Shkupi zyrtar: “Maqedonia nuk do të vendosë regjim vizash me Shqipërinë”
Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Abdylaqim Ademi i konfirmon qëndrimin Ambasadorit shqiptar në Shkup, Arben Çejku
TIRANE – Maqedonia ka mohuar zyrtarisht se do të vendosë regjim vizash me Shqipërinë, pas liberalizimit që ajo do të përfitojë vetë, gjatë vitit të ardhshëm.
Këtë qëndrim zyrtar e ka shprehur në emër të qeverisë së Maqedonisë, zëvendëskryeministri Abdilaqim Ademi, në një takim që ai zhvilloi me Ambasadorin e Shqipërisë në Maqedoni, Arben Çejku.
Në përfundim të takimit, Ademi dhe Çejku hodhën poshtë zërat se pas 1 janarit të vitit të ardhshëm Maqedonia do të aplikojë viza për shtetasit shqiptarë, për shkak të liberalizimit të vizave me BE-në. “Ne kemi një marrëveshje aktuale të heqjes së vizave midis dy vendeve tona e cila është në fuqi dhe ajo nuk preket nga liberalizimi i vizave që ka përfituar Maqedonia, për më tepër që dy vendet tona kanë një stacion të përbashkët, Bashkimin Evropian”, tha Ambasadori Çejku.
Sipas tij, Shqipëria shumë shpejt do të përfitojë liberalizimin e vizave në muajt në vazhdim. “Se qeveria Shqiptare dhe Kryeministri Berisha kanë thënë një premtim, do të bëjnë që liberalizimin e vizave të bëhen në vitin e parë të qeverisjes së tyre në këtë mandat të dytë, kjo do të bëhet realitet dhe duke pasur parasysh edhe reagimet e ndërkombëtarëve”, tha Ambasadori Çejku.
Një vendim të tillë e ka konfirmuar edhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë Abdilaqim Ademi, i cili ka sqaruar se edhe për Kosovën dhe vendet e tjera të rajonit, nuk do të ketë rikthim të regjimit të vizave për në Maqedoni. “Pas 1 janarit të vitit të ardhshëm Maqedonia nuk do të verë regjim për viza për shtetasit Shqiptarë, as për Kosovën, Bosnjen etj, për shkak të liberalizimit të vizave me BE-në,” shprehet zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Abdilaqim Ademi.
Në këtë takim zëvendëskryeministri Ademi i ka përgëzuar ambasadorin Çejku për procesin zgjedhor në Shqipëri dhe për koalicionin e ri qeveritar.
Ambasadorin Çejku ka theksuar angazhimin e kryeministrit Berisha për të vazhduar rrugën që lidh Tiranën me Dibrën si për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës.
“Kishim premtuar që rruga Durrës-Kukës do të mbarojë me të njëjtin intensitet që do të behët rruga që lidh Tiranën me Dibrën do të mbarojë brenda afateve të cilat i kemi përcaktuar.” shprehte Çejku .
Në takimin e ambasadori shqiptar Arben Çejku me zëvendëskryeministrin Abdilaqim Ademi kanë biseduar dhe për marrëveshjen e Ohrit me Maqedoninë për bashkëpunimin mes dy vendeve.