E Shtunë, 31 Tetor 2026

Senati i UT, miraton rregulloren e re

Nuk ka më provime formimi. Studentët do të diplomohen me punime shkencore ose tema diplome


Rregullorja: Në një vit, tre përmirësime note. Para diplomës, katër përmirësime nga gjithë programi


Senati i Universitetit të Tiranës miratoi dje rregulloren e re të universitetit më të madh në vend. Nga njëra anë studentët e konsideruan këtë rregullore si një revolucion, për sa u përket të drejtave të tyre, por nga ana tjetër pohojnë se ka ende shumë mangësi. Edhe pse ky senat miratoi një pjesë të madhe të kërkesave të paraqitura nga studentët, nëpërmjet përfaqësisë së tyre në Këshillin Kombëtar Studentor, përsëri ngelën pika ku nuk u ra dakord.


Kështu kërkesa e studentëve për praninë e një studenti gjatë procesit të rivlerësimit të tezave të provimit nuk u miratua nga senati. Por, ajo që iu ofrua studentëve ishte krijimi i një komisioni, i cili do të merret posaçërisht me kërkesat e studentëve.


Risitë


Kjo rregullore përbën një risi për të gjithë ata që aktualisht studiojnë në fakultetet e universitetit të Tiranës, por edhe për ata që do të vijnë gjatë brezave të ardhshëm. Ndryshimi i parë ka të bëjë me procesin e diplomimit.


Një propozim tek i cili kanë këmbëngulur më së shumti studentët e fakultetit të Mjekësisë, por që tashmë do të aplikohet në të gjitha degët. Senati ka miratuar propozimin e studentëve që diplomimi të mos kryhet më nëpërmjet provimeve të formimit, por nëpërmjet një teme diplome.


Në këtë mënyrë nuk do të ketë më provime në fund të programit mësimor që do të testojnë studentët për njohuritë e marra gjatë gjithë kohës së studimeve, por punime të mirëfillta diplome. Sipas kreut të Këshillit Kombëtar Studentor, Qamil Dika, specifikat e diplomës do të jetë në dorë të fakulteteve, pasi në varësi të profilit të degës fakulteti vendos nëse diplomimi do të realizohet nëpërmjet një punimi shkencor, një eseje apo me ndonjë formë tjetër.


Më parë, fakultetet e Universitetit të Tiranës, ofronin dy modele diplomimi: nëpërmjet provimeve të formimit ose një punimi diplome. Të drejtën për të kryer një punim diplome e kishin vetëm ata studentë, të cilët gjatë viteve të universitetit kishin arritur një mesatare të lartë, të tjerëve u duhej t'u nënshtroheshin provimeve.


Përmirësimi i lëndëve


Ndryshime ka edhe në numrin e lëndëve që një student mund të përmirësojë. Më parë për të fituar të drejtën e përmirësimit të një notë, duhet të kishe shlyer të gjitha detyrimet e vitit akademik, që do të thotë se një student i cili kishte të paktën një provim të ngelur, nuk kishte të drejtën të përmirësonte asnjë notë. Në rregulloren e re është vendosur që brenda një viti akademik studenti ka të drejtë të përmirësojë notat e tri lëndëve, edhe në rast se ka provime të pa marra.


Ndërsa, për ata që aktualisht ndjekin studimet në vitin e fundit, është marrë një tjetër vendim. Për herë të parë në historinë e universiteteve shqiptare, studentët e vitit të fundit kanë mundësinë të përmirësojnë notat e katër lëndëve që kanë frekuentuar gjatë gjithë viteve të programit të studimeve.


Të gjithë ata studentë të cilët ndjekin vitin e fundit dhe duan të diplomohen me një mesatare me të lartë se sa ajo që kanë aktualisht, në fund të vitit akademik kanë të drejtë të rijapin katër provime, të cilat mund t'i kenë shlyer gjatë vitit të parë, të dytë apo të tretë të studimeve, por që nuk kanë marrë notën e dëshiruar.


Ndryshimet në rregulloren e re


1. Studentët kanë të drejtë të përmirësojnë notat e tri lëndëve brenda një viti akademik, edhe nëse nuk kanë shlyer të gjitha detyrimet.
2. Gjatë vitit të fundit të programit të shkollimit një student ka të drejtë të përmirësojë notat e katër lëndëve. Këto lëndë mund të jenë shlyer në vitet e mëparshme, por studentët e pakënaqur nga vlerësimi kanë të drejtë të rijapin sërish provimin.
3. Diplomimi në të gjitha fakultetet do të realizohet nëpërmjet një punimi diplome. Në këtë mënyrë janë hequr përfundimisht nga praktika universitare provimet e formimit.
4. Për ankesat e studentëve kundrejt procesit të rivlerësimit të provimeve, do të ngrihet një komision i vçantë. Senati hodhi poshtë kërkesën e studentëve për të marrë pjesë në procesin e rivlerësimit të provimit.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›