Krasniqi: Qeveria hoqi dorë nga elemente të shtetësisë

Qeveria e Kosovës ka hequr dorë nga disa elemente të shtetësisë, në momentin kur ka marrë zotimin për t`i respektuar konkluzionet që kanë dalë nga tri marrëveshjet me palën serbe, të cilat u arritën fundjavën e kaluar në Bruksel.
Në këtë konkluzion ka dalë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në një intervistë për shtypin e shkruar, vetëm pak çaste pasi i ka lexuar konkluzionet e ndërmjetësit të BE-së, Robert Cooper.
Gjatë intervistës, Krasniqi ka thënë se pala vendase nuk duhej të pranonte që qytetarët e Kosovës të lëvizin nëpër Serbi, pa pasaportat që mbajnë mbishkrimet e Republikës së Kosovës, ashtu sikurse nuk duhej të pranonte që kufiri mes dy shteteve, të cilësohet si “kufi administrativ”.
Kreu i kuvendit, e ka cilësuar të papranueshme edhe marrjen e fotokopjeve të regjistrave civilë në vend të origjinaleve. Ai tha se Kosova i ka pasur origjinalet e këtyre regjistrave qysh kur ka qenë krahinë autonome në kuadër të ish-Federatës jugosllave, kështu që edhe BE-ja duhej të bënte presion mbi Serbinë që t`ia kthente ato, pronarit legjitim.
Kryeparlamentari Krasniqi ndër të tjera ka thënë se u takon grupeve parlamentare të vendosin, nëse duan ta lënë Qeverinë të bëjë kompromise të tjera, apo do ta ndalojnë që të bëjë marrëveshje që nuk janë në favor të qytetarëve të Kosovës.
Gjithashtu Krasniqi, u shpreh haptazi se shefja e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri është treguar e papërgjegjshme në raport me obligimet që ka ndaj Kuvendit dhe Presidencës, për t`i informuar me rrjedhën e bisedimeve.