E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anelka ndëshkon Irlandën, Franca një hap larg Botërorit

Një sukses i merituar i skuadrës së Domenek, që, megjithatë, sipas mënyrës si po shkonin gjërat, mund të mbetej e kënaqur edhe me një barazim pa gola, për t’ia lënë gjithçka ndeshjes së kthimit. Por goli i Anelkas në minutën e 72-të (gjuajtje e devijuar nga një mbrojtës), bën që “Gjelat” të jenë me një këmbë në Botëror.

Pas golit, miqtë patën edhe një rast tjetër të pastër për të dyfishuar me Ginjac, por bomberi i Tuluzës nuk u tregua i saktë para portës së boshatisur, duke e dërguar topin jashtë kuadratit të Given. Kështu, pas katër fitoresh dhe pesë barazimesh në fazën e grupeve, për Irlandën e Trapatonit tani bëhet gjithçka e vështirë.

Të mërkurën në “Stade de France” do të luhet sfida e kthimit, e cila do të përcaktojë kombëtaren që do të marrë pjesë në fazën finale të Kupës së Botës në Afrikën e Jugut qershorin e ardhshëm. Në stadium do të jetë i pranishëm edhe presidenti francez, Nikolas Sarkozi, që në profilin e vet në facebook para ndeshjes së djeshme, kishte shkruar: “Na bëni të ëndërrojmë!”.

Irlandë 0 – 1 Francë (Anelka 72’)

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›