Anduel Xhindi: Ky shtet tashmë është i kalbur. Skemi besim për gjetjen e vrasësve të babait
Asnjë pistë dhe asgjë e re për vrasjen e deputetit socialist, Fatmir Xhindi. Edhe pse kanë kaluar dy vjet nga ekzekutimi i tij familjarët shprehen të zhgënjyer nga paaftësia e shtetit për të dhënë qoftë edhe një minimum informacioni për pistat dhe zbardhjen e ngjarjes. Në një intervistë për Shqip, djali i deputetit të vrarë, Anduel Xhindi përcjell humbjen e besimit te strukturat e shtetit shqiptar, i cili thjesht e ka ngrirë dosjen e ish-deputetit socialist vetëm në konstatimin e faktit fillestar. Sa i përket hetimit të çështjes, vetë familjarët mbeten të hapur dhe në pritje të zbardhjes, kurdoqoftë koha e saj, pa harruar të japin të vetmin vlerësim për median shqiptare që e risjell në vëmendje çështjen për të cilën politika në përgjithësi mban heshtje.
U mbushën më shumë se dy vjet pa njeriun tuaj të dashur. Si ndiheni?
Ndihemi të pikëlluar dhe të brengosur njësoj si në ditën e parë që ai u vra në pragun e shtëpisë. Përveç dhimbjes që nuk e kemi fizikisht në gjirin e familjes, kjo dhimbje shumëfishohet edhe për shkak se deri tani nuk kemi mësuar se cila ishte dora e zezë që i mori jetën babait tonë. Në këta dy vjet ju si familje keni kontaktuar me shumë personalitete të larta vendore që nga Presidenti e me radhë.
Çfarë ju kanë premtuar?
Që nga Presidenti dhe në prononcimet publike të Kryeministrit Berisha, Kryetares së Parlamentit, ministrave të Brendshëm me radhë, Prokurores së Përgjithshme asgjë nuk kemi mësuar, çka do të thotë se ky shtet nuk ka interes që të zbardhë vrasjen e babait tonë, çka e shton më shumë misterin e kësaj vrasjeje. Ne si familje e kemi humbur besimin totalisht te të gjitha strukturat e shtetit, pavarësisht premtimeve të tyre boshe. E kemi humbur besimin, sepse dy vjet nuk janë pak për të arritur qoftë edhe në një pistë të mundshme dhe pastaj tek autorët. Ky shtet dhe të gjitha strukturat për ne si familje nuk janë serioze, madje, do të thosha të kalbura në thelbin e tyre.
Cili është apeli juaj për strukturat e shtetit?
Për vrasjen e babait tonë nuk ka vend apeli në këtë shtet. Ne si familje të Fatmir Xhindit nuk e humbim besimin në të ardhmen dhe bëjmë premtimin solemn se do të vijë një ditë që kjo vrasje do të zbardhet dhe autorët do të marrin dënimin e merituar. Ne shpresojmë në fuqizimin e shtetit, të strukturave të tij për të arritur tek autorët apo autorin e vërtetë të kësaj vrasjeje makabre, e cila për ne si familjar dhe jo vetëm për ne nuk ka asnjë motiv përveçse motivit të pastër politik. Me këtë rast, ne si familje duam të falënderojmë të gjithë përfaqësuesit e mediave, që kanë pasqyruar kohë pas kohe gjithë këtë ngjarje të rëndë, e cila mbetet edhe sot e kësaj dite mister për strukturat shtetërore.
Shqip