Qyteti Studenti, vajza "ujk" që tmerron banorët
Sipas studenteve të Godinës 25, që prej 2 muajsh, një vajzë ulërin çdo natë si ujk. I kemi thënë edhe drejtorit
Prej më shumë se dy muajsh, banoret e Godinës 25 në Qytetin Studenti kanë qenë në një gjendje stresuese. Shkak për këtë ka qenë "loja" që një bashkëmoshatare e tyre i bënte pothuajse çdo natë, duke i trembur pas mesnatës me një klithmë të veçantë në formën e ujkut. Konviktoret shprehen për gazetën "Shekulli" se prej disa kohësh nuk e bëjnë gjumin rehat, derisa kanë identifikuar vajzën. Ky lajm, në dukje qesharak dhe i çuditshëm, duket se për banoret e kësaj godine ka qenë më shumë se kaq dhe pikërisht, një ankth i vërtetë. Situata e krijuar dhe revoltimi i studenteve ka arritur deri në Drejtorinë e Qytetit Studenti, të cilët kanë marrë menjëherë masat për kapjen e vajzës "ujk". Një ditë më parë, drejtori i kësaj qyteze, Bujar Brovina pohon se në shoqërinë e zv.drejtorit dhe me psikologen kanë trokitur në dyert e dhomave të vajzave në kërkim të vajzës çapkëne. Ata kanë biseduar me të gjitha vajzat e katit të pestë të Godinës 25 derisa më në fund kanë gjetur personazhin.
Shqetësimi
Banoret shprehen të shqetësuara për faktin se nuk dinë ende se çfarë është bërë me vajzën "ujk", të cilat dyshimet e tyre i hedhin mbi dhomat e katit të pestë. Kështu
Eranda Shkëmbi, banore e kësaj godine, studente në Fakultetin Histori-Filologji thotë se jenë shumë të stresuara. "Të zgjohesh një herë në dy ditë nga klithmat e ngjashme me ato të një ujku, nuk është vetëm e frikshme por edhe acaruese, sepse kemi afërsisht dy muaj me këtë çudi",- pohon ajo. Ndërsa një tjetër studente, po banore e kësaj godine, Rozeta Daçi, thotë se është bërë e natyrshme tani që para se të flemë, të mendojmë për zgjimin e frikshëm që na ndodh gati përnatë. "Ne ende nuk e njohim me saktësi identitetin e "ujkut" megjithatë shpresojmë që Drejtoria ta zgjidhë këtë situatë dhe që kjo shaka fëminore të mbyllet me kaq",- thotë Rozeta. Në fakt, gjatë ditës vajzat ndodhinë e përdorin si argument për të qeshur por kur vjen nata, shqetësimi i tyre është shumë i madh dhe i frikshëm. "Ndodh që gjatë ditës ne të qeshim, por kur vjen nata është me të vërtetë e frikshme dhe në të njëjtën kohë jemi acaruar. Jemi shndërruar në detektive private, të gjitha së bashku, në kapje të "ujkut". Në ambientet e godinës erdhi drejtori me një psikologe, të cilët e ndoqën nga afër situatën, por ne ende nuk jemi informuar nëse e gjetën vajzën apo jo",- pohon Esmeralda Cenollari, banore në këtë godinë, studente në degën e Gazetarisë.
Brovina: Vajzat të mos shqetësohen, ngjarja nuk ndodh më
Vajza që bënte këtë akt të shëmtuar është identifikuar dhe nuk do të ndodhë më që studentet të bezdisen. Kështu është shprehur drejtori i Qytetit Studenti, Bujar Brovina, i cili në fillim u shpreh i rezervuar dhe ngurroi të fliste në lidhje me këtë ngjarje, duke e cilësuar si një ngjarje të rëndomtë dhe jo me probleme kaq të rëndësishme. "Këto janë probleme të moshës së tyre. Ne i kemi kontaktuar të gjitha vajzat dhe kemi folur me to për këtë ndodhi",- thotë Brovina duke shtuar se probleme të kësaj natyre vajzat i zgjidhin vetë. Ndërkohë ia ka pohuar se kanë shkuar në godinë dhe janë interesuar, dhe se personazhin e kësaj historie, pra vajzën që bënte shakanë, ne e kemi identifikuar. Ndërkohë Brovina nuk e bën publik identitetin e vajzës, duke ruajtur anonimatin. "Vajzat e tjera të godinës duhet të jenë të qeta dhe të sigurta, pasi një ngjarje e tillë nuk ka për të ndodhur më",- pohon Brovina.