Anija “Atlantis” nis sot fluturimin e fundit

Anija kozmike amerikane “Atlantis” nis sot fluturimin e saj të fundit në hapësirë, edhe pse më herët administratorët e misionit të NASA-s thanë se do të presin të shohin si do të jetë moti. Anija Atlantis është caktuar të niset në orën 11:26 paradite sipas orës lokale amerikane nga Qendra e Hapësirës Kenedi në shtetin jugor të Floridës. Ekuipazhi i saj prej katër personash, do të dërgojë furnizime, paisje dhe disa eksperimente shkencore në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës gjatë misionit 12-ditor. Ekspertët e motit në agjencinë amerikane të hapësirës thanë se ka 70 për qind mundësi që retë dhe rrufetë ta shtyjnë nisjen e anijes deri të shtunën apo të dielën. Megjithatë qindra mijëra njerëz vazhdojnë të mblidhen për të parë nisjen. Misioni Atlantis do të jetë i 135-ti dhe i fundit i programit 30-vjeçar amerikan të anijes së hapësirës, i cili ka luajtur një rol të rëndëishëm në ndërtimin dhe funksionimin e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës. NASA thotë se po i jep fund misioneve të kësaj flote për t’u përqendruar tek eksplorimi i hapësirës më të largët. Astronautët të cilët përbëjnë ekuipazhin e anijes Atlantis të hapësirës ndodhen në Qendrën Kennedy të NASA-s në Florida dhe po ashtu shumë turistë të etur për të dëshmuar lëshimin e fundit historik të një anijeje Shuttle. Mediat amerikane thanë se më shumë se gjysmë milioni vizitorë pritet të mbërijnë për të parë lëshimin e fundit. Çdo park, parking apo urë do të jetë e mbushur me njerëz që do të përpiqen të shikojnë nisjen.