E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Anëtarësimi s’ka kuptim pa zgjedhje brenda standardeve

Nga News 24

“Pa zgjedhje të lira dhe të ndershme, anëtarësimi nuk ka kuptim”, - kështu është shprehur kreu i Partisë Socialiste dhe njëkohësisht kryetari i Bashkisë së Tiranës, gjatë koncertit festiv të organizuar nga bashkia me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e madhe të Atlantikut të Veriut.

“Shqipëria në NATO nuk mund të kuptohet pa të drejtën e votimit të lirë. Ne duhet ta garantojmë për të gjithë në këtë vend këtë të drejtë themelore, e cila as nuk mund të blihet, por as nuk mund të shitet”, - theksoi Rama.

Gjatë fjalës së tij përpara qytetarëve të shumtë që iu bashkuan thirrjes së bashkisë për të festuar këtë ditë të veçantë, Rama theksoi se asnjë popull nuk ka qenë më i bashkuar se shqiptarët, të cilët nuk nguruan në asnjë moment për t’u bashkuar me NATO-n.

“Sot është një ditë historike për Shqipërinë. Sot është dita për t’u kujtuar se jeta jonë nuk ka qenë gjithmonë kështu, është dashur të kalojmë shkretëtirën dhe të mbijetojmë diktaturën komuniste”, - vazhdoi Rama

Ndër të tjera kryesocialisti deklaroi se ngritja e flamurit shqiptar mes vendeve anëtare të NATO-s nuk ishte vetëm për të na përfaqësuar, por edhe për të mishëruar vlerat, të cilat, sipas Ramës, nuk mund të kuptohen pa zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Shqipëria hyri në NATO falë jush, falë jush ajo do të nderojë vendin tonë”, - përfundoi fjalën e tij kreu i PS, Edi Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›