Ekonomia shqiptare e stabilizuar, optimiste të dhënat e fillimvitit 2010

Ministri i Financave Ritvan Bode shprehet se efektet e krizës ekonomike janë kapërcyer
Ministri i Financave Ritvan Bode u shpreh dje gjatë një konference për shtyp se ekonomia shqiptare po kthehet drejt normalitetit, pas kapërcimit të efekteve e të krizës ekonomike globale. Presionet e krizës, tha ministri Bode, po i përkasin të shkuarës tashmë, pasi të dhënat ekonomike të muajit mars janë optimiste dhe po shkojnë drejt përmirësimit. Ministri shtoi se kishte pak shpresa për një realizim të të ardhurave, por administrata doganore, ka tejkaluar objektivat ambicioze fillestare me 2 për qind ose mbi 200 milionë lekë.
Sipas tij, në vlerë absolutë, të ardhurat për muajin mars janë 2.1 miliardë lekë më të larta se në të njëjtin muaj të vitit 2009 ose 28 për qind.
Ministri i Financave tha gjithashtu se gjatë tre muajve të fundit ka pasur rritje të eksporteve.
“Në 3 muaj kemi një rritje të volumit të eksporteve shqiptare me 167 mijë ton ose 74 për qind më shumë nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe kjo ka ardhur jo vetëm për shkak të eksporteve të energjisë, por edhe kategorive të tjera të mallrave”, tha Bode.
Ai shtoi se mallrat “Made in Albania” dhe të përpunimit aktiv në vitin 2009 kanë qenë 19.400 mijë ton, ndërsa në këtë 3-mujor ato llogariten 28.800 mijë ton me një rritje prej 2.5 herë në vëllim dhe 26 për qind në vlerë.
“Në muajin mars të këtij viti kemi një rritje të vëllimit të eksporteve nga 85 mijë në 159 mijë ton dhe një rritje në vlerë nga 2.4 miliard lekë në 6.9 miliard lekë milionë lekë”, deklaroi më tej, ministri i Financave Ritvan Bode.
Bode ka hedhur poshtë edhe mundësinë që rritja fiskale e marsit të ketë ardhur nga nisja e investimeve publike.
Kreu i Financave ka folur për shifra pozitive në tatime, dogana, qarkullim ekonomik dhe eksporte. Ai ka ftuar edhe sistemin bankar dhe biznesin privat të bëhen pjesë e këtyre zhvillimeve pozitive ekonomike.
Stabiliteti ekonomik i vendit, është theksuar më herët edhe nga INSTAT.
Sipas të dhënave, në Shkurt 2010 u eksportuan 11,3 miliardë lekë mallra, me rritje 18.1 për qind në krahasim me Janar 2010 dhe rritje me 50.5 për qind në krahasim me Shkurt 2009. Gjatë kësaj periudhe u importuan 32 miliardë lekë mallra me rritje 6.2 për qind në krahasim me Janar 2010 dhe ulje 4.2 për qind në krahasim me Shkurt 2009. Defiçiti tregtar i këtij muaji është 20,7 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 0.7 për qind, krahasuar me muajin paraardhës dhe një ulje prej 20 për qind krahasuar me Shkurt 2009.