Arben Imami: Gjithë jeta e tij, luftë e përpjekje për një Shqipëri të lirë e të pavarur

Nderim dhe homazhe ministrit të parë të Mbrojtjes, Mehmet Pashë Dëralla
Shoqata e historianëve shqiptarë të Maqedonisë, gjatë një ceremonie përkujtimore në qytetin e Tetovës, ka sjellë në vëmendje jetën dhe veprën e patriotit të shquar Mehmet Pashë Dëralla, i cili me krijimin e Qeverisë së Përkohshme të Ismail Qemalit, u emërua ministër i Luftës.
Në fjalën e tij, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ka evidentuar kontributin dhe meritat historike të gjeneral Mehmet Pashë Dërallës.
“Medalja e parë që kam firmosur si ministër i Mbrojtjes është pikërisht për Mehmet Pashë Dërallën. I kam propozuar Presidentit të Republikës që ti japë medaljen më të lartë të shtetit shqiptar. Këtë e kam bërë, jo vetëm për faktin se ai ishte ministri i parë i Mbrojtjes, por për shkak të kontributeve të pamatshme që ai pati për çështjen kombëtare. Kontributet e tij nuk lidhen vetëm me pozicionin si Ministër i Luftës, por e gjithë jeta e tij është luftë e përpjekje për një Shqipëri të lirë, të pavarur e sovrane”, është shprehur ministri Imami.
Ndërsa ministri i FSK-së, Agim Çeku, ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë, Fatmir Besimi dhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferri, pasi dhanë vlerësime të larta për figurën e gjeneral Dërallës, shprehën vlerësime edhe për paradën madhështore që FA shqiptare bashkë me FSK organizuan për nder të 100- vjetorit të Pavarësisë.
Mehmet Pashë Dëralla lindi më 1843 në Gradec të Gostivarit, Maqedoni. Ai është regjistruar në memorien historike të popullit tonë si një ndër protagonistët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878. Ishte një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë Shqiptare dhe ministri i Luftës në Qeverinë e Përkohshme të Shqipërisë, të drejtuar nga Ismail Bej Vlora. Gjithashtu, roli i Mehmet Pashë Dërallës në organizimin dhe drejtimin e kryengritjeve të mëdha të Kosovës të viteve 1910, 1911 dhe 1912 ishte shumë i madh, si një nga protagonistët kryesorë të qëndresës shekullore përballë sulmeve serbo-malazeze, të cilat synonin pushtimin e Shqipërisë veriore. Dita e festës kombëtare të ushtrisë, 4 dhjetor 1912, lidhet ngushtësisht edhe me emrin e kontributin e gjeneral Dërallës.