në të cilën ju, së bashku me qeveritarët tuaj vendorë të ardhshëm, do të hartoni qindra e mijëra projekte me të cilat ne do të ndërtojmë Korçën e Shqipërinë, vendi më i zhvilluar në 2017”, deklaroi kryeministri. Nisur nga raporti më i fundit i Komisionit Evropian, i cili e cilëson ekonominë shqiptare si ekonominë më solide në rajon dhe Evropë, kryeministri solli në vëmendje se kjo është meritë e reformave të qeverisë. “Këto ditë, Brukseli njoftoi se ekonomia shqiptare është e vetmja ekonomi që vrapon, është e vetmja ekonomi e cila ecën me shpejtësinë më të madhe dhe në kohën e krizës më të thellë. Kjo është merita juaj, të dashur qytetarë të Korçës e të mbarë Shqipërisë, është meritë e reformave që ju mbështetët, e reformave që ne ndërmorëm. Është ky vrap i ekonomisë shqiptare që bëri të mundur që ne, në një hark kohor të shkurtër, të asfaltojmë mijëra e mijëra kilometra rrugë, të ndërtojmë e rindërtojmë mbi 1200 shkolla, qindra e qindra qendra shëndetësore, qindra e qindra kanalizime e ujësjellës. Është kjo ekonomi që vrapon që bëri të mundur për qeverinë shqiptare të dyfishojë rrogat e mësuesve në katër vjet, të infermierëve dhe mjekëve, të dyfishojë pensionet e ulëta në fshat, është kjo ekonomi që vrapon, që bëri të mundur që qeveria t’ju subvencionojë fermerëve të Krocës mbi 1600 ha dru frutorë, dhjetëra magazina frigoriferë, të investojë me dhjetëra milionë euro në sistemin e vaditjes. Ata, së bashku me fermerët shqiptarë, vitin që kaloi dyfishuan eksportet”, tha në vijim, Berisha. Duke u ndalur te fushata pa ide e opozitës së kryesuar nga Partia Socialiste, Berisha theksoi se ajo është thjeshtë një “aleancë betoni”, interesash të ngushta personale dhe aspak në dobi apo kontribut të qytetarit dhe interesit të tij. “Krahas alternativës që përpiqet t’u japë përgjigjen më të mirë të gjitha problemeve tuaja individuale dhe komunitare, të zhvillojë komunat tona, qytetet tona, të krijojë vende të reja pune, të krijojë parqe e hapësira të gjelbra për qytetarët, të ruajë mjedisin, të asfaltojë rrugët, të ndërtojë shkolla, të fuqizojë tregun, ekziston një alternativë tjetër, një aleancë tjetër, ‘aleanca e betonit’. Ju duhet ta keni të qartë se me këtë material ndërtimi nuk kam asgjë, përveç se admirimit për kryeveprat që janë ndërtuar me të. Por, kur ky material përdoret për të zënë pëllëmbë për pëllëmbë e metër për metër hapësirat e qytetarëve, ai shndërrohet në një tiran të vërtetë të rrugëve e rrugicave të qyteteve tuaja. Kur ai mbisundon në rrugët, rrugicat e lagjet tuaja, nuk ka më të pamëshirë, nuk ka më shkatërrimtare për pronën e qytetarëve sesa ‘betoni dhe aleanca e tij’, nga e cila do të ndahemi në 8 maj. Ne zotohemi për zhvillim të qyteteve dhe komunave tona në përmasat e qytetarit, në interesat e qytetarit dhe për qytetarin”, tha Berisha. Kryeministri atakoi dhe profilin politik të Edi Ramës, duke shtuar se ka ardhur në këto zgjedhje me hijen e vjetër të rrugës së vetmisë dhe rrugës së asgjëkundit. Berisha tha se Rama po bën betejë politike, ndërsa mazhoranca është e interesuar për qytetarin, andaj, siç tha kryeministri, Edi Rama kësaj radhe do vazhdojë i vetëm luftën me “mullinjtë e erës”. “Zoti Rama ka risjellë në skenën politike shqiptare në këto zgjedhje, hijen e vjetër të rrugës së vetme dhe kërkon t’ju bindë, qytetarë të mençur të Korçës e mbarë Shqipërisë, se rruga e tij e vetme, rruga e tij pa kthim, rruga e tij e vetmisë qenka rruga juaj, rruga më e mirë. Le t’i themi këtu se secili prej nesh, burra dhe gra në këtë sallë, burra e gra të mbarë Shqipërisë, ka rrugën e vet dhe nuk ka nevojë për rrugën tënde dhe mos tento kurrë t’i marrësh tjetrit rrugën, sepse çdo njeri zgjedh rrugët që do. Ne të gjithë së bashku do të zgjedhim rrugën që përfaqëson interesat tona, punësimin, shkollimin, infrastrukturën, tregun, zhvillimin. Ai kërkon beteja politike. Unë do t’i them para jush: kësaj radhe vazhdoje vetëm luftën me ‘mullinjtë e erës’, sepse në këtë fushatë unë jam njëri prej jush, ndërsa ju, qytetarë të Korçës e të mbarë Shqipërisë, jeni ministra, kryeministra, presidentët e mi, që do të më udhëhiqni mua drejt fitores më të thellë. Do të vendosni Andrea Manon si qytetarin tuaj të parë. Do ta shndërrojmë këtë pranverë në pranverën e fitores së madhe”, deklaroi ndër të tjera kryeministri Sali Berisha. Ai shprehu zotimin e Qeverisë për zhvillim të qyteteve dhe komunave në përmasat e qytetarit, në interesat e qytetarit dhe për qytetarin. “Në këtë fushatë unë jam njëri prej jush, ndërsa ju, qytetarë të Korçës e të mbarë Shqipërisë, jeni ministra, kryeministra, presidentët e mi, që do të më udhëhiqni mua drejt fitores më të thellë. Do të vendosni Andrea Manon si qytetarin tuaj të parë, do ta shndërrojmë këtë pranverë në pranverën e fitores së madhe, përfundoi kryeministri, Sali Berisha.
...