E Diel, 1 Nëntor 2026

Angli/ Nis procesi ndaj kosovarit të akuzuar për terrorizëm

Ka nisur në Britaninë e Madhe procesi gjyqësor ndaj një kosovari dhe katër britanikëve me origjinë pakistaneze të akuzuar për terrorizëm. Gjatë seancës së parë gjyqësore zhvilluar në gjykatën e qytetit Preston në veri të Anglisë prokurori i çështjes ka lexuar aktakuzën e implikimit të tyre në akte terroriste. Sipas prokurorisë, i dyshuari Krenar Lusha 30 vjeç akuzohet për tërheqjen nga interneti të materialit audio-viziv që tregonin se si mund të ndërtohet një bombë që përdoret në sulmet kamikaze.
Ndër provat që disponon prokuroria britanike kundër Lushës është edhe një bisedë e përgjuar në një chat, ku kosovari është shprehur se ai ishte shumë i lumtur të shikonte për të vrarë sa më shumë amerikanë dhe izraelitë.
Gjithashtu si provë material e gjetur në shtëpinë e Krenar Lushës është edhe sasia prej 4 kilogram nitrat, me të cilin sipas policisë, mund të ndërtohet një bombë në kushte artizanale.
Lusha i ka mohuar të dhjetë akuzat e ngritura ndaj tij për posedim të materialit të dyshuar për përdorimin në akte terroriste.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›