Rrëfehet ish-shefja e kabinetit: Moisiu gënjen për kujtimet, dëshmoj si u vu nën urdhrat e Nanos
Iris Halili*
E nisur nga korrektësia që duhet të shfaqë çdo ish-funksionar shteti, në shkuarjen e shënimeve apo kujtimeve, por edhe duke njohur realitetin vullkanik shqiptar në përballjen me të vërtetat, deri më sot kisha vendosur të heshtja për ngjarje dhe shënime që i takojnë periudhës kur kam kryer detyrën e shefes së Kabinetit pranë ish-Presidentit Moisiu, me bindjen se këto shënime do të botohen në çastin e duhur. Kam qenë e bindur në këtë vendim timin, prej çastit që u largova nga presidenca në maj 2005 e deri para disa ditësh, kur përfundova së lexuari librin me kujtime të ish-Presidentit Alfred Moisiu “Mes Nanos dhe Berishës”. Ky vendim mbështetej së pari dhe së fundmi vetëm në parimet e mia. Por situatat në realitetin shqiptar, shpesh fluturojnë në një shfaqje të tillë, sa të heshtësh, do të thotë më shumë dobësi, sesa fisnikëri. Moisiu, Presidenti ish, e dedikon këtë libër “në respekt të qytetarëve shqiptarë”. Pikërisht unë vlerësoj se respekti më i lartë është ndershmëria dhe ndershmëria më e kulluar mbështetet tek vërtetësia. Ndaj dhe, në respekt të së vërtetës, unë sot po zbardh disa nga këto shënime korrekte, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të mos bien në grackën ku do t’i shtyjë Moisiu, ish-Presidenti, apo ndonjë ish President tjetër E kam njohur Alfred Moisiun në vitin 1996, kur më propozoi të drejtoja Forumin Rinor të Shoqatës Shqiptare të Atlantikut. Atëherë isha pedagoge e letërsisë botërore bashkëkohore ne Universitetin e Tiranës dhe ai Kryetar i Shoqatës. Ishte ai që më propozoi sërish të mbaj detyrën e Shefes së Kabinetit në Presidencë, në tetor të vitit 2002, detyrë të cilën unë e prita me shumë mirënjohje dhe e cilësova si një vlerësim të madh, për vetë moshën time të re në atë kohë. Kjo ka qenë ndoshta edhe arsyeja se përse nuk e kam bërë të ditur kurrë arsyen e vërtetë përse u largova nga ky institucion, pas 4 vjet e gjysmë pune. Padrejtësitë personale jo gjithmonë duhet të dalin në shtyp. Duke gjykuar se ka shumë gjëra që nuk kanë interes publik, i kam hedhur ngjarjet në një ditar, të cilin e hap herë pas here për të ballafaquar kujtesën time me ato që lexoj në ndonjë rast.
Iu riktheva sërish shënimeve të asaj kohe, pasi përfundova së lexuari kujtimet e ish-Presidentit dhe për fat të keq konstatova se shumë gjëra ishin ndryshe nga sa ishin shkruar në shënimet e mia. Ngjarje për të cilat jam dëshmitare okulare janë deformuar dhe paraqitur në mënyrë të njëanshme. Kam bindjen, ashtu sikur citon edhe Dr. Frojdi se “vetëm një njohje e thellë e njeriut mund të çojë në një vlerësim më të saktë të bëmave të tij”. Dhe unë e kam njohur Alfred Moisiun në situata, të cilat ai i risjell në dritë të rreme në librin e tij me kujtime.
Nëse kishte një gjë që vlerësoja në atë kohë te Moisiu, ishte gjuha e matur në luftën e ndezur politike, që e ngrinte mbi palët dhe që krijonte imazhin e një politikani të pjekur. Por një tjetër Moisi m’u shfaq në faqet e librit, ku ndesha një rrëmbim të pabesueshëm për një ish-President, mungesë vërtetësie dhe një fjalor me etiketime që nuk i shkojnë as një politikani në karrierë e jo më një ish-Presidenti në moshë të thyer. Duket naivisht sikur, përmes gjuhës së ashpër, Alfred Moisiu kërkon të na tregojë “muskujt” që u ka demonstruar dy muskultjerëve të politikës shqiptare, Fatos Nanos dhe Sali Berishës. Një Moisi trim...qesharake. Në faqet e këtij libri vetë ish-Presidenti bie në vorbullën e pasionit, duke bërë që stili i të shkruarit dhe çlirimi i pavetëdijshëm i mendimeve të shfaqen sinqerisht, duke treguar njëkohësisht limitet e një politikani të mbërthyer në darën e dy mjeshtrave të politikës, i cili dikur dukej i mençëm pikërisht sepse kontrollonte gjuhën.
Në fakt është e pafalshme që një ish-President të bjerë në pasionet e kujtimeve, sikur bën Moisiu. Përgjithësisht ata që janë vërtet burra shteti, kur shkruajnë kujtime kanë edhe profesionistë në staf, që të mund të redaktojnë pasionet që mbart ritregimi i ngjarjeve ku kanë qenë protagonistë për mirë apo për keq…Kujtimet, sipas psikoanalizës, nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se vërtiten rreth gjërave që kanë lënë mbresa pozitive në jetën tonë. Vetë kujtimi është mekanizmi bazë për rikthim në kënaqësinë e provuar….E thënë shkurt, vështirë se nga një vëllim me kujtime të mund të kemi të vërtetën e raporteve të Moisiut me Nanon dhe Berishën. Do të mund të kemi vetëm ato ngjarje që kënaqin vetë Moisiun.
Asnjë histori apo studiues serioz nuk merret së pari çfarë shkruajnë ish-zyrtarët politikë për veten, aq më tepër kur vetë ata u referohen si kujtime. Përgjithësisht biografët dhe përballja e teksteve të tyre të çon deri diku tek e vërteta. Dhe e vërteta është ende tepër larg, përderisa protagonistët e tjerë nuk vendosin të flasin dhe “kambana” bie vetëm nga njëra palë. Ndoshta për faktin se nga treshja që në atë kohë kishte në dorë fatet e vendit, Moisiu është i vetmi që e konsideron veten “jashtë loje” dhe shkruan kujtime. Berisha qeveris ndërsa Nano mundohet me çdo mënyrë t’i afrohet ëndrrës presidenciale.
Kur fillova pune si shefe kabineti e Presidentit Moisiu, e vlerësova maksimalisht këtë detyrë dhe besoja se ky njeri do të bënte diçka më shumë për vendin tim. Ruaja respektin më të thellë për korrektësinë dhe përkushtimin që ai kishte treguar gjatë punës në Shoqatë, ku ne të gjithë ishim pjesë e një stafi vullnetar. Njihja idetë e tij nacionaliste, forcën dhe vullnetin për punë të palodhur, si dhe idetë e tij të guximshme për pavarësinë e Kosovës, të cilat i kishte shpalosur që në fillim të viteve ‘90 në konferencat ndërkombëtare të Atlantikut. Nuk besoj se në asnjë nga këto pika Moisiu devijoi në punën e tij si President. Ai u përplas hapur në mbrojtje të Pavarësisë së Kosovës në të gjitha takimet ndërkombëtare. U përplas si askush për çështjen çame dhe e ka mbrojtur atë fuqishëm. Nuk është rastësi që Alfred Moisiu, nuk u prit kurrë për një vizitë zyrtare në Greqi. Është koha që me iniciativë të Presidentit Moisiu, Shqipëria shpallet botërisht si një vend me një harmoni ndërfetare, duke e bërë këtë një program të veçantë të UNESKO-s dhe duke mikpritur për këtë proklamim në një Konferencë Ndërkombëtare 9 presidentë shtetesh nga rajoni e më gjerë.
Do të ishte më mirë që Moisiu, të mbetej deri tek këto ngjarje apo tek disa të tjera që tregojnë iniciativën e tij humane në nderimin e ish-shikasve të rënë në Vlorë gjatë revoltave të vitit 1997, duke bërë kështu hapin më të madh që politika ka bërë deri më sot, në respekt të atyre djemve që ranë në mbrojtje të shtetit. Këtë fakt ish-Presidenti e përmend, por duke anashkaluar intrigat e kabinetit Nano për ta penguar këtë iniciativë, si dhe sabotimin që i bëri kësaj iniciative ish dhe aktualisht kryetari i bashkisë së qytetit të Vlorës. Po kështu vizitat që ai realizoi në Tropojë apo në Lazarat mendoj se janë historike, jo se u shkua në zona me një fizionomi të veçantë, por se u pa se deri ku ishin ndarjet partiake dhe fryma e shtetit si rezonancë e këtyre të fundit. Pikërisht pas këtyre vizitave në këto vende hynë institucionet shtetërore, për vite me radhë të harruara.
Mendoj se i ndalur në këto arritje do të ishte më dinjitoze të botonte shënimet një ish-President, i cili tashmë ka mbyllur të gjitha karrierat, aq më tepër atë politike. Do të ishte më mirë të fliste për arritjet në raportet me fqinjët dhe për politikën e urtë që ai ndoqi në atë periudhë në marrëdhëniet me ta. Parimi se, si një vend i vogël, ne nuk kemi pse të bëjmë politikën e madhe, por na mjafton të jemi faktorë në rajon, të cilin Moisiu si President e aplikoi shumë mirë, ia vlen të vendoset në shënime….Po kështu pjesë nga takimet e shumta me ndërkombëtarët. Mendoj se i ndalur në këto pika, do të ishte më dinjitoze të botonte shënimet një ish-President, i cili tashmë ka mbyllur të gjitha karrierat, aq me tepër atë politike, që edhe s’e ka pasur kurrë. Dhe te gjitha këto sepse vizioni i një Presidenti është më shumë kombëtar se partiak, më shumë atdhetar se politik, më shumë historik se momental.
Kronologjia e munguar
Por Moisiu, Presidenti ish, rend t’i japë në formë kronologjike të gjitha aktivitet ndërkombëtare në kapitullin që shkruan për kohën e Nanos kryeministër, duke mbushur kështu edhe faqet që në fakt do të duhet të ishin një analizë e mirëfilltë e raporteve të tij me Nanon, të cilën Moisiu s’ka për ta bërë me sa duket kurrë. Ndërkohë ai nuk analizon asnjë nga mesazhet e shumta që ka marrë nga ndërkombëtarët, por me pamodestinë më të madhe vetëm shkruan vlerësimet e tyre për të, gjë që në diplomaci është thjesht një akt formal dhe rutine….Ajo që më vjen keq është që me sa duket Moisiu, Presidenti ish, duke mos analizuar detaje, më bën të besoj se nuk paska kuptuar në pjesën më dërrmuese thelbin e çdo bilateraleje apo takimi me ndërkombëtarët, që shkonte shumë më tepër se pjesa turistike apo ari i Kuvajtit që shpejton ta kujtojë….
Do të ishte më mirë të rrëfente për organizmin për herë të parë të Adriatik 3, pikërisht në Tiranë, në shkurt të vitit 2003. Takim që vulosi përkrahjen amerikane për anëtarësimin e Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë në NATO. Por duket që këto fakte historike dhe të denja për t’u krenuar, nuk e bëjnë ish-Presidentin të ndihet faktor. Çuditërisht dhe gabimisht nuk e bëjnë të ndihet edhe krenar. Ai ndalet kalimthi ose pa analiza në to, pasi duket që ndihet më mirë kur pa sinqeritet vetërrëfen pikërisht ato beteja politike që, përpos të humbura, i ka pasur tërësisht të dyshimta për nga iniciativa. Ai kërkon të shitet në tregun e politikes së ditës, (pikërisht me anë të këtij libri), si njeriu i vetëm i politikës shqiptare që u përball njëherësh me Nanon dhe Berishën.
Atë gabim që bëri dikur si President, Alfred Moisiu e përsërit sërish tani si ish President. Ai vazhdon edhe nëpërmjet këtij volumi me kujtime 400 faqesh, të bëjë atë çka ushtroi 5 vjet në Presidencë, t’u shesë shqiptarëve përballjen me Berishën apo debatet e “nxehta” me Nanon, si lufte institucionesh, ku nuk rresht së përsërituri që ai, Moisiu, ishte dhe mbetet gjithmonë kalorësi në mbrojtje të tyre dhe kur në fakt ai ishte dhe mbetet gjithmonë, në mbrojtje të interesave të tij dhe të rrethit të tij.
Pavarësisht se Moisiu nga bindjet është tërësisht ateist, ai ka zgjedhur që në titull të krijojë imazhin e vendosjes së tij në mes, si dikur Jezui në kryqëzim në mes të dy kusarëve. Bile edhe për fotografi qendrore zgjedh pikërisht këtë. Ai e shpall veten si Shpëtimtari, i kryqëzuar me kot nga politika e dy barabenjve. Ndoshta Moisiu as e ka idenë e këtij detaji të biblës. Vetëm se në kujtimet e tij ai s’bën gjë tjetër, veçse një bibël për vete! Ideja që përshkon librin është se Ai ishte drejtësia, gjykimi i ftohtë, ndershmëria, përkushtimi apo shpirti i sakrificës, në një mjedis ku sundonte atirendi, antidrejtësia, korrupsioni, despotizmi, uni politik, mostoleranca dhe të tjera si këto.
Interesante është që konotacionin më të madh për këto nota, i jepen Berishës. Kjo është as e çuditshme dhe e vërtetë, sa me një naivitet fëmije në çdo dy faqe të librit përmendet vetëm Berisha. Edhe atëherë kur Presidenti ish, Moisiu, zgjedh të flasë për kohën kur Nano është kryeministër, edhe atëherë kur ky është në pension. Kjo pasiguri e të shkruarit, pjesën artistike të së cilës mund ta gjejë vetëm një njeri që ka mbaruar fizikë, sikur është ish-Presidenti Meidani me lëvdatat që i bën librit, është aq e evidentuar në të gjithë librin, sa do të ishte më e ndershme për Moisiun, Presidentin ish, të bënte një botim “Unë dhe Berisha”, madje në një version më biblik mund ta titullonte “Moisiu dhe Berisha”. Por unë u besoj vetëm eksperiencave të mia në Presidencë. Meqenëse unë kam punuar me Moisiun deri në maj të vitit 2005, d.m.th. po të respektojmë ndarjen që ka bërë autori i kujtimeve, vetëm me Nanon Kryeministër dhe Berishën shef të opozitës, do t’i referohem vetëm atyre fakteve që përcjellin raportet mes Moisiut, Berishës dhe Nanos.
Raportet me Nanon
Në pothuaj gjithë kohën kur në Shqipëri drejtonte e majta, Moisiu, Presidenti ish, jo vetëm nuk e ka kundërshtuar asnjë herë të vetme Kryeministrin Nano për parim apo çështje shtetërore, por e ka kundërshtuar shumë herë vetëm si formë presioni kur i duhej të realizonte një ambicie apo interesa personale apo më tej. Fatos Nano, si mjeshtër i vjetër i intrigës, ia mësoi shumë shpejt pikat e dobëta presidentit, duke e futur tërësisht në çarkun e tij, gjë që bëri dhe prishjen përfundimtare të Moisiut me Berishën. Kështu, i propozuar nga Berisha dhe i zgjedhur me konsensusin e dy forcave më të mëdha politike, në vend që të qëndronte mbi palët, Moisiu u pozicionua gradualisht nga Fatos Nano, andej nga e shtynin interesat ekonomike. Falë përkrahjes, inkurajimit por edhe çarqeve mjeshtërore të Nanos, që në muajt e parë të presidencës Moisiu e ktheu atë në një kështjellë të nepotizmit. Nano u kujdes të sistemonte çdo debolesë të Moisiut brenda dhe jashtë familjes, me poste dhe ofiqe brenda dhe jashtë vendit. Ndërkohë, duke ditur çdo lëvizje në Presidencë, falë informatorit të tij të besuar, Zef Preçi, këshilltar ekonomik i presidentit, ai filloi të merrej me stafin e Moisiut, duke e detyruar këtë të fundit, me hir apo me pahir, ta ndryshonte apo konfiguronte sipas midesë së Nanos.
Moisiu, ish presidenti, do të mbahet mend si i vetmi titullar i lartë i shtetit shqiptar, që ka shkarkuar apo detyruar të japin dorëheqjen, një anëtar të stafit politik në çdo 3-4 muaj, duke nxjerrë kështu në rrugë pa asnjë arsye shumë njerëz të nderuar, të cilëve u propozoi vetë të punonin me të dhe që i shkarkoi me dëshirën e tij apo të Nanos. Pak prej këtyre ai i përmend në libër, ndërsa pjesën tjetër e anashkalon si dikur Enveri në kujtimet e tij.
Kështu mikun e tij të kahershëm, këshilltarin për sigurinë kombëtare Besnik Selami, të cilin pasi e thirri sikundër thotë nga SHBA, e detyroi të japë dorëheqjen pasi u bind se përveç hapjes dhe mbylljes së derës asgjë s’i kish mbetur të bënte. Ai përmend gjithashtu ish këshilltarin e tij për mediat, Arjan Konomi, të cilin e ka larguar jo më shumë se 7 muaj pasi e mori, me një ceremoni dhe akt të tipit hetuesi. Në po të njëjtën ditë ai i ka kërkuar dorëheqjen Arben Ristanit, këshilltarit të tij për ligjet, emrin e të cilit zgjedh të mos e përmendë fare në kujtime.
Më pas e në vazhdim ai liron nga detyra këshilltarin ekonomik, Gjergj Buxhuku, pasi Kryeministri Nano ishte i pakënaqur nga shkrimet e këtij të fundit, që kritikonin hapur politikat ekonomike të qeverisë. Largon nga detyra poetin Xhevahir Spahiu, këshilltar për kulturën, pasi mendimet për dekorimet që kishin të bënin me fushën e kulturës i jepte Afrim Krasniqi, që kishte mbaruar me kohë të pjesshme letërsi. I kërkoi dorëheqjen këshilltarit ligjor, Xhevat Hana, pasi ky i fundit nuk mori në shqyrtim brenda ditës një çështje që kishte të bënte me shoqërinë “Doniana Shpk”. Kjo e fundit, për të fituar përkrahjen presidenciale, i kishte dhuruar dhëndrit të Moisiut, pjesë të konsiderueshme të biznesit. Ai liron nga detyra zëdhënësen e shtypit që zëvendësoi zotin Konomi, zonjën Afërdita Sokoli, ndërsa një muaj para mbarimit të mandatit të tij, Presidenti hoqi me ceremoni ish-mikun e tij, shef të Protokollit zotin Kristaq Birbo. Nuk po ndalem më tej në listën e gjatë të heqjeve të Moisiut, Presidentit ish, por besoj se statistika e heqjes së një këshilltari në çdo dy muaj, përgjatë pesë viteve të tij në Presidencë, është vërtet skandaloze për një institucion të këtij niveli.
Çështja është se në rastin më të mirë këshilltarët e hequr ose nuk u zëvendësuan fare, ose u zëvendësuan me anonimate, fenomen ky tipik i administratës shqiptare, për të cilën Moisiu, Presidenti ish, mbeti model. Është e pafalshme për një President që për 4 vjet në pozicionin e Kryetarit të Këshillit të Sigurisë, të mbajë bosh vendin e këshilltarit për këtë çështje, më vonë atë të këshilltarit ekonomik, shefit të kabinetit e kështu të gjitha pozicionet me radhë. Ndërsa numri i këshilltarëve të jashtëm rritej çdo ditë, aq sa Moisiu s’u mësoi dot as emrat.
Kulmi u arrit kur, pasi kishte hequr më shumë se gjysmën e këshilltarëve, megjithëse jo të djathte aktivë, presidenti Moisiu emëron në pozicionin e këshilltarit politik Afrim Krasniqin, deri në atë kohë shkrues fjalimesh i Moisiut. Krasniqi i kishte ndërprerë keqazi të gjitha raportet me PD, megjithëse për shumë kohë kishte qenë kryetar i Forumit Rinor dhe deputet i kësaj force. Atëherë i hyra në zyrë Presidentit dhe i thashë se nuk mund të emërojë Krasniqin këshilltar politik. Për demokratët kjo do të përkthehet si të tregosh litarin në shtëpinë e të varurit. Nuk doja t’i besoja instinktit që më thoshte, se pikërisht kjo gjë e kënaqte Moisiun. Mbaj mend që në atë kohë i kam kërkuar gjithashtu të merrte në punë si këshilltar për kulturën zotin Visar Zhiti, poet ish-i persekutuar. Po kështu i kam kërkuar disa herë edhe për zotin Aldo Bumçi, të cilin e kishim edhe anëtar të shoqatës së Atlantikut, por edhe meqenëse ky i fundit kishte mbaruar diplomaci jashtë dhe do të shkundte pak nga pluhuri kinezërirat e këshilltarit të tij diplomatik, Muhamet Kapllanit, të fundit ministër të jashtëm të diktaturës, që vetëm Moisiu ishte kujtuar ta rikthente në administratë.
Dukej që çdo përpjekje imja ishte e kotë. Tashmë Moisiut i kishte filluar timoni majtas ose më saktë atje ku e lidhnin interesat e tij të familjes. Personat e deklaruar të djathtë, sikurse ishte rasti im, shiheshin me sy të dyshimtë. Kjo bënte që në të shumtën e rasteve, megjithëse shefe kabineti, nuk asistoja kur bëheshin biseda “të rëndësishme” politike, që gjithmonë e më shumë i besoheshin trios Krasniqi-Kapllani-Preçi. Nuk dua të ndalem sot më gjatë në këto fakte, përveç t’u kujtoj qytetarëve shqiptarë që Moisiu, Presidenti ish, e mbylli karrierën e tij në Presidencë vetëm me katër këshilltarë dhe sekretarin e përgjithshëm që, me gjithë aferat e përbashkëta, në kujtime e quan thjesht dhe thatë Filip. Të gjithë këta, edhe në mos ishin adhurues të Nanos, për një gjë ishte e sigurt: ishin që nga hera mossimpatizantë të flaktë të Berishës.
Goditja e stafit ishte edhe hapi i parë i rëndësishëm që realizoi Kryeministri Nano në raportet me Moisiun. Sot, të mos kesh aspak fisnikërinë të tërhiqesh me finesë nga veprime te tilla me stafin edhe nëpërmjet librit me kujtime, tregon më së miri se Presidenti ish, ka qenë i ndërgjegjshëm në çdo hap, sipas parimit dantesk “secili preferon të ngjashmit e tij”.
*Ish-shefe e kabinetit të
ish-Presidentit të Republikës, Alfred Moisiu
VIJON NESER