E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fani Zguri, ironi me filmat e socrealizmit

 

ALMA MILE

Goca, viktima, spiunë, policë, gestapo, ushtarë, burra… Ata mund të jenë personazhe në çdo film të mundshëm, qoftë ky shqiptar, apo i huaj.. Por i kanë të gjitha gjasat për të qenë në veçanti personazhe të filmave shqiptarë të para viteve në '90, ku lufta e klasave, aksionet e forcave të sigurimit ndaj armiqve të brendshëm e të jashtëm, apo lufta antifashiste, ishin tematikat më të pëlqyera (nga halli) të regjisorëve shqiptarë. Dekada më vonë, pasi këta filma janë krijuar, artisti Fani Zguro rimerr disa prej tyre për të krijuar të tjera vepra artistike me to. Duke ndërhyrë në disa filma të krijuar në vitet e lulëzimit të Kinostudios "Shqipëria e re", Fani Zguro ngre një ekspozitë të tërë, të cilën e ka titulluar pikërisht "Goca, viktima, spiunë, policë, gestapo, ushtarë, burra" dhe do ta ekspozojë në datën 10 shtator në Galerinë "Valenzuela & Klenner" në Bogotà të Kolumbisë. Zguro guxon dhe "manipulon" këto vepra, duke ndërfutur në to kolona zanore bashkëkohore, që i japin edhe më tepër nuanca groteske veprave, apo shkëput ndonjë pjesë për ta ricikluar atë në vazhdimësi. Është kjo një mënyrë, jo vetëm për të ironizuar vepra të socrealizmit, por edhe për të krijuar vepra të reja mbi vepra tashmë të njohura, apo të "konsumuara" nga publiku. Për ekspozitën në fjalë, Zguro ka përzgjedhur dy filma shqiptar dhe një të huaj, pikërisht një prej veprave të regjisorit të njohur Oliver Stone.
Një prej punëve të tij titullohet "Fije që Priten" dhe bëhet fjalë për manipulimin e filmit shqiptar me të njëjtin titull të regjisorit Muharrem Fejzo, në përpjekje për të krijuar trailer-in e filmit. Si kolonë zanore për këtë film, ku interpretojnë aktorë të njohur të kinemasë shqiptare si Kadri Roshi, Roza Anagnosti, apo Reshat Arbana, është përdorur një nga hitet e Nick Cave and the Bad Seeds' "The Curse of Millhaven", marrë nga albumi "Murder Ballads". Sipas artistit Zguro, ky projekt kërkon të ironizojë fenomenin e krimit dhe revolucionit, i cili e ka zanafillën në periudhën e hershme, kur jezuitët e refuzuar konspironin kundër atyre në pushtet. Motoja 'atje ku mbaron puna jote fillon puna ime', duket se është në kontekst me qëllimin e kësaj videoje. Struktura e saj vijon si një trailer i mirëfilltë, duke i bashkëngjitur seleksionimit të filmit "Fije që Priten" kolonën zanore "The Curse of Millhaven", e cila ndonëse në periudhë dhe kohë të ndryshme nga filmi krijon më së miri komunikimin me të.
Një tjetër pjesë e ekspozitës, titullohet "Kalimtarë" dhe konsiston në manipulimin e filmit shqiptar "Nusja dhe shtetrrethimi" të regjisorëve Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro, ku interpretojnë aktorët Rajmonda Bulku, Kastriot Çaushi, etj. Megjithatë artisti ka përzgjedhur një detaj nga ky film. Kjo video zgjat 20 sekonda dhe përsëritet, duke krijuar kështu edhe performancën në video, në të cilën vihen re pesë ushtarë gjermanë të Luftës së Dytë Botërore, të cilët janë duke ecur në një rrugë të zbrazët, shoqëruar nga zhurma e lehtë e shiut. Ky është dhe fillimi i filmit shqiptar, i cili trajton ngjarje të kohës së Luftës II Botërore, gjatë periudhës së pushtimit të Shqipërisë nga nazistët. E veçanta në video konsiston në faktin se ushtarët nuk arrijnë të përfundojnë "misionin" e tyre, falë ndërhyrjes në montazh dhe përsëritjes në mënyrë vertikale. Duket sikur ata shkojnë gjithmonë deri në gjysmën e rrugës dhe kështu nisin marshimin përsëri nga e para.
"Ti Kthehesh" është një lloj versioni i ri i filmit me të njëjtin titull "U Turn" të regjisorit amerikan Oliver Stone. Në këtë përballje midis artistit dhe personazhit të vetëm në video kemi të bëjmë me një intervistë, e cila ngjason më tepër me shkëmbim batutash. Intervista merr një karakter cinik, e cila shndërrohet në një test negativ inteligjence. "Ti Kthehesh" fillon si një regjistrim turistik, për t'u shndërruar mandej në një situatë, ku e kaluara dhe e tashmja e personazhit të videos marrin një karakter grotesk.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›