E Diel, 1 Nëntor 2026

Turizmi bardh’ e zi, një aktivitet i fortë joshqiptar

Turizmi në Shqipëri duket më ndryshe, sado që ende nuk është larguar krejtësisht nga kaosi. Mirëpo, prezantimi i tij vetëm përmes pikave të zeza, aksidenteve dhe sjelljeve huligane, duke mbyllur sytë karshi zhvillimeve të ngjashme në vendet e tjera konkurrente, duket sikur po bëhet me qëllim të frikësimit të turistëve

Jo shumë kohë më parë, Golemi ishte një pushimore me kasolle, kurse në vend të dushit e vaskës duhej përdorur format më klasike për pastrim: kazanin dhe lekën. Pak më vonë, simbol i të arriturave ishte kompleksi “Mak Albania”, ndërsa “Adriatiku” ende ishte antikitet. Zhvillimi i turizmit në Shqipëri u bë shumë shpejt, me mjaft përplasje të brendshme dhe duke mos respektuar shumë rregulla, të cilat më vonë do të bëhen pengesë së pari për ata që duan të përfitojnë nga kjo degë.

Sot Shqipëria ka kapacitete akomoduese të cilat për nga numri as që mund të krahasohen me pak vjet më herët. Fatkeqësisht, këtë nuk e dinë as autoritet shtetërore, të cilat duhet ta vjelin tatimin, apo të bëjnë kategorizimin dhe licencimin e secilit objekt. Ka më shumë rend, disiplinë, respekt ndaj turistëve dhe shërbime publike më cilësore. Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se në gjashtëmujorin e parë të vitit në Shqipëri kanë hyrë rreth 951 mijë vizitorë, mbi 80 për qind e të cilëve për destinacion kishin turizmin. Krahasuar me një vit me parë, numri i vizitorëve është rritur 10 për qind. Shifrat tregojnë se edhe të ardhurat nga turizmi janë në rritje. Në vitin 2007 ato ishin rreth një miliardë euro, një vit më vonë kjo shifër u rrit edhe për 170 milionë euro, ndërsa për katër muajt e parë të vitit 2009 turistët shpenzuan rreth 212 milionë euro.

Sigurisht se në fund të këtij korriku gjendja është krejtësisht tjetër. Ka shumë turistë që janë të disponuar që vetëm të shpenzojnë. Madje, hidhërohen pse pas mesnatës mbyllen lokalet, nuk ka muzikë live dhe vende për ta pritur mëngjesin duke vallëzuar, apo me gotë në dorë. Ata duan pushim dhe argëtim. Nuk iu bënë shumë përshtypje të keqe pse në kohën e pikut të ditës për të arritur nga Mali i Robit deri te Rrota e Kuqe iu duhen së paku dy orë; pse në rrugët e Durrësit, pikërisht te Plazhi i Qytetit, nuk ka trotuare, apo aty mund të kalohet vetëm në kolonë një nga një; pluhuri i madh që ngritet nga makinat të cilat vazhdojnë punën gjatë ditës, shpërndarjen e të cilit gjatë orëve të pasdites, apo të mbrëmjes, e vazhdojnë makinat e shumta; taksistët-furgonat që për ta kapur një myshteri më shumë fare nuk i respektojnë rregullat e trafikut... Madje, nëse hetojnë se nuk je shumë i familjarizuar me zhvillimet në këtë anë “t’rruajnë në t’thatë”.

Janë këto vetëm disa cikërrima të cilat mund të tejkalohen lehtë. Posaçërisht nëse merret parasysh hovi me të cilin po zhvillohet kjo degë, shuma e parave private që u futën aty, por edhe ndryshimi që u bë në qasjen ndaj turistit. Ai trajtohet si burim i të ardhurave, e jo si një kosovar i mjerë.

Zhvillimet dhe ndryshimet pozitive janë shumë të mëdha. Ato mund të shihen dhe të preken. Por, ka edhe shumëçka për të bërë. Edhe në të ardhmen, Durrësi dhe të gjitha komplekset deri në Kavajë do ta absorbojnë numrin më të madh të turistëve. Ajo zonë nuk ka mundësi të ndryshojë shumë, mbetet vetëm për turizëm kolektiv, ku oferta është standarde. Ndërkaq, shansin për turizëm elitar vazhdon ta ketë rripi bregdetar nga Dhërmiu deri në Sarandë, apo si quhet ndryshe - Perla e Shqipërisë. Nganjëherë krijohet përshtypja se dikush qëllimisht nuk i vërenë këto ndryshime. Për kohë të gjatë mbahen në mend vetëm lajmet për plaçkitjen e armatosur dhe plagosjen e një kosovareje që udhëtonte për pushime, për një pijanec që kishte terrorizuar (!?) turistët, për policinë që ka torturuar një kamionxhi, për plaçkitjen e një shtetaseje holandeze, apo të një gjermani në pikë të natës në Tiranë, për dy italianët që kishin hyrë të drekonin në një restorant në Vlorë, por kishin mbetur pa motoçikletat e tyre, apo për kosovarët të cilëve me dhunë iu ishin marrë paratë dhe celularët derisa shëtisnin buzë detit... Të gjitha këto janë të vërteta. Janë ngjarje kriminale për të cilat duhet të brengoset Qeveria shqiptare, pasi që përmes këtyre lajmeve turistëve vlerësojnë se sa do të jenë të sigurt po qe se duan të pushojnë në Shqipëri. Megjithatë, krahasuar me numrin e madh të pushuesve, problemet e kësaj natyre janë të pakta. Madje, edhe nëse ato vihen në raport me gjendjen e para pak viteve. Por, janë ngjarje që nuk harrohen lehtë. Ndoshta ata që kanë qenë viktima të drejtpërdrejta më kurrë nuk do ta vizitojnë Shqipërinë, kurse dikush tjetër merr leksion nga këto pësime. Fatmirësisht, këto janë raste individuale dhe nuk mund të bëhet fjalë për një formë të organizuar me qëllim të trembjes së kosovarëve, pa të cilët turizmi në Shqipëri nuk do të qarkullonte miliarda euro.

Paksa është shqetësuese fshehja e lajmeve për përjetimet aspak të këndshme të kosovarëve gjatë rrugëtimit nëpër Mal të Zi. Në të dalë të Podgoricës ka ndodhur që t’iu thyhen xhamat autobusëve përplot me turistë nga Kosova, apo për tentimin e disa personave që të futen në autobus me qëllim të plaçkitjes së atyre që kishin mësyrë Ulqinin. Krijohet përshtypja se qasjet e ndryshme ndaj përjetimeve të turistëve dhe zhvillimeve në turizëm, sikur burojnë nga lufta për numër sa më të madh të vizitorëve. Për një konkurrencë të ndotur. Apo, që turistët të frikësohen nga Shqipëria dhe “rebelët shqiptarë”. Që gjithmonë në kujtesën e tyre të mbahet e freskët kujtesa për bandat dhe për tmerrin që mund të haset vetëm në këtë vend. Është shumë e qartë se zhvillimi i turizmit në Shqipëri nuk i le rehat shumë vende të rajonit, të cilat kurrë nuk kanë llogaritur se mund të kenë edhe një konkurrent më shumë. Mirëpo, është edhe e vërteta tjetër – Shqipërisë i duhet shumë punë e mund që të hyjë në listën e vendeve që gjithsesi duhet të vizitohen. Autoritet e saja duhet ta kenë të qartë se pa marrë parasysh zhvillimet e ardhme, pjesa më e madhe e kosovarëve sërish do të pushojnë në një pikë, diku mes Velipojës e Ksamilit. Por, Shqipëria duhet të bëhet atraktive edhe për shtetas të tjerë, të cilët mund të kenë xhepa më të thellë. Që të arrihet kjo, në rend të parë siguria duhet të jetë në nivel shumë më të lartë, të ketë shërbime publike më funksionale, të ketë lidhje shumë më të mira tokësore me vendet që e rrethojnë si dhe sinjalizim të rrugëve.

Se çfarë ndihmese e madhe janë rrugët, ilustrimi më i mirë është futja e pjesshme në qarkullim e autostradës Durrës–Morinë. Ajo pa dyshim se do të shfrytëzohej edhe nga operatorët që bartin turistë kosovarë për në Ulqin, po të mos ishte problem një urë afër Shkodrës.

Turizmit nuk i japin domethënie vetëm hotelet e godinat shumëkatëshe në bregdet, por edhe cikërrimat. Shqipëria tash duhet të merret më shumë me këto cikërrima.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›