Anglia, shëtitje nëUells, fitore përvendin e parë
UELLS- Anglia e Fabio Kapelos ka mposhtur 2-0 Uellsin në Kardif, duke marrë grupin e grupit G. “Tre Luanët” kanë vendosur gjithçka në pjesën e parë në derbin britanik, me golat e Frenk Lampard nga pika e penalltisë dhe të Darren Bent, pas asistit të Eshli Jang. Reagimi i uellsianëve ka qenë i vakët dhe në minutat e fundit Stjuart Dauning ka patur mundësinë për të shënuar edhe golin e tretë për Anglinë. Skuadra e Fabio Kapelos ka përfituar nga pushimi i Malit të Zi për të marrë kryesimin e grupit, me pikë të barabarta me të, 10. Përsa i përket ndeshjes, ajo nisi me një atmosferë fantastike në stadiumin “Millennium”. Vendasit ishin shumë kuriozë për të parë debutimin e trajnerit Geri Spid, që vetëm një vit më parë braktisi karrierën si futbollist. Po ashtu, një tjetër element i veçantë ka qenë fakti se kapiten i Uellsit ishte Aron Ramsej, talenti i Arsenalit, që bëhet uellsiani më i ri që mban në krah shiritin e kapitenit. Për uellsianët dukej një pasdite perfekte, por në fushë u është dashur të përballen me “urinë” e Fabio Kapelos. Kalojnë 7 minuta dhe Xhejms Kolins gabon rëndë, duke i lënë shumë hapësirë Eshli Jang. Ky i fundit futet në zonë dhe pengohet, duke marrë një penallti. Lampard nuk fal dhe kalon anglezët në avantazh. “Black-out”-i i Uellsit vazhdon dhe në minutën e 14-të, Jang fut një top për Bent, që e dërgon për herë të dytë në rrjetën e Henesi. Më pas, për Anglinë ka qenë një shëtitje e vërtetë, ndërkohë që mungesa e Garet Bejl duket se ka ndikuar shumë në lojën e skuadrës së Spid. Portieri Xho Hart ka qëndruar si spektator. Në fund, Dauning mund të kishte realizuar një gol spektakolar, por goditja e tij pas një aksioni personal, nuk përfundoi në rrjetë.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)