"Angels & Demons", premierë në Tiranë
Vetëm pak ditë pas premierës botërore, filmi "Angels and Demons" mbërrin nesër në Tiranë, në kinema "Millenium". Përshtatja kinematografike e librit me të njëjtin titull të shkrimtarit Dan Brown, është konsideruar një vijim i filmit "The Da Vinci Code" të shfaqur në vitin 2006. Mes dy filmave ka shumë pika të tjera të përbashkëta. Profesori i famshëm, Robert Langdon, është sërish aktori hollivudian, Tom Hanks. Edhe "Angels & Demons" ashtu si "The Da Vinci Code" është një vepër e regjisorit Ron Howard, i cili ka premtuar se do të marrë përsipër edhe regjinë e një filmi të tretë bazuar në romanin më të ri që Dan Brown përgatitet të sjellë në shtator të këtij viti. I njëjtë është edhe skenaristi që në të dy filmat mban firmën e Akiva Goldsman. Ngjarjet e filmit sillen rreth profesorit Langdon, i cili duhet të zbulojë se çfarë fshihet pas një vrasjeje misterioze dhe të parandalojë një atentat me bombë në zemër të Vatikanit. Filmi pati një premierë italiane të suksesshme më 5 maj, ndërsa premiera amerikane është mbajtur më 15 maj. Fundjava e parë e filmit në kinema e ka renditur në vendin e parë të arkëtimeve me 48 milionë dollarë, duke krijuar që në fillim përshtypjen e një filmi po aq të ndjekur sa dhe "The Da Vinci Code", i cili në total kaloi shumën prej 217 milionë dollarësh.