Bashkimi i Dhomave të Tregtisë: “Qytetërimi evropian, rezultat i progresit mbi 2 mijëvjeçar, që i ka fillimet në Ballkan”
TIRANE - Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë kanë përshëndetur deklarata e ministrit të jashtëm austriak, Dr. Michael Spindeleger.
Deklaratën e Spindeleger se “çelja e negociatave mbi kërkesën e Islandës për t’u anëtarësuar në BE duhet të përfshije detyrimisht dhe kërkesën e Kroacisë dhe Shqipërisë”, e kanë përshëndetur si “këmbëngulje për të zgjuar ato vullnete evropiane që i kanë munguar vendeve të Ballkanit Perëndimor”.
Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë kujton se, “qytetërimi i sotëm evropian është rezultat i progresit mbi 2 mijë vjeçar të kontinentit tonë që i ka fillimet në Ballkan. Integrimi i vonuar i rajonit tonë, nuk është vetëm produkt ballkanik”.
Më tej theksojnë se dyshpejtësia e integrimit të vendeve të Ballkanit në BE, ka krijuar një situate më konfuze për komunikimin midis vete vendeve të Ballkanit se ajo e para viteve 90.
Gjithashtu Bizneset shqiptare shprehen se pavarësisht kësaj, dinamika e zhvillimit politiko ekonomik në vendet e rajonit vitet e fundit ka qenë impresionuese, çka është e konfirmuar edhe nga të gjitha institucionet evropiane.
“Nëse kolapsi i financiar i një vendi diku tjetër, përben arsye për anëtarësim, nuk kuptohet përse nuk përben arsye rritja e qëndrueshme ekonomike e Shqipërisë, edhe në 2009; ndërsa niveli i kriminalitetit në Shqipëri është më i ulët se mesatarja e vendeve te BE-se”, thuhet më tej në deklaratën e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë.
Sipas të dhënave të Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, mësohet se, janë kompanitë private shqiptare ato që kontribuojnë në afro 95 për qind të GDP-së duke realizuar në të njëjtën kohë 70 për qind e shkëmbimeve tregtare me vendet e BE-së.
“Përvetësimi i ekonomisë se tregut dhe integrimi evropian nga ana e biznesit shqiptar në nivelin e shifrave të mësipërme, duhet të certifikohet edhe me një kontratë më të avancuar politike dhe juridike lidhjen e Shqipërisë me Evropën”, përfundon deklarata e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë.