Një dokumentar për shqiptarët e hebrenjtë
I njohur dhe i vlerësuar në historinë e shkruar të hebrenjve, kontributi i familjeve shqiptare për mbrojtjen e tyre, vjen në një dokumentar. Me rastin e Festës Kombëtare të Izraelit, "Art-link" dhe Konsullata e Nderit e Izraelit me bashkëpunimin e Bashkisë së Beratit dhe Durrësit, paraqesin në Muzeun Kombëtar, ora 18.30, filmin dokumentar "Nëse të gjithë do të silleshin si shqiptarët". Ky dokumentar i kushtohet mbijetesës dhe shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri. Afërsisht dy vjet më parë do të ishte pikërisht ambasadori amerikan në Shqipëri John L. Withers që do të shtronte pyetjen thelbësore se si do të kishte qenë njerëzimi nëse të gjithë do të ishin sjellë me hebrenjtë njësoj si shqiptarët. Pikërisht përgjigjen e pyetjes se çfarë bënë shqiptarët për të përligjur një shqetësim të tillë tronditës kërkojnë realizuesit e filmit dokumentar: "Nëse të gjithë do të silleshin si shqiptarët", pjesë e një kërkimi pasuniversitar disavjeçar të gazetares dhe studiueses, Monika Stafa. Realizimi i dokumentarit është bazuar mbi disa burime: shqiptare, amerikane, italiane, hebraike, gjermane, si dhe të dhëna të kulturës gojore, të mbledhura prej trashëgimtarëve të familjeve që patën një rol protagonisti në gjithë këtë histori.