Anija e Poetekës, vjen në Durrës
Lexime publike, tryeza të rrumbullakëta, njohje me poetë të rinj, por edhe çmime. Festivali i poezisë "Poeteka", pritet të stacionohet sërish në Durrës nga 21-27 shtator. Edicioni i pestë i kësaj veprimtarie, e vetmja në llojin e vet në vendin tone, do të vijë me të tjera risi. Mësohet se gjatë javës poetike që do të organizohet në Durrës, Elbasan, Berat dhe Tiranë një veprimtari e veçantë do t'i kushtohet përkthyesve, si poetë të fshehur. Esetë, përkthimet, diskutimet dhe intervistat e tyre do të sjellin përvojën në fushën e përkthimit. "Fëmijëri mes librash" është tema e cila do të trajtohet në njërën prej ditëve të festivalit. Sipas organizatorëve, kjo veprimtari në formën e tryezës së rrumbullakët zhvillohet për herë të parë dhe do të ketë mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. "Autori në mikrofonin tim" dhe leximet e titulluara FormAline janë dy gjetje të reja të Poetekës 2009. Në bashkëpunim me radiot, televizionet dhe mediat në përgjithësi do të mundësohet njohja e publikut me poetë të ndryshëm dhe veprën e tyre, ndërsa leximet FormAline do të jenë jopublike dhe do t'i kushtohen atyre, që vlerësojnë poezinë si një formë intime. Gjatë festivalit do të jetë edhe një mbrëmje e titulluar "Një europian në oborrin e mbretit Monun", e cila do t'i kushtohet një poeti të huaj pak të njohur në vendin tonë. Etydet kinematografike dhe televizive me përshtypje dhe frymëzime nga bota e poezisë do të zënë vend gjithashtu në këtë veprimtari. Prezantimet e librave poetikë do të jenë një pjesë e rëndësishme e këtij edicioni, në të cilin kanë konfirmuar pjesëmarrjen 22 autorë nga 15 shtete të Evropës. Në përfundim të edicionit edhe këtë vit do të ndahen katër çmime. "Liburna" do t'i shkojë poetit me krijimtarinë më të mirë të botuar në faqet e revistës "Poeteka" gjatë vitit 2008-2009-u. Çmimi "Nositi" do të jepet për përkthimin e librit më të mirë poetik, ndërsa cmimi "Onufri" ka në qendër kontributin kritik letrar më të mirë të vitit. Ashtu siç edhe është bërë traditë, personaliteti më i spikatur i edicionit që do të nisë pas dy javësh do të nderohet me Unazën Poeteka. Edicioni i parë i Poetekës, është zhvilluar në Durrës në vitin 2005. Në katër edicionet e kaluara trofeun Unaza Poetike e kanë fituar autorët Sibila Petlevski (Kroaci), Maria Luisa Spaziani (Itali), Jevrem Berkoviç (Mali i Zi) dhe Casimiro de Britto.