E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i KiE, Basha raporton për kushtet e heqjes së vizave

 

Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha raporton para raporterët të Këshillit të Evropës lidhur me kushtet që po plotëson Shqipëria për liberalizimin e vizave me vendet e Bashkimit Evropian. Pas takimit me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe përfaqësuesit e Partisë Socialiste, dy raportuesit e KiE, David Wilshire dhe Jaako Laakso janë takuar edhe me ministrin Basha. Gjatë takimit ministri i Brendshëm ka informuar lidhur me pajisjen e qytetarëve me pasaportat biometrike dhe kontrollin e kufijve. “Megjithëse procesi i lëshimit të pasaportave biometrike nisi më 1 Maj dhe pati një ndërprerje për shkak të angazhimit për pajisjen e qytetarëve me letërnjoftime elektronike për zgjedhjet e qershorit, deri më tani numërohen 245 mijë aplikime për pasaporta biometrike, 234 mijë prej të cilave janë prodhuar. Ky fakt dëshmon se Shqipëria ka ritmin më të lartë të pajisjes së qytetarëve me pasaporta biometrike në rajon”,- u shpreh Basha. Për sa i përket sigurisë së kufijve, ministri i Brendshëm tha se: “është përmbyllur instalimi i sistemit TIMS në të 26 pikat e kalimit kufitar, në këto pika është mundësuar lidhja e drejtpërdrejtë me bazën e të dhënave të INTERPOL-it, e po kështu lidhja me sistemin e analizës së informacionit kriminal MEMEX. Ndërkohë, po punohet për unifikimin e sistemit të kontrollit në pikat e kalimit kufitar në modelin “one stop shop” që do të përfshijë jo vetëm kontrollin e dokumentacionit, por edhe kontrollin doganor, fitosanitar etj”. Gjatë takimit me raporterët Wilshire dhe Laakso, Ministri Basha informoi edhe për luftën e vazhdueshme me tolerancë zero kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme. Në këtë aspekt Basha informoi se mesatarja e kriminalitetit në Shqipëri është vlerësuar si më e ulët se në vendet e BE. Në ditën e fundit të vizitës në Shqipëri përfaqësuesit e Këshillit të Evropës do të takohen me Presidentin Bamir Topi dhe Kryeministrin Sali Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›