E Diel, 1 Nëntor 2026

Anëtarësia e PS: Kontestimet e Edvinit, një njollë për të gjithë ne

13 komisionarë socialistë të Beratit, me një letër të hapur, akuzojnë Edvinin se po e përdor anëtarësinë, si një masë kamikaze që synon destabilizimin e vendit, për interesat personale të trustit personal që përfaqëson kryetari i ndërprerë i PS-së si dhe kryebashkiaku ende në detyrë i kryeqytetit

TIRANE – Komisionerët e Partisë Socialiste në Qarkun e Beratit akuzojnë selinë rozë për sulmet të drejtuara në adresë të tyre në lidhje me procesin e administrimit të votës në zgjedhjet e 28 qershorit. Në një deklaratë për shtyp, 13 komisionerë të kësaj partie, i bëjnë thirrje shefit të shtabit elektoral të PS në Berat, Erjon Braçe që të ndalë sulmet, shpifjet dhe kërcënimet ndaj punës së tyre. Gjithashtu në deklaratën e tyre ata i kërkojnë kryesisë së Partisë Socialiste dhe degës së saj në Berat që të analizojë deklaratat e papërgjegjshme siç i cilësojnë ata prononcimet e Erjon Braçes, duke u shprehur të gatshëm për t’u ballafaquar në çdo kohë e kudo, për të vërtetën e votës më 28 qershor.
Në qëndrimin e tyre të shprehur në deklaratën e shpërndarë për mediat, 13 komisionerët e selisë rozë me përgjegjësi të plotë ligjore e politike, deklarojnë se kanë zbatuar Kodin Zgjedhor duke mos lejuar asnjë deformim të vullnetit të popullit të Beratit. Ndërsa në lidhje me atë që ata e konsiderojnë si zhurmë të Erjon Braçes për votat e pavlefshme në deklaratën për shtyp ata sqarojnë anëtarësinë dhe simpatizantët e PS, si dhe mbarë opinionin publik se votat e pavlefshme në këtë qark zënë 3.4 për qind ose 765 vota ndaj totalit të votave të vlefshme, që sipas tyre janë 21. 996 ose 1 për qind më pak se votat e pavlefshme të vitit 2007.
Gjithashtu ata sqarojnë se nga 55 qendra votimi të zonës zgjedhore nr. 1, 45 prej tyre i ka fituar PS me diferencë të ndjeshme, 30-60 për qind, 8 qendra i ka fituar PD dhe 2 qendra votimi të tjera janë ndarë me diferencë 1 deri në 2 vota midis dy partive të mëdha.
Përballë këtij rezultati, sqarohet në deklaratën për mediat, 13 komisionerët theksojnë se askush, qoftë ky dhe deputet nuk kanë të drejtë morale politike e më tepër ligjore të akuzojë komisionerët e PS-së si manipulues të votës së 28 qershorit.
Më tej ata shtojnë se me përkushtim maksimal dhe profesionalizëm të lartë arritën të mbyllin një proces elektoral të konfirmuar pozitivisht nga komuniteti, vëzhguesit e OSBE-ODIHR dhe subjektet e tjera politike.
Ndaj shqetësimi i tyre i drejtohet kryesisë së PS-së që të marrë sa më parë në analizë deklaratat e papërgjegjshme, siç i cilësojnë ata prononcimet e deputetit të Qarkut të Beratit Erion Braçe.

Anëtarja e kryesisë, Eva Allushi: “Edi Rama, mentalitet dështaku, e ka çuar PS-në në një moment gremine”

TIRANE - Zërat kritikë ndaj Edi Ramës, që prej ditësh të tëra, bëjnë thirrje për largimin e tij nga PS, argumentojnë se qëndrimi i tyre vjen si rrjedhojë e mentalitetit prej dështaku që karakterizon kryetarin pa mandat dhe rrënimin që ai i ka faturuar Partisë Socialiste, gjatë këtyre viteve. Anëtarja e kryesisë së selisë rozë, Eva Allushi, në kuadër të intensifikimi të zërit kritik ndaj Edi Ramës, deklaroi se Partia Socialiste ndodhet në momente dramatike dhe pranë një kolapsi politik dhe kjo e sponsorizuar nga Edi Rama.
Duke komentuar situatën e fundit politike në selinë rozë, Allushi theksoi se PS po shkon drejt një rrënimi, ndërsa dështimi në zgjedhje ishte i pritshëm dhe erdhi si pasojë e politikës së gabuar që ndoqi Edi Rama, duke shmangur faktorët politikë brenda kampit të majtë.
“Partia Socialiste ndodhet në një moment dramatik të saj. Duhet të ishte ajo që të dirigjonte procesin dhe të bashkëpunonte me LSI-në. Mirëpo për mosbashkëpunimin e fajin e ka PS-ja si parti e madhe dhe Edi Rama që ndoqi një politikë të tillë, që eliminimit të faktorëve brenda kampit”, u shpreh Allushi.
Për sa i takon një rikandidimi të Edvinit për kreun e PS-së Allushi u shpreh se ai do të dijë të mos mbetet peng dhe të zvarritet neneve të statutit. “Të majtës i duhet një vision, një projekt dhe lider i ri”, tha ajo.
Ndërsa, lidhur me një rikthim të Fatos Nanos në PS, Allushi u përgjigj se “Nano është pjesë e PS-së me kontributet e tij, por sot PS-ja ka arritur potencialet që mund ta marrin në dorë fatin e së majtës që ta çojnë drejt fitores”.

Flet edhe Ylli Bufi: “Rama nuk ka mandat si kryetar i PS-së, të mos rikandidojë se është humbës”

TIRANE - Një prej figurave më të njohura të PS-së dhe të skenës politike shqiptare, ish-kryeministri, nënkryetari i kuvendit Ylli Bufi, deklaron se Edi Rama, nuk ka më mandat që të flasë si kryetar i PS-së dhe se nuk duhet të rikandidojë në zgjedhjet, për kreun e ri të PS-së, për faktin se është konfirmuar tashmë me mentalitet humbësi.
Gjatë një interviste televizive, Bufi u shpreh se Edi Ramës i është ndërprerë mandati si kryetar i partisë në asamblenë e zhvilluar ditën e martë.
Sipas Bufit pavarësisht interpretimeve, statuti i partisë është i qartë dhe zbatim të këtij dokumenti Edi Rama nuk është më kryetar partie por vetëm ushtron kompetencat e kryetarit.
Duke iu referuar kësaj pike të statutit Ylli Bufi ka sulmuar vendimin e asamblesë kombëtare, e cila sipas tij duhet të njoftonte ndërprerjen e mandatit të kryetarit dhe të thërriste kongresin për hapjen e garës për postin e kryetarit.
Një nga figurat më të njohura të PS-së ka deklaruar se Edi Rama nuk duhet të rikandidojë pasi për sa kohë që në 28 qershor humbi filozofia e tij politike, moralisht atij i mohohet e drejta për të kërkuar të jetë lideri i socialistëve.
“Edi Rama moralisht nuk duhet të rikandidojë sepse dështoi filozofia e tij”, theksoi Bufi.
Ylli Bufi është një prej figurave më të njohura të PS-së. Përveç se ka qenë deputet për shumë legjislatura, ai ka qenë kryeministër në qeverinë e stabilitetit në vitin 91, ka qenë ministër ndërkohë që sot mban postin e nënkryetarit të kuvendit.
Ylli Bufi u la jashtë listave të PS-së të kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 28 qershorit dhe tashmë është renditur përkrah socialistëve që kërkojnë të pranohet humbja në zgjedhje, të analizohet kjo situatë dhe sigurisht të shporret Edvini nga PS-ja, pasi është faktuar tashmë si ndjellës i humbjeve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›