Qeveria, Berisha ftesë zyrtare Dules
ADI SHKEMBI
Kryeministri Sali Berisha fton zyrtarisht Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, për t’u bërë pjesë e koalicionit të djathtë. Burime zyrtare nga partia e minoritetit bëjnë të ditur për gazetën se kreu i ekzekutivit ka telefonuar kryetarin e PBDNJ-së, Vangjel Dule si dhe i ka çuar atij ftesë zyrtare, vetëm një ditë pasi kreu i kësaj partie deklaroi se ftesa ka qenë televizive. Zyrtarë të lartë të partisë që në zgjedhjet e 28 qershorit fitoi vetëm një deputet, bëjnë të ditur se ftesa e kryeministrit Berisha do të shqyrtohet në kongresin e PBDNJ në fund të muajit shtator, çka do të thotë se të paktën fillimisht kjo forcë nuk do të ketë një nga 14 ministritë e kabinetit Berisha. Pak ditë më parë dy zyrtarët e lartë të PBDNJ-së, Dule dhe Solis thanë se do të shqyrtojnë ftesën e Kryeministrit Berisha, duke deklaruar se përfshirja në koalicionin e djathtë, për ata nuk do të thotë me domosdoshmëri marrja e një posti ministror. Përsa i përket aleatëve të tjerë, kryeministri Berisha pritet të nënshkruajë gjatë ditës së sotme marrëveshjen qeverisëse me Partinë Republikane, e cila do të marrë postin e ministrit të Mjedisit, që do të drejtohet nga kryetari i partisë, Fatmir Mediu si dhe dy zv/ministra. Ndërkohë, Berisha nuk ka zhvilluar ende bisedime me Partinë për Drejtësi dhe Integrim. I kontaktuar mbrëmë nga gazeta kryetari i kësaj partie, Tahir Muhedini tha se ende nuk është thirrur nga kryeministri, ndërkohë që bëri të ditur se prej 10 ditësh i ka dërguar atij një letër me kërkesat e miratuara në kryesinë e kësaj partie. Burime pranë PD-së bëjnë të ditur për gazetën se PDI-ja megjithëse ka numër të njëjtë deputetësh me Partinë Republikane nuk do të ketë poste ministrore, por dy zv/ministra dhe disa drejtorë të niveleve të ndryshme. Mësohet gjithashtu, se në kushtet kur Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut nuk do të jetë pjesë e kabinetit qeveritar, kryeministri Berisha mund t’i ofrojë Ministrinë e Punës një prej dy përfaqësuesve të minoritetit që lanë PBDNJ-në për t’u bashkuar me PD-në, Spiro Kserës ose Kosta Barkës. Përsa i përket pjesës tjetër të Qeverisë, Berisha ende nuk ka vendosur se cili do të jetë konfigurimi përfundimtar i saj. Deri tani me siguri përveç katër posteve që ka marrë lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Republikane, mund të flitet vetëm për Ministrinë e Financave, e cila do të vazhdojë të drejtohet nga sekretari përgjithshëm i PD-së, Ridvan Bode, ndërsa pjesa tjetër e ministrave janë ende në diskutim. Burime pranë krejt të Qeverisë bëjnë të ditur se poste të rëndësishme në kabinetin e ri do të kenë edhe Lulzim Basha, ministri i aktual i Jashtëm, Sokol Olldashi, ministri i Transporteve, Genc Pollo, zv/kryeministër dhe Genc Ruli, ministri i Ekonomisë. Pranë konfirmimit janë edhe ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu dhe ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj.
Alibali: Godo mungoi,kryesia vendosi Mediun
Nënkryetari i PR-së, Neritan Alibali tha dje në një konferencë për shtyp se procesi i negociatave mes kësaj force dhe kryeministrit Berisha ka qenë transparent dhe forumet e PR ishin në dijeni të ecurisë së tyre. Duke iu referuar mbledhjes së fundit të kryesisë së republikanëve, Alibali tha se kryetari i asamblesë, Sabri Godo ishte në dijeni të kësaj mbledhje, por nuk kishte shkuar. “Zoti Godo është anëtar i kryesisë së PR. Ka raste që anëtarët e kryesisë nuk kanë ardhur. Zoti Godo është thirrur, por nuk ka ardhur”, tha nënkryetari i PR-së, Alibali.