Obama: Mirëserdhët në NATO!
“Dua t’ua drejtoj qëndrimet e mia drejtpërdrejt delegacioneve nga Shqipëria dhe Kroacia dhe udhëheqësve të tyre. Mirëserdhët në NATO! Jemi shumë të emocionuar për pjesëmarrjen tuaj. Aleanca e Atlantikut është 60 vjet e vjetër dhe është masë për vitalitetin tonë dhe ne ende mirëpresim anëtarë të rinj”.
Kështu tha dje presidenti amerikan, Barack Obama, ndërsa u dorëzoi traktatin e Uashingtonit respektivisht presidentit shqiptar, Bamir Topi, dhe atij kroat, Stipe Mesiç. Obama shtoi se dyert e Aleancës vazhdojnë të jenë të hapura për të gjithë ata që plotësojnë kushtet.
“Kur po mirëpresim Shqipërinë dhe Kroacinë në NATO, kjo nuk do të jetë hera e fundit që kemi një festim të tillë dhe unë pres ditën kur mund të pranojmë edhe Maqedoninë në Aleancë. Dyert për anëtarësim mbeten të hapura për shtetet e tjera që mund të plotësojnë standardet e NATO-s dhe mund të japin kontributin në sigurinë e aleatëve”, - tha Obama.
Kosova
Presidenti amerikan u pyet në konferencën e tij dhe për çështjen e Kosovës. Ai tha se rajoni është më i sigurt, por ai shtoi se problemet vazhdojnë të jenë, sidomos tani në periudhën e krizës ekonomike.
“Jam i shqetësuar për mundësinë që rënia ekonomike të ketë ndikim negativ në Ballkan dhe në mundësitë e vendeve të Ballkanit që të zgjidhin mospajtimet e tyre në mënyrë paqësore. Kjo nuk vlen vetëm për Ballkanin, por për të gjitha vendet e botës, sepse kriza ekonomike mund të sjellë edhe krizë sociale, dhe si pasojë edhe politike. Prandaj, edhe kemi vendosur të ndërmarrim masa në samitin e G20 në Londër”, - tha Obama. “Falë NATO-s, ndihmës së Evropës dhe punës së vetë popujve të këtij rajoni, gjendja sot është më e qëndrueshme. Por një pjesë e arritjeve janë ende të brishta”, - vijoi më tej presidenti amerikan.
Në deklaratën përfundimtare të Samitit thuhet se Aleanca do ngelet e përkushtuar në rajonin tonë.
“Ne mbesim të përkushtuar për sigurinë rajonale dhe stabilitetin në Ballkan. Vlerësojmë punën e shkëlqyeshme të bërë nga KFOR për të ndihmuar në ruajtjen e një ambienti të qetë dhe të sigurt dhe për mbrojtjen e lirisë së lëvizjes në Kosovë. Përsërisim vendimin tonë që KFOR të mbetet në Kosovë, për aq sa ka mandatin operacional dhe aq sa do të ketë nevojë”, - thekson deklarata që përsërit sërish se dyert e Aleancës janë të hapura.
Deklaratat
Në tryezën e rrumbullakët të Këshillit është ulur për herë të parë Shqipëria, e cila tashmë është anëtare më të drejta të plota.
Gjatë fjalës së mbajtur, Topi ka falënderuar në emër të shqiptarëve të pranishmit për këtë moment historik.
“Vij këtu për të sjellë mirënjohjen, falënderimin, miqësinë më të thellë të popullit shqiptar për Aleancën, për Ju të dashur aleatë, për parlamentet dhe qeveritë dhe për popujt miq të popullit shqiptar”, - tha Topi.
Ndërsa kryeministri shqiptar tha se kjo është një ditë krenarie.
“Për mua kjo është një ditë krenarie e veçantë, por para së gjithash, dita e mirënjohjes më të thellë dhe të pakufishme ndaj jush, kombeve tuaja, Forcave tuaja të Armatosura e taksapaguesve të vendeve tuaja, që me ndihmën e tyre të gjithanshme, politike, ekonomike, financiare e ushtarake mbështetën reformat e thella e të suksesshme në Shqipëri, që bënë të mundur këtë ditë. Asnjë komb nuk ka njohur në historinë e tij një solidaritet kaq të madh, sa ç’kemi njohur ne shqiptarët nga kombet tuaja të lira”, - tha Berisha.
Kryeministri foli dhe me terma konkretë se çfarë do të bëjë Shqipëria pas këtij anëtarësimi. “Kam kënaqësinë t’ju informoj se qeveria ime do të shtojë edhe një kompani më tepër duke e rritur në 350 numrin e forcave shqiptare të pranishëm në këtë vend. Do të kontribuojmë me një fond për ndërtimin e dy shkollave të mesme dhe gjashtë shkollave të ciklit të parë, si edhe me një ekip prej pesëmbëdhjetë mjekësh dhe infermierësh”, - tha Berisha.
Çështjet
Në samit një nga çështjet më kryesore ishte Afganistani. Franca dhe Gjermania dhanë mbështetjen e plotë për strategjinë e re të presidentit Obama për luftën në Afganistan, por vazhduan t'i rezistojnë kërkesave amerikane për më shumë trupa, gjë që i la disi në hije simbolet e bashkimit në takimin e nivelit të lartë me rastin e 60-vjetorit të Aleancës. Zonja Merkel dhe zoti Sarkozy theksuan nevojën që qeveria dhe forcat e sigurisë afgane të marrin gjithnjë e më shumë përgjegjësi në vend.
Presidenti Sarkozy tha se NATO nuk mund të humbasë në Afganistan, pasi një pjesë e lirisë së botës varet nga rezultati i misionit të Aleancës atje.
Duke folur me gazetarët pas takimit, sekretari aktual i Aleancës uroi Shqipërinë dhe Kroacinë për anëtarësimin në NATO dhe vlerësoi pozitivisht kthimin e Francës në komandën ushtarake të NATO-s. Zoti Scheffer tha se NATO ka vendosur një mision të ri për stërvitjen e forcave ushtarake afgane. NATO, tha ai, arriti një sërë marrëveshjesh në lidhje me Afganistanin.
Sekretari i NATO-s tha se NATO duhet dhe do të bashkëpunojë me Rusinë mbi një sërë çështjesh. Po kështu, tha zoti Scheffer, NATO ra dakord të rishikojë Dokumentin Strategjik të vitit 1999.
Protestat
Ndërsa vazhdonte takimi i nivelit të lartë të NATO-s, protestuesit u përplasën me policinë në qytetin e Strasburgut, duke i vënë flakën një hoteli, një qendre shërbimesh dhe një poste policie në kufirin gjermano-francez.
Policia përdori gaz lotsjellës kundër protestuesve, ndërsa shtëllunga tymi dilnin nga ndërtesat që po digjeshin nga ana franceze e një ure që lidh vendin me Gjermaninë.
Disa nga protestuesit kërkonin t’i jepet fund luftës, ndërsa të tjerë shpërbërjen e NATO-s.
Protestat më të fundit filluan të qeta, por u bënë të dhunshme rreth mesditës, ndërsa demonstruesit filluan të hidhnin bomba djegëse dhe objekte të tjera kundër oficerëve që po përpiqeshin të mos lejonin demonstruesit t’i afroheshin vendit ku po mbahej takimi i NATO-s.
Përplasjet e fundit pasojnë protestat e së enjtes dhe të djeshme në Strasburg dhe Baden Baden të Gjermanisë.
Drejtuesi i ri
Kryeministri i Danimarkës, Anders Fogh Rasmussen, u zgjodh në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s.
Rasmussen do të zëvendësojë në muajin korrik kreun aktual të NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, të cilit mandati i skadon në fund të qershorit.
Turqia fillimisht e kishte kundërshtuar kandidaturën e kryeministrit danez.
Bashkimi Evropian e kritikoi Ankaranë, duke thënë se kjo do të ishte keq për anëtarësimin e saj në BE.
Më vonë, kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se Ankaraja ka vendosur ta pranojë Rasmussen si Sekretar të Përgjithshëm i NATO-s pas “garancive” nga presidenti amerikan, Barack Obama.