E Diel, 1 Nëntor 2026

Anglishtja, nën nivelin mesatar

 

Studimi i fundit i MASH tregon se niveli i dijeve në Anglisht është i ulët

Në 1070 nxënës të testuar, rreth 70 për qind kanë njohuri nën nivelin mesatar

Niveli i përvetësimit të Gjuhës Angleze në nxënësit e shkollave publike dhe jopublike, vazhdon të mbetet nën nivelin mesatar. Në këtë përfundim arrin studimi më i fundit në rang kombëtar, i kryer nga Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve (AVA), strukturë kjo në varësi të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencave, e cila vë re me shqetësim rezultatet e dala së fundi. Kështu, sipas AVA-s, në bazë të studimit të kryer në 36 shkolla, me kampion 1070 nxënës, rezulton se arritja mesatare e përvetësimit të Gjuhës Angleze është 67.82 pikë, nga 75.42 që është mesatarja e përgjithshme e vendosur, çka do të thotë se niveli i dijeve është nën mesataren e kërkuar.

Anglishtja, me "hope"

Për të kryer studimin mbi njohuritë e dijeve të nxënësve në Gjuhën Angleze, AVA, u mbështet në një fond prej 80 kërkesash, ku nxënësit e përzgjedhur në vitin e fundit të shkollës së mesme duhet të jepnin përgjigje në masën 50 për qind të pyetjeve. Për të bërë të mundur karakterizimin e nivelit të nxënësve, specialistët e MASH i vendosën rezultatet e testit për secilin kampion në sistem metrik nga 0-100 pikë, duke përcaktuar njëkohësisht 5 nivele arritjesh. Në përfundim të tij, studimi konkludoi se vetëm 4.4 për qind e nxënësve të testuar kishin arritje shumë të lartë në përvetësimin e dijeve, kurse 5.3 për qind rezultuan të ishin nxënës shumë të dobët. Po kështu, studimi doli në përfundimin se 20.3 për qind e nxënësve vlerësohen të jenë në nivel mesatar, ndërsa një pjesë e madhe e të testuarve, prej 33 për qind, konsiderohen si nxënës të nivelit të dytë, ose thënë ndryshe nën nivelin mesatar. Niveli nën mesataren vihet re edhe në pikët e fituara në test, ku shumë nxënës luhaten në kuotën e 60-70 pikëve. AVA konkludon se në studimin që specialistët e saj kanë kryer, gjysma e nxënësve kanë pasur arritje në test nën 66.1 pikë, 1/4 e tyre kanë fituar 39.9 pikë dhe 3/4 e tyre deri në 76.2 pikë. Diferenca e grupit të më të mirëve me grupin më të dobët rezulton të jetë ekuivalente me 3 nivele arritjesh ose afërisht 30 pikë. Kjo strukturë vë re në studimin e saj se ka një diferencë të dukshme statistikore midis arritjes mesatare në test, që është 67.2 pikë, dhe vlerës 75.42 pikë, të përcaktuar si referencë arritje e një nxënësi mesatar.

Dijet, femrat dominuese

E veçanta në këtë studim është se ka një ndryshim thelbësor përsa i përket përvetësimit të njohurive në Gjuhën Angleze midis gjinive. Ajo që vihet re është se në nivelet 0-1, që janë klasifikuar si nivele të dobëta, ka shumë më tepër meshkuj sesa femra, ndërsa në kategorinë e nxënësve në nivelet e larta 4-5, raportet ndryshojnë në favor të femrave. Siç edhe e theksuam më lart, femrat kanë arritje më të lartë se meshkujt në gjuhën angleze. Diferenca prej 4.15 pikësh në krahasim me arritjen mesatare të meshkujve e provon një gjë të tillë. Një tjetër tregues i rëndësishëm, i marrë për bazë në studim, është edhe niveli i përvetësimit të gjuhës angleze në qytet dhe në fshat, ku rezultati ishte ai që pritej. Sipas AVA-s, nxënësit e niveleve 0-1 janë në përqindje më të lartë të përqendruar në fshat sesa në qytet, ndërsa niveli 4-5 i përket më shumë shkollave të qytetit. Kjo statistikë përforcohet edhe më shumë nga diferenca prej 7.15 pikësh që kanë nxënësit e qytetit në krahasim me nxënësit e fshatit.

Shkollat jopublike "ok"

Interes në studimin e publikuar nga AVA paraqet treguesi i nivelit të dijeve në shkollat jopublike në krahasim me ato publike. Analiza tregoi se arritja mesatare e shkollave jopublike me 79.2 pikë është statistikisht shumë më e lartë se arritja mesatare e shkollave publike, e vlerësuar me 66.78 pikë. Një tjetër tipar i rëndësishëm në këtë studim është edhe grupimi i shkollave të arsimit të përgjithshëm dhe ato të arsimit profesional. Krahasimi i këtyre dy grupeve mbi arritjet në test, tregoi se nxënësit e arsimit të përgjithshëm kanë arritje mesatare 68.1 pikë, ndërsa nxënësit e arsimit të mesëm profesional një arritje mesatare prej 66.6 pikësh, duke treguar se niveli në grupin e parë është më i lartë se në të dytin.

Përsa i përket linjave të trajtimit të testit, ato u përqendruan në gramatikë, fjalor dhe në të kuptuar nga ku rezultoi, në bazë të të dhënave, se nxënësit janë më të aftë në linjën e të kuptuarit. Përsa i përket faktorit gjini, analiza e të dhënave tregoi se diferenca midis arritjeve të nxënësve meshkuj dhe femra ishte në favor të gjinisë së fundit, për të tre linjat. Ky ndryshim është veçanërisht më i theksuar për linjën "Fjalor" dhe më pak për linjën "Gramatikë".

Profesionalet, "ngelin" në klasë

Së fundi, ajo që vlen të shikohet me kujdes në studimin e kryer nga AVA, mbi njohuritë e nxënësve në Gjuhën Angleze, është edhe faktori se si ndryshojnë arritjet e shkollave, tregues i cili përfaqësohet nga mesatarja e arritjeve individuale të nxënësve të çdo shkolle në veçanti. Kështu, nga analiza e kryer, rezultoi se 37.1 për qind e variacionit total të arritjeve i dedikohet variacionit midis shkollave, ndërsa 69.2 për qind i dedikohet variacionit brenda shkollave. Kjo tregon një ndryshueshmëri të konsiderueshme të efektivitetit të shkollave në lidhje me nivelin e dijeve në anglisht. Një vëzhgim i kujdesshëm i arritjeve mesatare në shkollë, tregon që ka diferenca të theksuara midis tyre. Kështu, studimi tregon se ka një diferencë të dukshme midis shkollave të qytetit (mesatarja e arritjeve shkollore 70 pikë) krahasuar më shkollat e mesme të fshatit, 61.8 pikë. Kjo diferencë pikësh është e dallueshme edhe në krahasimin midis shkollave të mesme të përgjithshme dhe ato profesionale, ku këto të fundit, me arritje mesatare në vlerën 63.4 pikë, gjenden në disfavor prej gati 7 pikësh me të parët.

Studimi: "Fshati, më shumë celularë se libra"

Në studime të tilla, rëndësi të veçantë kanë edhe faktorët që lidhen me ambientin social, ekonomik, familjar dhe shkollor si edhe me vetë pikëpamjet e nxënësve, që kanë efekt të rëndësishëm në arritjet shkollore. Një nga treguesit e rëndësishëm që u morën për bazë në këtë studim ishte edhe treguesi i mirëqenies ekonomike te nxënësit dhe si ndikon ky faktor në arritjet e tyre. Ky tregues u krijua nga përgjigja e nxënësve në pyetësor, nëse ata kanë në shtëpitë e tyre objekte të tilla si makinë, kompjuter, shërbim interneti, dhomë personale, si edhe objekte që lidhen drejtpërdrejt me mirëqenien. Nga analiza rezultoi se ndryshe nga qyteti, ku nxënësit e pyetur kanë 51.4 për qind kompjuter, në fshat vetëm 15.4 për qind e nxënësve kanë mundësi të kenë një objekt të tillë pune. Po kaq e vogël është dhe përqindja e nxënësve që kanë akses në shërbim Interneti. Kështu, në fshat vetëm 3.4 për qind e nxënësve gëzojnë një shërbim të tillë, ndërsa në qytet vetëm 33.7 për qind. Interes paraqesin në studim edhe objektet e tjera të testuara. Kështu, tavolinë pune në fshat rezultoi të kishin 68 për qind e nxënësve, kurse në qytet 89 për qind. Dhomë personale në fshat kanë 70 për qind e të anketuarve, ndërsa në qytet 73.3 për qind. Më dobët duket të jetë masiviteti i librave artistikë. Sipas AVA-s, më shumë se 10 libra artistikë në fshat kanë vetëm 39.7 për qind e nxënësve, ndërsa në qytet 70.5 për qind. Në fshat, më shumë se libra artistikë, nxënësit duken të kenë CD muzikore, nga ku del se mbi 5 CD kanë thuajse 78.4 për qind e nxënësve të qendrave rurale. Masivitet në fshat duket se kanë makinat dhe celularët. Kështu, në shtëpitë e tyre, 36.1 për qind e nxënësve të pyetur kanë makinë, ndërsa në qytet 48.1%. Së fundi, shtrirje të gjerë gjen edhe celulari, ku në fshat 91.1 për qind e nxënësve disponojnë një aparat të tillë, ndërsa në qytet 94.1 për qind.

Lind këshilli i politikave në arsim

Parlamenti shqiptar ka miratuar së fundi ngritjen e Këshillit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar, këshill i cili do të mbështesë ministrinë e linjës për formulimin e politikave të zhvillimit të arsimit parauniversitar. Konkretisht, ky organ do të kontribuojë me këshillim për strategjitë dhe programet kombëtare për arsimin parauniversitar; për reformën kurrikulare; për projektbuxhetin dhe mënyrën e shpërndarjes së tij, si edhe për standardet e vlerësimit të institucioneve të arsimit parauniversitar. Deri tani, rolin e këtij këshilli e kanë luajtur grupet e përhershme të punës të ngritura në MASH. Përmes këtij amendamenti, një praktikë e tillë institucionalizohet me ligj. Sipas burimeve zyrtare në MASH, ky është një hap i rëndësishëm përpara në konsolidimin e politikave afatgjata në arsim. Këshilli do të përbëhet nga 13 anëtarë të tjerë, ekspertë të zgjedhur me konkurrim publik, por edhe me përfaqësues të Ministrisë së Financave, të Brendshme, të Punës, të Shëndetësisë, të Mjedisit dhe përfaqësues të pushtetit vendor.

Sipas MASH, reforma arsimore e shprehur në dokumentet e hartuara (strategji e projekte të ndryshme), në zbatim, ka vlerën e një platforme kombëtare, ku të gjitha grupet e interesit duhet të japin kontributet e tyre. Parë në këtë optikë, shikohet si domosdoshmëri ngritja e këtij këshilli për sigurimin e një angazhimi intensiv dhe profesional, për vendosjen e dialogut gjithëpërfshirës dhe për ndërtimin e mirëkuptimit ndërmjet aktorëve realizues, me synim ndërtimin e një sistemi arsimor, kombëtar e modern, që mbështet rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe konsolidimin e demokracisë. Këshilli Kombëtar i Arsimit Parauniversitar do të ndihmojë me këshillime shumë të kualifikuara Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, në kryerjen e funksioneve dhe të detyrave të saj, në drejtim të vendimmarrjes, me impakt afatgjatë dhe të rëndësisë së veçantë. Këshilli organizon analiza për zhvillimet themelore që parashikohen të ndërmerren në procesin e reformimit të sistemit, si dhe ndërhyrjet e nevojshme për zhvillimin, përmirësimin, planifikimin e zbatimit të Strategjisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar (SKAP).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›