E Diel, 1 Nëntor 2026

“Anëtarësimi në NATO, ngjarja më e madhe historike”

Presidenti i Republikës, Bamir Topi

Presidenti Bamir Topi përshëndeti dje 1-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, duke e konsideruar si ngjarjen më të madhe në historinë e vendit.
Kreu i Shtetit shpreh mirënjohjen për të gjitha vendet anëtare të Aleancës, që besuan në angazhimin dhe vendosmërinë e vendit tonë për të lënë përfundimisht mbrapa të kaluarën historike dhe për të ndërtuar të ardhmen e përbashkët të kombeve të lira të botës së qytetëruar.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha vendet e tjera, mike dhe aleate, diskutojmë me ne sot çështje të rëndësishme të karakterit global. Ata ndajnë me ne përgjegjësi të karakterit rajonal dhe të sigurisë nga pikëpamja politike dhe ushtarake, formulojnë së bashku me ne qëndrime për të ndërtuar strategjitë e sigurisë për të sotmen dhe të ardhmen e Aleancës”, thuhet në komunikatën për shtyp të shpërndarë nga Presidenca.
Më tej, Presidenti i Republikës, vlerëson se “Forcat tona të Armatosura, së bashku me trupat e tjera të Aleancës, po përballojnë me kurajë dhe profesionalizëm një nga sfidat më të mëdha të NATO-s për të vendosur paqen, sigurinë dhe rendin demokratik në Afganistan”.
“Falënderoj gjithë popullin shqiptar që nuk humbi shpresën, por luftoi me diktaturën për të prekur lirinë. Falënderoj të gjithë ata që patën frymëzim demokracinë, sot është dita për t’u përulur ndaj kujtimit të atyre që luftuan dhe dhanë jetën që kombi shqiptar të jetojë ëndrrën e vet”, deklaron më tej, kreu i shtetit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›