Topi Mesic premtojnë liberalizim vizash
Liberalizimi i vizave midis Shqipërisë dhe Kroacisë, ka qenë një nga çështjet kryesore të diskutimit midis presidentit të vendit, Bamir Topi dhe homologut kroat, Stipe Mesic, i cili ka mbërritur sot në Shqipëri për një vizitë dy ditore. “Deri në vitin 2000 kemi patur një regjim të rreptë vizash, i cili praktikisht i ka demstumiluar qarkullimin e njerëzve dhe mallrave. Do të marrim të gjitha masat që regjimi i vizave të liberalizohet në kornizat maksimale të mundshme” – tha Stepic në përgjigje të gazetarëve të pranishëm në konferencë.Edhe Topi tha se: Liberalizimi i vizave do të bëjë të intensifikohen edhe më shumë marrdhëniet ekonomike të cilat nuk janë aq të mira sa ato politike. “Do të krijojmë një terren mjaft të përshtatshëm që marrdhëniet e biznesit të zhvillohen pa asnjë lloj pengese ligjore, dhe mbi të gjitha pa asnjë lloj pengese psikologjike”- tha Topi. “Me presidentin Mesic jemi takuar disa herë. Preokupimi i tij, ishte dhe është, dhe ne duhet të vendosim një linjë direkte ajrore që të lidhi Zagrebin me Tiranën, Zagrebin me Prishtinën, dhe të rivitalizojmë disa linja që kanë qenë tradicionale. Adriatiku është një det i përbashkët, ku lëvizin njerëz dhe mallra. Vendosja e linjës direkte nga Durrësi për në Rieke, është shumë e rëndësishme”- vazhdoi Topi.
Projekt për udhëtimet në linjë ajrore dhe detare
Shqipëria dhe Kroacia do të lidhen së shpejti me një linjë ajrore në Zagreb-Tiranë. Rruga ajrore shkurton distancën mes dy vendeve në 45 minuta. Por mes vendit tone dhe Kroacisë do të ketë një linjë detare Rierke-Durrës.
Të dyja këto projekte ambicioze, që janë bërë publike në foruminekonomik shqiptaro-kroat, synohen nga të dyja qeveritë për të realizuar dhe zhvilluar marrëdhëniet tregtare mes tyre. Presidenti Topi u shpreh se këto dy projekte do ta ndihmonin në zhvillimin ekonomik mes të dyja vendeve. Ndërsa presidenti kroat Mesiç theksoi se 'duhet të vazhdojmë bashkëpunimin mes dy vendeve edhe për vitet në vazhdim. Bashkëpunimi i vendit tonë me Kroacinë duhet të jetë jo vetëm politik por edhe ekonomik, veçanërisht në fushën e transportit dhe shkëmbimeve tregtare'.
Megjithatë Shqipëria ka tashmë mërrëdhenie të zhvilluara në tregtinë e jashtme me Kroacinë për shkak të Marrëveshjeve të Tregtisë së Lirë. Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Doganave shkëmbimet tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Kroacisë kapinshifrën 43 milionë dollarë, për vitin 2007.
Reforma zgjedhore dhe zgjedhja e presidentit
Në konferencën mes Mesic dhe Topit u prek edhe çështja e reformës zgjedhore dhe zgjedhja e presidentit. Topi nuk dha ndonjë mendim lidhur me këtë çështje. Ai tha se “Presidenti i Republikës nuk interferon në debatin politik, aq më shumë në debatin parlamentar, për vendimmarrjet që konsiderohen politike”.
Ai u shpreh se: “partitë politike duhet të kenë kujdes nëse vendosin të prekin Kushtetutën, dhe nëse kjo ndodh procesi duhet ti nënshtrohet një dialogu të gjerë, një konsultimi konstruktiv, dhe kjo ndërhyrje të konsiderohet shumë principate”- tha ai.
“Kushtetuta nuk është një ligj i thjeshtë, gjithsesi unë inkurajoj të gjitha proceset reformuese që do jenë në funksion të shqiptarëve, dhe jam i prirur të besoj që ndërhyrjet të mos jenë për çështjet e interesave të vogla”- përfundoi Topi.
Fjala e plotë e presidentit Bamir Topi
Unë ju uroj edhe publikisht për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, ftesë të cilën e morëm në të njëjtën ditë. Kemi shprehur dhe hidhërimin që kësaj ftese nuk ju bashkua edhe vendi i tretë i kartës, Maqedonia, por besoj jo për çështje substanciale por për çështje formale që kanë të bëjnë me emrin.
Pra dhe në takimin që ne patëm, shprehëm dëshirën që dhe Maqedonia të zgjidhë çështjen dhe ftesa që është lënë e hapur të formalizohet me futjen edhe të vendit tjetër të A3-it në familjen e madhe Euro-Atlantike.
Vlerësuam që marrëdhëniet diplomatike midis Kroacisë- dhe Shqipërisë janë marrëdhënie mjaft të mira, por nuk i vlerësuam të tilla marrëdhëniet e karakterit ekonomik.
Shprehëm dëshirën që këto marrëdhënie të intensifikohen, duke patur si pikë referimi dhe takimin e shteteve të Ballkanit të organizuar vitin e kaluar, ku u shpreh që rajoni ballkanik ka nevojë për rritje të investimeve dhe për çështje që kanë interes reciprok.
Kam vlerësuar në mënyrë eksplicite rolin e Mesic, liberalizimin e vizave. I kërkova z. President që nga regjimi i liberalizuar ne të kalojmë në një regjim tjetër të vizave. Është një terminologji regjimi i vizave që do të thotë pa viza, në mënyrë që të gjithë qytetarët të kenë mundësi reciprokisht në dy vende që janë tradicionalisht miq, por që sot janë më afër se kurrë në familjen e madhe Euro- Atlantike.
Me presidentin Mesic jemi takuar disa herë. Preokupimi i tij, ishte dhe është, dhe ne duhet të vendosim një linjë direkte ajrore që të lidhi Zagrepin me Tiranën, Zagrepin me Prishtinën, dhe të rivitalizojmë disa linja që kanë qenë tradicionale.
Adriatiku është një det i përbashkët, ku lëvizin njerëz dhe mallra. Vendosja e linjës direkte nga Durrësi për në Rieke, është shumë e rëndësishme.
Z. President mendoj se Shqipëria është në momente shumë të rëndësishme të zhvillimit politiko-ekonomik.
Sot në rend të ditës çohen çështje të modernizimit, të infrastrukturës. Së pari ajo që e shpreha edhe në takim ka të bëjë me energjinë dhe me rrugën Adriatiko - Joniane.
Besoj se të gjitha këto i japin një vizion të qartë perspektivës. Unë besoj që marrëdhëniet midis institucioneve (takimet me dhomat e biznesit), do të kenë hapësirën e nevojshme dhe një terren mjaft të përshtatshëm që këto marrëdhënie të biznesit të zhvillohen pa asnjë lloj pengese ligjore, dhe mbi të gjitha pa asnjë lloj pengese psikologjike.
Më lejoni edhe një herë Z. President t’ju falënderoj për mirëkuptimin në të gjitha çështjet që ne diskutuam. I takon institucioneve të shteteve tona, që ta shtrijnë dhe ta intensifikojnë këtë lloj bashkëpunimi, mjaft pozitiv që ekziston midis nesh.
Ju uroj qëndrim të këndshëm në Shqipëri. Nesër do kemi rastin të vizitojmë Shkodrën, qytet i dashur dhe për ju, dhe me tradita të hershme dhe me mikpritje gjithashtu.
Fjala Stipe Mesic
Sot në ekipin tim kam disa shqiptarë me vete. Pikërisht sapo përfunduam një bisedë miqësore me Topin dhe bashkëpunëtorët e tij. Në marrëdhëniet midis dy vendeve nuk ka probleme. Sikundër thashë jam i kënaqur me atë realizim dhe bashkëpunimi ynë ekonomik kërkon rritje të vazhdueshme. Mendoj se ka mjaft mundësi për përparimin e asaj që është realizuar deri më sot, dhe na takon ne që ti shfrytëzojmë këto mundësi. Vullneti politik ekziston dhe nuk shoh asnjë problem për të vazhduar edhe më shumë bashkëpunimin ekonomik.
Para pak kohësh morëm ftesat për paktin e Atlantikut dhe u krijua edhe një fushë tjetër për intensifikimin e marrëdhënieve tona. Shqyrtuam dhe situatën në rajon e cila meriton vëmendjen tonë. Ramë dakord se bashkëpunimi rajonal nuk ka alternativë tjetër veç futjes në familjen europiane.
Jam i mendimit se Kosova e Pavarur është një realitet i ri në rajon. Në përputhje me këtë pikëpamje Kroacia e ka njohur shtetin e Kosovës. Duhet të pushojmë të qenurit robër të të kaluarës por të shohim të ardhmen. E ardhmja jonë qëndron në Evropën e Bashkuar.
Unë kam parasysh dhe Serbinë. Në BE do të ketë gjithmonë vend për një Serbi demokratike. Bashkëpunimi me Serbinë është pjesë e pandashme e politikës tonë.
Kroacia dhe Shqipëria mund të vazhdojnë një bashkëpunim më të madh. Problemet globale si terrorizmi dhe ndryshimet klimaterike janë dhe problemet tona. Në përpjekje për zgjidhjen e tyre duhet të bashkëpunojmë.
Pyetje nga TVSHTopi sapo na njohu për liberalizim të vizave mes dy vendeve. A do ta merrni në konsideratë këtë kërkesë?
Ne kemi biseduar për regjimin e vizave. Deri në vitin 2000 kemi patur një regjim të rreptë vizash, i cili praktikisht i ka destimuluar qarkullimin e njerëzve dhe mallrave. Vetëm njerëzit të cilët e njohim mirë njëri tjetrin kanë mundësi të punojnë bashkë. Do të marrim të gjitha masat që regjimi i vizave të liberalizohet në kornizat maksimale të mundshme.
Pyetje nga TV. KlanZ. president si e shikoni fatin e reformave kushtetuese sot në Kuvend, fatin e paketës sot, dhe eksperiencën e vendit mik sa i përket zgjedhjes së presidentit. Ka debat të thellë nëse presidenti duhet të zgjidhet nga populli apo me shumicë votash në parlament? Ju çfarë mendimi keni?
Bamir Topi :Së pari çështja është shumë e rëndësishme dhe parimore. Presidenti i Republikës nuk interferon në debatin politik, aq më shumë në debatin parlamentar, për vendimmarrjet që konsiderohen politike. Sigurisht presidenti është garanti institucional dhe moral i dokumentit themeltar të shtetit që është Kushtetuta.
I vetmi dhe i vetmi prononcim i presidentit ka qenë pikërisht me kujdesin që do të kenë partitë politike në lidhje me prekjen e Kushtetutës. Ky proces do të shohë të nevojshme që ti nënshtrohet një dialogu të gjerë, një konsultimi konstruktiv, dhe kjo ndërhyrje konsiderohet shumë principale.
Mund t’ju them që çështja e prekjes së Kushtetutës nuk ka të bëjë thjesht me çështje të zgjedhjes së Presidentit. E kthej në vëmendjen tuaj që të mos fokusoheni vetëm te kjo pikë. Ka edhe një çështje që është zemra e këtij procesi, që është reforma zgjedhore që është çështje që mat mocionin ndaj kryeministrit. Pra nisur nga kjo unë nuk mund të paragjykoj dhe nuk dëshiroj të merrem në mënyrë absolute se si do të jetë rrjedha e ngjarjeve në kuvend.
Por i qëndroj konstant interpretimit që ka të bëjë me pozicionin kushtetutës së Presidentit të Republikës.
Në funksion të reformave mund të dali e nevojshme që kushtetuta të preket, dhe askush nuk besoj të jetë kundër përshtatjes së Kushtetutës me reformat. Por mënyra, shpejtësia, maturia që ka të bëjë me procesin duhet të vlerësohet sepse kushtetuta nuk është një ligj i thjeshtë, gjithsesi unë inkurajoj të gjitha proceset reformuese që do jenë në funksion të shqiptarëve, dhe jam i prirur të besoj që ndërhyrjet të mos jenë për çështjet e interesave të vogla. Lidhur me modelin natyrisht që nuk mund të flas.
Stipe Mesic përgjigja e pyetjes Ne kemi futur sistem të ri gjysmëpresidencial, ku presidenti kishte disa atribute më të mëdha se sa parlamenti. Jo për shkakun se një të tillë e ndikonte kushtetuta por sepse kjo shikohej si një normë kushtetuese. Prandaj në vitin 2000 ne ndryshuam kushtetutën dhe futëm në kushtetutë frymën e demokracisë parlamentare, me zgjedhjen e presidentit në zgjedhjet e përgjithshme. Kështu që presidenti drejton ushtrinë në kohë paqje dhe në luftë, përfaqëson shtetin jashtë kufijve dhe brenda kufijve, ai bashkëkrijon politikën e jashtme, emëron ambasadorët dhe përfaqësues të tjerë. Ai bashkëpunon me shërbimet e brendshme informative, dhe propozon kandidatët për gjykatën e lartë dhe ka një normë që presidenti kujdeset për mbarëvajtjen e punëve të shtetit. Sipas kushtetutës presidenti nuk mund të jetë anëtar i asnjë partie. Modeli i cili do zgjidhet varet nga çdo vend të veçanti. Ka shtete me një demokraci shumë të zhvilluar por që në krye të shtetit qëndron monarku. Ka dhe demokraci mjaft të zhvilluara por që presidentin e zgjedh parlamenti. Por kemi dhe president që zgjidhet nga vetë qytetarët. Prandaj presidenti është i rëndësishëm që të jetë një pikë e fortë e sistemit.