“Anëtarët e kryesisë të respektojnë skemën e delegimeve nëpër qarqe”
Mblidhet kryesia e PS-së, Edi Rama ripërsërit ultimatumin
Edi Rama kërcënon anëtarët e kryesisë së PS-së, se do të jetë pikërisht skema e delegimeve nëpër qarqe, të anëtarëve të kryesisë e sekretariatit, të miratuar në janar të këtij viti, ajo që do të vazhdojë të respektohet deri në përfundim të procesit zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. Kërcënimin e tij, Edi Rama e artikuloi dje, në mbledhjen e kryesisë së PS-së, e cila në qendër të diskutimeve të saj, kishte mënyrën se si do të zbatohet në terren strategjia elektorale e kësaj partie për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. Sipas vendimeve të djeshme të kryesisë së PS-së, monitorimi i fushatës elektorale dhe procesi përgatitor në funksion të zgjedhjeve të vitit 2013 do të bëhet nga një grup pune, i cili do të përbëhet nga kryetari i Asamblesë Kombëtare Gramoz Ruçi, Sekretari për Koordinimin Fatmir Xhafaj, sekretari organizativ Blendi Klosi si dhe sekretari për pushtetin vendor Bashkim Fino. Puna e tij do të jetë koordinimi i veprimeve nga qendra deri në bazë, në respektim të strategjisë elektorale të Partisë Socialiste. Ndërkohë që në mbledhjen e djeshme të kryesisë janë diskutuar të gjitha detajet e organizimit të zgjedhjeve, ku përfshihet edhe angazhimi i drejtuesve të partisë dhe grupit parlamentar në të gjitha qarqet e vendit. Duke qenë se një pesë e mirë e të deleguarve të kryesisë nuk ka respektuar ndarjen e bërë më herët në bazë nga e këtij forumi, lidershipi socialist vendosi dje që ta ritheksojë dhe njëherë se do të jetë pikërisht ajo skemë që do të vazhdojë të respektohet deri në përfundim të procesit zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të 2013. Kjo pasi që në fillim të viti të deleguarit e kryesisë e patën përmbysur të gjithë skemën e shpërndarjes së anëtarëve në qarqe, duke vepruar sipas preferencave. Por nga ana tjetër të deleguarit e kryesisë socialiste në bazë kanë krijuar mjaft pakënaqësi mes radhëve të partisë. Ajo që shoqëron deri më tani frymën e procesit parapërgatitor për zgjedhjet parlamentare të 2013 është mosbesimi për arritjen e rezultateve maksimale. Skema Të deleguarit e Asamblesë Tiranë, Edi Rama, Fatos Nano, Rxhep Meidani, Servet Pëllumbi Të deleguarit e kryesisë në qarqe. Tiranë, Arta Dade, Saimir Tahiri, Ndre Legisi . Elbasan, Ben Blushi e Damian Gjiknuri . Korçë, Erjon Braçe e Ilir Beqja . Fier, Armando Subashi e Bashkim Fino . Durrës, Eglantina Gjermeni e Vangjush Dako . Vlorë, Valentina Leskaj e Fatmir Xhafaj. Gjirokastër, Arben Ahmetaj e Arben Isaraj . Shkodër, Ditmir Bushati e Mimi Kodheli. Berat, Namik Dokle. Dibër, Pandeli Majko e Shkëlqim Cani. Kukës, Arben Malaj e Besnik Bare. Lezhë, Lindita Nikolla.
...