E Shtunë, 31 Tetor 2026

BB: Kriza e çmimeve, të rriten pagat e pensionet

 

"Rritja e pagave, pensioneve dhe ndihmat, të jenë vetëm për shtresën e varfër të popullsisë"

Përsa i përket ndikimit që rritja e çmimeve do të ketë mbi shtresën e varfër të shoqërisë, Banka Botërore po këshillon qeverinë të përmirësojë objektivin e politikave të saj të pagave dhe pensioneve, në mënyrë që ato të mbështesin pikërisht ata që nuk janë në gjendje të përballojnë çmimet".

Rritja e fortë e çmimeve të mallrave të konsumit bazë ka goditur prej muajsh vendin, ndërsa qeveria ende nuk ka marrë asnjë masë për këtë krizë që ka vënë në vështirësi veçanërisht shtresat e varfra të popullsisë. Banka Botërore, duke vlerësuar se rritja e çmimeve do të vazhdojë përgjatë gjithë vitit 2008, ka kërkuar nga qeveria që të marrë masa për të ndihmuar shtresat në nevojë të popullsisë. "Përsa i përket ndikimit që rritja e çmimeve do të ketë mbi shtresën e varfër të shoqërisë, Banka Botërore po këshillon qeverinë të përmirësojë objektivin e politikave të saj të pagave dhe pensioneve, në mënyrë që ato të mbështesin pikërisht ata që nuk janë në gjendje të përballojnë çmimet",- ka bërë të ditur përfaqësuesja e BB për Shqipërinë, Camille Nuamah. Por, sipas specialistëve të BB, qeveria duhet të jetë e kujdesshme edhe në këtë aspekt, pasi një rritje e shpenzimeve qeveritare në masë do të bënte presion për një rritje të re të çmimeve. "Banka Botërore mendon se ka nevojë serioze për të ndërhyrë në këto politika në mënyrë që mbështetja të mos jepet për gjithë klasën e mesme në përgjithësi, pasi kjo do të rriste kërkesën dhe, për rrjedhojë, do të çonte në rritjen e inflacionit. Duhet të kushtohet vëmendje që subvencionet që do të jepen për energjinë dhe rritja e pensioneve, që është një pjesë e rëndësishme e zbutjes së varfërisë në Shqipëri, të jepen për të varfrit.

Të varfrit rrezikojnë ushqimin

"Rritja e çmimeve të ushqimeve në rang botëror, rrezikon arritjet e viteve të fundit në luftën kundër varfërisë dhe kequshqyerjes", njoftoi Banka Botërore, në raportin e saj të fundit. Ndërsa një nga specialistët e ekonomisë së Bankës Botërore, Andrew L.Dabalen deklaroi në Tiranë se asnjë vend, përfshirë edhe Shqipërinë, nuk mund t'i shpëtojë rritjes së çmimeve. "Vendi juaj importon pjesën më të madhe të drithit, e për pasojë, nuk mund të shpëtojë nga rritja e çmimeve",- tha Dabalen.

Në Uashington, një deklaratë e presidentit të Bankës Botërore, z.Robert B.Zoellick, deklaroi se ky institucion "nuk do të ofrojë ndihmë të menjëhershme për vendet e rrezikuara, por do të ndihmojë këto vende të identifikojnë veprime dhe aksione që do të mund të zvogëlojnë pasojat negative te shtresat më në nevojë". Vitin e kaluar, çmimet e ushqimeve u rritën deri me 14% në vendet e Evropës Lindore dhe tendenca e vërejtur qe që në vendet më të varfra, rritja e çmimeve qe më e ulët. Në Shqipëri, çmimet e ushqimeve u rritën gjatë vitit të kaluar me 5.4%, sipas shifrave zyrtare të INSTAT, ndërsa në mars të këtij viti, rritja e çmimeve arriti në 7.7%. Gjatë vitit të kaluar, Shqipëria importoi 79 milionë euro drithë dhe 12.5 milionë euro miell të gatshëm. U importuan gjithashtu edhe 21.7 milionë euro sheqer, 290 milionë euro ushqime të gatshme dhe 46 milionë euro vaj e yndyrë. Të gjitha këto importe qenë më të shtrenjta dhe janë përgjithësisht mallra që nuk mund të zëvendësohen, as nuk mund të jetohet pa to. Vetëm gjatë 2 tremujorëve të fundit të vitit 2007, kategoria e ushqimeve të përpunuara pësoi një rritje në inflacion përkatësisht prej 9.5 për qind dhe 10.6 për qind. Rritja në të tilla nivele vazhdon që të jetë e pranishme edhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2008. Mallrat e shportës janë edhe mbartësit kryesorë të inflacionit, duke u kthyer në mallra luksi për shtresat e varfra, që pjesën dërrmuese të të ardhurave e shpenzojnë për ushqim.

Indeksim për pagat dhe pensionet

Specialistë të ekonomisë deklarojnë se qeveria nuk duhet të akordojë buxhet suplementar për këtë vit, por të indeksojë pagat dhe pensionet në vend. Zef Preçi, ekspert i ekonomisë, bën të ditur se "qeveria, përpara se të prezantojë për të tretin vit radhazi buxhetin suplementar në mesin e vitit, duhet që të mendojë për të minimizuar efektet e kësaj situate, çka do të thotë stimulim i prodhimit vendës, indeksimi i pagave për buxhetorët dhe mbështetje sociale për shtresat në nevojë, pasi situata inflacioniste po zgjeron rrethin e njerëzve që jetojnë në varfëri ekstreme". Megjithëse specialistët rekomandojnë stimulim të prodhimit bujqësor, ky sektor është duke përjetuar një krizë të thellë. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vlerësuar për vitin 2008 një rritje të këtij sektori me 2.5 për qind të prodhimit, rritje se 2 herë më e ulët se e ekonomisë në tërësi. Pavarësisht këtij vlerësimi, që mbetet 5 herë më i ulët se rritja në sektorët e tjerë të ekonomisë për 2008, mosarritja e këtij trageti do të cenonte rimet e ekonomisë në tërësi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›