Anglia, qendra e “turistëve paditës për shpifje”Nga Vincent Dowd, BBCNjë komision parlamentar me influencë në Britani thotë se shumë njerëz që nuk janë të lidhur me Britaninë, janë duke paditur për shpifje në gjykatat angleze. I ashtuquajturi ‘turi
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Anglia, qendra e “turistëve paditës për shpifje”Nga Vincent Dowd, BBCNjë komision parlamentar me influencë në Britani thotë se shumë njerëz që nuk janë të lidhur me Britaninë, janë duke paditur për shpifje në gjykatat angleze.
I ashtuquajturi ‘turizëm për shpifje’ është duke u rritur, sepse avokatët që këshillojnë për rastet e shpifjes thonë se shanset për të pasur një sukses në gjyq janë më të mëdha në Britani, sesa në vende të tjera.
Anëtarët e këtij komisioni në parlamentin britanik thonë se i ashtuquajturi ‘turizmi për shpifje’ është duke i bërë dëm reputacionit të Britanisë si vendi i fjalës së lirë.
Të huajt dhe paditë
Në rrugët e Londrës është pamje e rrallë të shohësh kioska ku shiten gazeta. Shitësi i njërës prej tyre quhet Graham. Ai shet gazeta britanike, natyrisht dhe kohët e fundit shumë pak të huaja.
Gazeta Die Welt, një e përditshme gjermane e respektuar, shet vetëm tre kopje në ditë.
Graham thotë se gazetat nuk shiten më si më parë. “Le Figaro e Francës shet gjashtë kopje në ditë. New York Times nuk shitet fare, pasi është shumë e shtrenjtë, kushton 6.5 stërlina, që është mbi 10 dollarë, ndërsa numri i fundjavës kushton edhe më tepër,” thotë ai.
Sado që shesin vetëm pak numra në Britani, disa mendojnë që gazetat e huaja të mos shiten fare.
Vitin e kaluar, New York Times ishte një prej organizatave amerikane që i tha Komisionit Parlamentar për Kulturën se ligjet britanike për shpifjen janë disfunksionale.
Joshua Rozenberg, që është një analist për çështjet ligjore, thotë se duke gjykuar nga raporti i komisionit parlamentar, fjalët e rënda kanë goditur vendin e tyre.
“Ata janë akuzuar se po vijnë nga një vend ku ligjet kanë efekt rrënqethës mbi lirinë e fjalës së gazetarëve dhe shkrimtarëve amerikanë.”
“Ata janë shumë të shqetësuar lidhur me atë që është bërë i njohur si ‘turizmi për shpifje’, njerëzit vijnë nga vende ku është e vështirë të paditësh për shpifje një publikim.”
“Ata sjellin një padi, që nuk mund të ketë sukses në vendet e tjera, duke shkaktuar dëm dhe duke e bërë edhe më të vështirë për gazetarët që të shkruajnë,” thotë zoti Rozenberg.
Ndryshimi me SHBA-në
Allan Adler nga Shoqata e Botuesve Amerikanë, shikon një problem thelbësor në ligjin britanik për shpifje.
“Rregulli themelor nuk është që paditësi të provojë që ajo që është shkruar është false, por që i padituri duhet të provojë që ajo që ka shkruar ka qenë e vërtetë. Kjo është e kundërta e rregullit në SHBA.”
“Për arsye se ligji në SHBA është i mbështetur në Amendamentin e Parë, ka rëndësi kushtetuese, ndaj edhe pasi kanë vërejtur një numër çështjesh, ne besojmë se është e nevojshme të përpiqemi të shohim nëse është e mundur që të mbështesim disa ndryshime në sistemin britanik të drejtësisë, teksa në të njëjtën kohë kemi kërkuar disa ndryshime në Kongresin amerikan, që ai ta adresojë këtë problem,” thotë Allan Adler.
Goeffrey Robertson, një prej avokatëve më të njohur në Britaninë e Madhe, thotë se Londra është kthyer në kryeqytetin botëror për paditje për shpifje, dhe shton se do të ishte i lumtur të shikonte që ky titull të zhdukej.
“Në Amerikë e marrin shumë seriozisht lirinë e shtypit. Amendamenti i Parë ka krijuar një kulturë ku liria e fjalës është më absolute, ku gazetat janë të inkurajuara, që si çmim për lirinë e fjalës, të verifikojnë faktet dhe të veprojnë në mënyrë më të përgjegjshme.”
“Për arsye se ato veprojnë në mënyrë të përgjegjshme, ato nuk mund të paditen me sukses, e kundërta ndodh kur ato veprojnë të shkujdesura dhe nuk paraqesin të vërtetën,” thotë zoti Robertson.
Ligjet evropiane
Gjithnjë e më shumë ligjet evropiane po ofrojnë mbrojtje të jetës private të njerëzve.
Edhe sikur të botosh diçka që është e vërtetë për një figurë publike, tani kjo mund të cilësohet sikur prek të drejtat e njeriut. Analisti për çështjet ligjor, Joshua Rozenberg shpjegon: “E drejta e jetës private vjen nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut, që thotë se çdo njeri ka të drejtë të respektojë jetën private dhe atë familjare, por nga ana tjetër, të gjithë kanë të drejtën e fjalës dhe shprehjes.”
“Është shumë interesante që deputetët nuk i kanë rekomanduar parlamentit që të ndërhyjë, sepse është diçka që duhet t’u lihet gjykatësve individualë. Është mbi të gjitha një veprim ekuilibri.”
Raporti i komisionit parlamentar nuk u jep gazetarëve një recetë të shëndetshme.
Ai thotë se “ata janë të përfshirë në sjellje që shihen si ndërhyrje dhe që madje mund të jenë të paligjshme.
Raporti përfundon me fjalët: “… gazetaria hulumtuese po pengohet nga kërcënimi i kostos së veprimeve paditëse për shpifje”.
Tani i takon qeverisë britanike të vendosë nëse pajtohet dhe nëse do të bëjë diçka për këtë gjë.