E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anëtari i KQZ, grupi i Partisë Socialiste: “Bllokim” Kuvendit

TIRANE- Deputetët socialistë do të mbajnë një qëndrim të ashpër ditën e hënë, në seancën e parlamentit, kur është lënë të votohet për lirimin nga detyra të anëtarit të propozuar prej LSI-së, në KQZ. PS e konsideron “puç kushtetues” veprimin e maxhorancës, për të zëvendësuar anëtarin e KQZ-së, Ilirjan Muho, me një kandidaturë nga Partia Republikane, pas largimit të LSI-së nga koalicioni me PD. Në mbledhjen e mëngjesit të djeshëm të grupit parlamentar të PS-së janë hedhur një sërë idesh, për mënyrën se si do të bëjë opozitën e saj Partia Socialiste. Mendime të ndryshme janë hedhur që nga bojkoti i parlamentit e deri tek bllokimi i procesit të votimit, por në fund është vendosur që të ketë shumë diskutime, pavarësisht se ato nuk janë planifikuar nga ana e kryetares së Kuvendit, por kërkohet të kalohet direkt në votimin për lirimin e Muhos, pa debat. Burimet nga mbledhja e grupit bënë të ditur se zëra nga salla janë shprehur në fund të mbledhjes edhe për bllokim të votimit të dy deputetëve të larguar nga PS, Gjovalin Kadeli e Asllan Dogjani, nëse ata do të zgjedhin të votojnë pro maxhorancës. Një prej deputetëve, Damian Gjiknuri është shprehur se “pas këtij veprimi, parlamenti nuk ka më kuptim”, duke lënë të kuptohet mundësia edhe e një bojkoti. Por mësohet se kryetari i partisë, Edi Rama, i pranishëm në mbledhjen e grupit parlamentar është shprehur kundër bojkotit. Një veprim i tillë, sipas Ramës, nuk sjell ndonjë rezultat, pasi PD mund ta miratojë përsëri dhe nuk ka asnjë kuptim që opozita të mos mbajë qëndrimin e vet, aty në seancë. Ndërkaq, në mbledhjen e grupit, deputeti tjetër, Gazmir Bizhga ka bërë thirrje që grupi parlamentar i PS-së të ashpërsojë qëndrimet e tij, si opozitë në Kuvend, pas këtij veprimi të së djathtës. Një tjetër ide ishte që të 64 deputetët e PS-së të diskutojnë të gjithë në seancë, duke mos lënë asnjë hapësirë bosh për të fituar gjithë kohën e duhur dhe për të pasur edhe një mbështetje ndërkombëtare. Por deputeti Arben Malaj e ka parë këtë si jo shumë të mundur, për shkak se pavarësisht temave që mund të diskutojnë ata, kryetarja e Kuvendit do të ndërpriste fjalën e tyre dhe nuk do të arrihej të realizohej një gjë e tillë. Megjithatë grupi i PS ngarkoi kryetarin e tij, Gramoz Ruçi që t’i kërkonte dje shtyrjen e votimit për lirimin e anëtarit të KQZ-së, gjë që u arrit. Tashmë opozita ka në favor tri ditë, për të marrë edhe mbështetjen ndërkombëtare që ajo pret për këtë çështje. Kreu socialist, Rama e ka cilësuar jonormale dhe të paligjshme këtë që kryeministri dhe maxhoranca po bën me KQZ-në. Por ai ka kërkuar prej deputetëve që të qëndrojnë fort në seancën e Kuvendit, duke lënë në ndërgjegjen e tyre edhe reagimin e mundshëm, sipas rastit. Ditën e hënë, deputetët socialistë do të diskutojnë sërish për seancën e ardhshme.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›