E Diel, 1 Nëntor 2026

Bregu: Të përgatitur që të marrim statusin kandidat në BE, brenda vjeshtës së 2010-s

Përkthimi i vetëm i bojkotit të opozitës, tendencë për të bllokuar procesin e integrimit të Shqipërisë


Ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu flet në një intervistë televizive për emisionin “Log” në TVSH. Ministrja sqaron procedurat zyrtare lidhur me Pyetësorin e Bashkimit Evropian, hapat e mëtejshëm, procedurat teknike dhe një datë të përafërt të hapjes së negociatave. Bregu deklaron se qeveria shqiptare është e përgatitur për të marrë statusin kandidat në BE, në një hark kohor brenda 6-9 muaj. Në bazë të progresit reformator dhe angazhimit të ekzekutivit për të realizuar të gjitha detyrimet e Komisionit Evropian. Bregu flet edhe për ngërçin politik dhe kërkesat e opozitës, të cilat sipas saj, përkthehen në justifikime të qarta, për të penalizuar disa nga sukseset më të mëdha të kësaj qeverie, siç është zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe kapjen e standardeve ndërkombëtare, për të përfituar liberalizimin e vizave përpara verës së këtij viti dhe statusin kandidat në BE. Ministrja Bregu thotë se do të ishte gjobë e rëndë për opozitën dhe Edi Ramën, zgjatja e proceseve integruese sipasojë e ngërçit politik dhe bojkotit absurd.


Znj. Bregu, a besoni që është realizuar procesi i pyetësorit në të gjitha aspektet? Sigurisht që besoj sepse nëse nuk do ta thosha unë ky do të ishte një lajm i keq për këdo, jo sepse unë kam përgatitur përgjigjet e Pyetësorit, por sepse Ministria që drejtoj ka ndjekur çdo moment intensivisht jo vetëm procesin e së përditshmes në kuadër të integrimit, por jemi munduar t’u paraprinim përgatitjeve për datën 1 dhjetor kur mbërriti Pyetësori i Komisionit Europian. Besoj që i kemi qëndruar dy kërkesave bazë të cilat iu parashtruan kryeministrit Berisha ditën që ky Pyetësor ju dorëzua nga ambasadori Lohan, kërkesa e një date indikative nga KE, d.m.th ata prisnin që ne të dorëzonim përgjigjet brenda muajit mars dhe kërkesa tjetër kryesore ishte cilësia. Pra cilësi dhe respektim i kufijve kohorë, në fillim të muajit prill ne kemi përfunduar procesin dhe kemi treguar se administrate shqiptare e ka përballuar denjësisht. Ne kemi bërë një llogaritje kalendarike të thjeshtë në shifra dhe ka dalë se kanë qenë 90 ditë pune intensive duke mos llogaritur këtu ditët e diela, sepse të shtunat kanë të gjitha të përfshira si ditë pune, në të gjitha këto ditë nuk është parë orari zyrtar, ka qenë një punë tepër intensive dhe unë ju siguroj se edhe rezultati do të jetë i kënaqshëm. Të paktën unë mund t’ju siguroj se nga drafti i parë i përgjigjeve i institucioneve të linjës në ministrinë e integrimit deri në mbledhjen e fundit të KNI-së në datë 29 mars ne kemi parë, ri-parë, rishikuar dhe komentuar në mbledhjet e Komitetit Koordinues Ndërministror që ishte hallka paraprake, kemi çertifikuar përgjigjet e 2284 pyetjeve dhe 2000 nën-pyetje që mund të konsiderohen pyetje më vete sepse kërkonin përgjigje. Komisioni Europian na ka dorëzuar një dokument që shkonte në 384 faqe, pra ka qenë një volum i jashtëzakonshëm.


Në të gjithë këtë skanim që është bërë, patët mundësi të vlerësoni se ku është Shqipëria përsa i përket standardeve të Komisionit Europian? Ne këtë e bëjmë në çdo takim, krahas Komitetit të Stabilizim Asociimit që u mblodh para pak javësh, janë edhe 7 nënkomitete, të cilat vlerësojnë punën për plotësimin e kritereve në çdo fushë. Pra ka nënkomitete që janë për Industrinë dhe Tregtinë, është nënkomiteti për doganat dhe tatimet, inovacionin dhe pronësinë intelektuale, nënkomiteti që merret me çështjet e drejtësisë, kriterin politik, pra janë 7 nënkomitete të cilët muaj pas muaji, në bazë të çdo axhende vlerësojnë plotësimin e standardeve, sikurse është edhe dokumenti i rëndësishëm i KE që del çdo vit, progres raporti, që na jep një mundësi për të bërë një vlerësim, se çfarë ka ndodhur dhe ku jemi me detyrimet e një viti, si dhe lë dhe rekomandimet për të ardhmen. Pra nëse do ta thjeshtoja, është si të shkosh në një provim ku ti, i di ushtrimet, e rëndësishme është t’i bësh mirë ato dhe brenda një kohe të caktuar. Pra, ka disa linja të caktuara, problemi qëndron tek vullneti politik, këmbëngulja dhe dëshira e qeverive për të plotësuar dhe për ta marrë seriozisht këtë proces, i cili bazohet në reforma dhe reformat nuk janë gjithmonë me shije të ëmbël, kërkojnë ristrukturime, reformatime të administratës. Kur do të dërgohet në Bruksel ky Pyetësor? Unë jam në dijeni që misioni ynë në Bruksel dhe zyra e kryeministrit në Shqipëri po gjejnë përputhjen e axhendave për të dorëzuar dokumentin. Ne do të ishim gati për ta bërë këtë dorëzim brenda javës së parë të prillit, nuk e kemi të mundur sepse komisioni largohet për shkak të festave të pashkëve.


Sa duhet të presë Shqipëri për të marrë përgjigje? Ne presim që brenda 6 ose 9 muajve, besoj se do të jetë brenda 9 muajve Komisioni të bëjë vlerësimin dhe të përgatisë mendimin sepse vendimin e 16 nëntorit këshilli i Ministrave të jashtëm të Be-së i ka kërkuar Komisionit të dërgojë këtë instrument zyrtar dhe Këshilli të vendosë nëse Shqipëria do të kalojë në fazën tjetër të vendit kandidat apo jo. Duke respektuar kohën për të lexuar përgjigjet, unë shpresoj që kjo gjë të ndodhë brenda vitit 2010, por gjithsesi nuk jam unë ajo që vendos kohën e Brukselit, ata do të marrin kohën e tyre të nevojshme për të përgatitur Opinionin. Mund të ndodhë që Këshilli të marrë vendimmarrje për dy çështje ose vetëm për një: jepet statusi i vendit kandidat ose jo dhe jepet data për hapjen e negociatave ose jo. Mund të ndodhin të dyja të jepet statusi dhe data e hapjes së negociatave ose njëra prej tyre. Kjo ka ndodhur me Maqedoninë, ku është akorduar statusi dhe s’u caktua data për hapjen e negociatave. Nuk mund të mos them që kjo situatë politike nuk më bën të ndjehem mirë as zyrtarisht, as personalisht. Nuk ndjehem mirë zyrtarisht se sigurisht jam pjesë e kësaj qeverie dhe dëshmitare e vullnetit të të gjitha institucioneve shqiptare për atë drejtim ku duam të lëvizim të gjithë, e përpjekjeve të të gjithëve ne për të lënë një gjurmë dhe për ta afruar sa më shumë këtë datë të anëtarësimit tonë në Bashkimin Europian. Dhe personalisht nuk ndjehem mirë, sepse në vend të vlerësohemi për një performancë krejtësisht pozitive që po dëshmojmë, për plotësimin e detyrimeve, jam e detyruar të sqaroj për një situatë të paqartë politike dhe kërkesa që as sot dhe kësaj dite nuk i kuptoj. Gjithsesi mos merrni për kapital këtë që unë po them, por nisur nga eksperiencat e vendeve të tjera, zakonisht përgatitja e mendimit nga momenti i dorëzimit, merr 6, 9 deri në 12 muaj kohë. Unë bëj një llogaritje që nga prilli, nuk konsideroj të plotë 3 muajt e verës, por deri në fund të vitit 2010 ne kemi plotësuar deri në 8 muaj. Sigurisht që mund të jetë edhe fillimi 2011-ës, sikurse mund të jetë edhe nëntori, por këtë gjë nuk e vlerësoj unë sot. Unë uroj që ne të kemi qenë sa më cilësorë në dhënien e përgjigjeve, dhe shpresoj që ky ngërç politik të mos jetë shtyrës në afatet e dhënies së mendimit për Shqipërinë.


Besoni se qëndrimi i PS do të ketë rëndësi në vendimmarrje? Qëndrimi i PS-së ka vetëm një rezultat, nuk ndodhi në vitin 1997, 2001, 2007, por është qëndrim për zgjedhjet parlamentare të zhvilluara, në një vit ku ne zbatuam propozimet e opozitës së atëhershme dhe të tanishme për Kodin Zgjedhor, me një palë zgjedhje ku për herë të parë, prodhuam dokumentet e identitetit që jo për retorikë, por s’u prodhuan asnjëherë gjatë qeverisjes së PS, ku arritëm të krijonim një regjistër online, lista zgjedhore të cilat në pjesën më të madhe të tyre janë kontrolluar nga pushteti vendor i majtë, një palë zgjedhje që u çertifikuan nga ndërkombëtarët dhe u vlerësuan si zgjedhje që përmbushin pjesën më të madhe të standardeve. Pa manipulim, pa parregullsi... Kjo nuk është mënyrë për të bërë opozitë. Më vjen keq, që gjatë 2009 dhe gjatë 2010-ës përkthimi i vetëm i bojkotit të gjatë të opozitës, i paqëndrueshmërisë dhe formës që kanë edhe sot e kësaj dite, hyr nga parlamenti, dal nga parlamenti, përkthehet vetëm në një emër: tendencë për të bllokuar procesin e integrimit të Shqipërisë. Kjo nuk është akuzë, kushdo që e mendon do ta quajë anormale, sjelljen e opozitës shqiptare në 2010-ën, vit kur shqiptarët presin përfitimet e tyre të para të këtij 20 vjeçari të proceseve demokratike dhe më të rëndësishmet për gjithë historikun e shtetit shqiptar, sikurse është lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë. Nëse opozita nuk do ta mbajë këtë njollë dhe këtë gjobë sipër vetes, do të bënte mirë të mos kishte qenë penguese. Unë nuk mund të kuptoj sesi partia më e madhe e opozitës në vend të mos mendojë për gjë tjetër, veçse për kutinë e Edi Ramës.


A planifikon mazhoranca të bëjë ndonjë lëshim që të shuhet kjo mosmarrëveshje? Të gjitha lëshimet deri tani besoj se kanë ardhur nga vullneti i mazhorancës për të zgjidhur këtë ngërç politik, nuk po i vë këtu pikën e fundit listës së gjatë të koncesioneve që kjo mazhorancë i ka bërë opozitës, por besoj që ne nuk kemi qenë ata të cilët nuk kemi ofruar, ne kemi ofruara por na janë refuzuar ofertat. I vetmi ngushëllim është që ofertat nuk na janë refuzuar vetëm ne, por edhe atyre që u thërritën për intermediatorë ndërkombëtarë sikurse ishte këshilli i Evropës, apo Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. Ky është një konfirmim i asaj që thashë më sipër se ka një sjellje irracionale në lidershipin e PS porsa i përket këtyre zgjedhjeve. Sepse që nga 29 qershori asnjë nuk ka thënë që lëvizja e PS ishte e justifikuar, që bojkoti i tyre ka marrë mirëkuptim, për më tepër vendimi që u mor në 16 nëntor nga këshilli i ministrave të jashtëm, ishte një sinjal i hapur që ne njohim shtetin, mazhorancën dhe qeverinë e dalë nga këto zgjedhje, 16 dhjetori e rikonfirmoi këtë sinjal. Unë nuk di se cili është lëshimi tjetër i radhës që mund t’i bëhet Edi Ramës, pasi nuk besoj se ka ndonjë koncesion që do të bindte Edi Ramën të ndryshonte kursin e ecjes së tij, përveç asaj që është pret ai dhe është pikë e panegociueshme për ne: dhunimin e vendimeve të gjykatës dhe Kushtetutës, dhënien e mundësisë që të krijojmë një kulturë ku kompromisi partiak të mbizotërojë mbi rendin ligjor dhe institucionet që e thënë ndryshe do të ishte një kapitullim i vlerave demokratike të vendit.


Ka zëra që thonë që Rama nuk do të marrë pjesë as në zgjedhjet lokale. Si do të sillet PD në këtë rast? Me thënë të drejtën do të doja që të njihja gjithë zërat e Partisë Socialiste që parashikojnë se çfarë do të bëjë Edi Rama deri në 2011, sepse njeri më të paparashikueshëm të paktën që nga 2007, pjesë të cilën e kam ndjekur vetë shumë nga afër, njeri që të thotë mirëmëngjes kur është darkë, dhe të thotë mirëmbrëma kur është mëngjes, nuk kam parë. Problemi i tij është se nuk mban fjalën, prandaj unë do të habitesha shumë nëse ka njeri që e di se çdo të bëjë Rama deri në 2011-ën. Unë sot nuk di se çdo të bëjë deri të enjten Partia që drejton Edi Rama, do të vijë në seancë apo jo, do të rrijë 60 minuta dhe do të flasin për kutinë e Ramës apo do të largohen. Ne shkojmë në seancë dhe përgatisim fjalimin me idenë që opozita do të jetë brenda, kur marrim ta lexojmë, na dalin gjithë kohët e foljeve ndryshe se opozita është larguar.


Ka një përplasje tjetër për sheshin Skënderbej. Po ju pyes si deputete e Tiranës... Sheshi i Tiranës, është mirë që të paktën u tregua i djeshëm dhe iu përgjigj thirrjes së kryeministri Berisha, për të bërë një ndryshim në sheshin kryesor të kryeqytetit, që është përgjegjësia e tij direkte. Duhet thënë se të gjitha ato debatet për pushtetin vendor, ujin, protestat para kryeministrisë me qese të zeza me plehra dhe pa qese të zeza, me bashkiakë të veshur me nga një shirit sipër, kanë qenë të gjitha këto sepse fakti që pas një thirrjeje të kryeministrit dhe asistence të dhënë nga Kuvajti, filloi menjëherë punën, do të thotë që ne kemi pasur të drejtë. Jo se Rama nuk ka pasur fonde, se politika e decentralizimit kështu funksionon, por se qeveria është përgjegjëse për çfarëdolloj iniciative që përmirëson jetën e qytetarëve shqiptarë. Ky është një shembull që tregon se ndarja mes pushtetit lokal dhe qendror sa është e madhe në respektimin e pavarësisë së tyre, aq është edhe e ngushtë sepse në fund të fundit, fondet akordohen nga pushtetit qendror drejt pushtetit lokal, apo lotimi të bëhet nga të dyja palët, mjaft që benefiti të jetë për qytetarët. Shumë mirë që ka filluar rehabilitimi i sheshit, unë nuk di detajet se deri ku shtrihet rehabilitimi, e rëndësishme është që të mos ketë atë faqe sikurse e themi ne përditë për faqe të zezë, por të ketë një panoramë. Edhe aty për koinçidencë, për simbolikë, po të kujtoni, Rama kishte ngritur një kuti në mes të sheshit si serë kishte futur brenda saj vetëm idetë e tij të fotografuara të një plani rregullues për Tiranën, i qëndroi asaj kutisë për vite aty dhe s’bëri asgjë. Mesa duket zotëria e ka konceptim të mbyllur shumë ngushtësisht, por gjendja në Tiranë është shumë e rëndë. Unë nuk di të ketë ndonjë kryebashkiak që në momentin që ka marrë mandatin, përveç ditëve tani kur po merret me sheshin dhe doli bëri deklaratën, apo ndonjë kumbulle të mbjellë, të ketë punuar qoftë edhe një ditë për përmirësimin e infrastrukturës së kryeqytetit. Nëse ju do të bëni një analizë sesa nga premtimet e bëra gjatë tre mandateve të tij, janë realizuar, unë ju siguroj që do të mbeteni shumë të zhgënjyer, sepse në tre mandate ai nuk ka plotësuar as 3 premtime të bëra gjatë mandatit të parë. Ai bashkinë s’e përdor për të qenë shërbëtor i qytetarit por ta pasur si trampolinë politike dhe për të pasur siguri dhe për të përfituar benefite që mbushin arkën politike të tij.


Një çështje tepër e ndjeshme për qytetarët është ajo e vizave. Ka deklarata të ndryshme, a do të ketë një vendim të shpejtë për heqjen e vizave? Unë jam aq optimiste sa kam qenë edhe një vit më parë, nuk do të ketë zhgënjime lidhur me vendimin që shqiptarët do të lëvizin pa viza brenda vitit 2010. Kjo lidhet me një fakt fare të thjeshtë. E para se është plotësim i një ëndrre, i një aspirate, i një dëshire, një ideje të hedhur qysh në ditët e para të lëvizjes demokratike, dhe pa dashur të bëj hije vendimeve të tjera, vendimit kryesor me të cilin e kanë lidhur shqiptarët integrimin e tyre në Bahskimin Europian, si një e drejtë për të lëvizur në mënyrë dinjitoze dhe të barabartë me qytetarët e tjerë të BE-së. Kemi përfunduar atë çka i takonte pjesës shqiptare, pra detyrimeve të vendosura para nesh në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, kemi pasur një sërë detyrimesh për të plotësuar në katër blloqe, i kemi plotësuar në maksimum. Kemi ndërmarrë iniciativat tona ligjore të cilat na kanë sjellë një situatë të përmirësuar në kufirin tokësor, por edhe atë detar nëpërmjet moratoriumit për skafet, një vendim ndoshta jo shumë entuziast për shqiptarët, por që na ka dhënë një imazh shumë më të mirë dhe më të besueshëm në Evropë. Kemi treguar që jemi seriozë në luftën kundër krimit të organizuar, kemi miratuar një ligj antimafia, kemi bërë të mundur pajisjen me dokumente cilësorë dhe të besueshëm identifikimi, kemi rreth 550 mijë pasaporta të dorëzuara dhe shumë masa të tjera. Plotësimi i të gjitha këtyre detyrimeve është përkthyer në komente të ekspertëve ndërkombëtarë, unë po citoj vetëm deklaratën e komisionerit për zgjerimin “Komisioni i qëndron premtimit për të paraqitur propozimit dhe për të marrë vendimin për liberalizimin e vizave brenda verës së këtij viti”. Pas marrjes së vendimit, ai mund të aplikohet pas një periudhe kohore duke nisur nga dy javë deri në 1 apo disa muaj. E rëndësishme është që vendimi për liberalizimin e vizave do të merret brenda vitit 2010.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›