E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ankand për tokën në qendër

 

ADI SHKEMBI

Toka mes rrugës së Durrësit dhe rrugës së Kavajës që u bë “mollë sherri” mes Bashkisë dhe Qeverisë do të shitet në ankand dhe fondi i përfituar prej saj do të kalojë për kompensimin e ish-pronarëve. Këtë e bëri të ditur dje kryeministri Sali Berisha, në mbledhjen e radhës së qeverisë, ku i kërkoi ministrit të Punëve Publike dhe atij të Ekonomisë të nxjerrin publikisht hartat që vërtetojnë se kjo pronë është shtetërore.
Shpronësimi
Duke iu rikthyer kohës së Mbretërisë, kreu i qeverisë u shpreh se e gjithë parcela nga Ministria e Kulturës deri pranë stacionit të autobusit që ndan rrugën e Durrësit me atë të Kavajës, është tokë e cila është shpronësuar nga qeveria e Zogut të Parë. “Zotërinj ministra, dua t’ju rikujtoj se ndërtesa e Ministrisë së Kulturës, sipas atlaseve dhe të gjitha dokumenteve, është ndërtuar në vitin 1932 nga Lartmadhëria e tij, Mbreti Zogu i I-rë, i cili në asnjë rrethanë dhe në asnjë rast nuk i ka përvetësuar kujt pronën, por ka shpronësuar në përputhje me Kodin Civil”, tha Berisha. “Më sipër janë varrezat e Karapicëve dhe xhamia e Karapicëve. Ka dokumente të qarta për këtë. Lartmadhëria e tij, Zogu i I-rë ndërtoi sheshin dhe hoqi të gjitha varrezat familjare ose shtëpiake që ishin brenda qytetit dhe i bëri të gjitha ato me shpronësim të plotë. Edhe xhaminë e rrafshoi për të ndërtuar sheshin, por e kompensoi”, vijoi më tej kreu i qeverisë.
Shitja
Por në të njëjtën kohë ai njoftoi nisjen e procesit për shitjen e kësaj prone, vlera e të cilës shkon mbi 100 milionë euro. Kreu i Ekzekutivit u shpreh se të ardhurat nga ky ankand do të futen në fondin e kompensimit financiar të ish-pronarëve. “Këtu nuk janë në lojë shuma të vogla, por të paktën 110 milionë euro. Qeveria nuk do të inkasojë për buxhetin e vet as edhe një qindarkë, që të gjitha do t’i vendosë në fondin e kompensimit të pronarëve. Mund të bëhet edhe një ligj i veçantë për shitjen e tyre me ankand dhe t’ua kthejmë pronarëve. Mund të ketë edhe ide të tjera, por ne do t’i shesim ato me 2000 euro metrin katrorë, në përputhje me planin e qytetit që ndërtohet dhe i gjithë ky fond prej 112 milionë eurosh gradualisht me kalimin e tij do të kalojë i tëri për kompensimin e pronarëve”, theksoi kreu i Ekzekutivit. Duke iu referuar një ligji të vitit 1994 për shitjen e pronave shtetërore nga Qeveria, Berisha tha se ky kuadër ligjor ndalon këtë proces për t’i dhënë përparësi kthimit të tyre tek ish-pronarët, por shtoi se ai ka një klauzolë, sipas të cilës Ekzekutivi mund t’i shesë ato për qëllime të caktuara. Sipas Berishës, ndërtimi që do të bëhet në këtë tokë do të jetë në përputhje me planin urbanistik të Tiranës. “Në asnjë rast të vetëm Lartmadhëria e tij nuk ka ndërtuar pa dëmshpërblim. Të gjitha petat lakrorit ua hoqi atlasi, se u doli ndërtesë e ndërtuar në vitin 1932. Është shumë e lehtë të jesh ndërtues dhe të përdorësh fabrikime për të marrë zemrën e Tiranës kur nuk është e jotja”, përfundoi Berisha.

Policia e Rendit u përplas me Bashkinë

Toka pranë Dhomës së Tregtisë ku ndahet rruga e Kavajës me rrugën e Durrësit shënoi përplasjen e radhës në kryeqytet mes Bashkisë së Tiranës dhe Qeverisë. Bashkia ka publikuar një dosje, sipas së cilës vërtetohet se kjo tokë është pronë private. Përmes administratorit të saj Dritan Agolli, Bashkia e Tiranës ka bërë prezantimin e këtyre fakteve, duke dënuar ashpër konfrontimin e disa ditëve më parë mes Policisë Bashkiake dhe Policisë së Shtetit. Sipas autoriteteve lokale, prona ka për pronar familjen Kika, e cila ka nënshkruar një kontratë për nisjen e një ndërtimi shumëkatësh në përputhje me planin urbanistik të kryeqytetit. Por nga ana tjetër Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit pretendon se ajo është tokë shtetërore dhe do të shërbejë për ndërtimin e një lulishteje. “Më duhet të sqaroj se ne nuk po ndërhyjmë në një pronë private, por kemi ndërhyrë në një pronë shtetërore. Ka një vendim të Këshillit të Ministrave që këtë tokë e heq nga fondi i Kompensimit të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Kjo tokë-shtet është kaluar në janar të 2008-ës në fondin e kompensimit për Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe më pas po me një vendim është rikthyer në pronësinë e shtetit”, tha pak ditë më parë ministri Olldashi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›