E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompensimi i energjisë, asnjë lek për 3-mujorin e parë

 Nga 3.3 milionë dollarë që ishin parashikuar për kompensimin e pensionistëve, për 3-mujorin e parë nuk është disbursuar asnjë lek

Tremujori i parë i vitit 2008 nuk ka ofruar asnjë lek kompensim energjie për shtresat në nevojë. Për këtë tremujor ishte parashikuar në buxhet një fond prej 3.3 milionë dollarë për shtresat në nevojë, që ka mbetur i paprekur. Në një kohë që Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar bëjnë apel për të subvencionuar rritjen e çmimit të energjisë për shtresat në nevojë në kushtet e një krize të thellë çmimesh, qeveria nuk përdor asnjë lek nga fondi që ka vënë në dispozicion pikërisht për këtë qëllim, gjatë kësaj periudhe. Edhe pse shumë kryefamiljarë në nevojë kanë plotësuar dokumentacionin e nevojshëm, deri tani nuk kanë përfituar asnjë qindarkë. Marrëveshja për kompensimin e energjisë elektrike parashikon një kompensim mesatar prej 500 lekësh të reja në muaj, për pjesën më të madhe të familjeve që kanë të ardhura të ulëta. Për vitin 2008, në total, është parashikuar që të ketë një kompensim prej 1.4 miliardë lekë, shifër kjo e njëjtë me vitin 2007.

Qeveria harron kompensimin

Edhe në vitin 2007 është konstatuar e njëjta situatë përsa i përket kompensimit të energjisë për shtresat me të ardhura minimale. Për vitin që kaloi nga 934 milionë lekë që ishin parashikuar si fond kompensimi për energjinë elektrike, janë disbursuar vetëm 408 milionë lekë ose 43.7 për qind e totalit. Qytetarët që kanë aplikuar gjatë vitit të kaluar për të përfituar këtë kompensim minimal, bëjnë të ditur se veç dokumentacionit të dorëzuar, kohës dhe parave të harxhuara, nuk kanë mundur që të përfitojnë asgjë tjetër. Marrëveshjen për përfitimin e kompensimit të këtyre fondeve e ka lidhur edhe Ministria e Shëndetësisë, pasi një pjesë e mirë e punonjësve të këtij sektori përfshihen në kategorinë e pagave të ulëta. Kryesisht, në këtë kategori janë infermieret edhe sanitaret që punojnë në spitale. Por ky kompensim nuk është miratuar vetëm për Sektorin e Shëndetësisë por edhe kategori të tjera me të ardhura të ulëta, si pensionistët dhe shtresa të tjera në nevojë, me të ardhura nën minimumin jetik të jetesës. Por deri tani, asnjë prej këtyre kategorive nuk i është dhënë kompensimi prej 500 lekësh të reja në muaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›