E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anëtarësimi i Serbisë në BE, Rompuy: Hapen negociatat

BRUKSEL - Liderët e BE-së kanë vendosur hapjen e negociatave të anëtarësimit me Serbinë. Lajmi konfirmohet nga vetë presidenti i BE-së Herman Van Rompuy, i cili dha lajmin përmes rrjetit social ‘Twitter’. Vendimi për Serbinë është marrë në ditën e dytë të samitit të krerëve të Unionit në Bruksel, ku Serbia ishte në krye të axhendës së bisedimeve të mesditës. 

Vendimi vjen pas rekomandimit të bërë nga Këshilli i Ministrave të BE-së, që u mbajt në fillim të kësaj jave në Luksemburg.

Konkluzionet u miratuan në mënyrë unanime nga ministrat e jashtëm të BE-së të martën dhe tashmë kanë marrë konfirmimin e krerëve të shteteve apo qeverivë. Sipas rekomandimit negociatat për anëtarësim duhet të nisin jo më vonë se dhjetori 2013 ose janari 2014.

Në konkluzione thuhet se liderët e BE-se konfirmojnë që negociatat për anëtarësim mund të nisin nga janari nëse deri atëherë marrëveshjet e Brukselit do të jenë implementuar plotësisht dhe nëse është arritur progres për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. 

Vetëm një ditë më parë, parlamenti federal gjerman miratoi një deklaratë me qendrimin se konferenca e anëtarësimit mes Serbisë dhe BE-së në janar të 2014-ës do të mbahet vetëm pasi liderët e BE-së të konfirmojnë implementimin e plotë dhe të përhershëm të detyrimeve nga ana e Beogradit, sa i përket marrëveshjeve të nënshkruara me Prishtinën.
(m.a/e.rusi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›