Solis: Rama në krizë,ne do jemi në Kuvend
Sekretari i përgjithshëm i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Leonard Solis tha dje në një prononcim për mediat se kjo forcë nuk do ta bojkotojë Parlamentin në seancën e tij të parë. Ndryshe nga Partia Socialiste, aleatja parazgjedhore e PBDNJ-së, partia e minoritetit do të jetë e pranishme me deputetin e saj të vetëm, kryetarin Vangjel Dule. “Kriza e Ramës është kthyer në krizë partiake dhe këtë krizë do ta bëjë edhe krizë institucionale me pasoja për vendin. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut do të jetë në Kuvend nesër gjatë hapjes së punimeve të tij për këtë legjislaturë”, u shpreh Solis në një prononcim për mediat. Partia e minoritetit e cila në prag të zgjedhjeve të 28 qershorit u largua nga koalicioni i kryesuar nga Partia Demokratike për t’iu bashkuar Partisë Socialiste, ka akuzuar disa herë së fundi kreun e selisë rozë për qëndrimet ndaj institucioneve pas zgjedhjeve. “Përpara se Edi Rama të bërtasë për vjedhje nga koalicioni tjetër fitues i zgjedhjeve, duhet të sqarohen partitë brenda koalicionit me PS-në, për vjedhjen e votave të tyre, siç është dhe PBDNJ. Dy standarde nuk mund të ketë, kur e grabisin bërtet dhe kur grabit hesht. Siç i ndoqëm dhe zhvillimet e pjesshme të Kongresit me dyer të mbyllura, Rama vetëm për humbës nuk foli, por si gjithnjë gjatë këtyre dy muajve bërtiti për grabitje të votave. Pra, kjo shihet si alibi e Ramës për të fshehur humbjen e zgjedhjeve”, deklaroi Solis.