Qeveria përshëndet Traktatin e BE
Qeveria shqiptare përshëndeti dje ratifikimin e Traktatit të Lisbonës nga Çekia, e cila ishte e fundit që nuk e kishte firmosur dokumentin e Bashkimit Evropian. Duke komentuar këtë fakt, kryeministri Berisha tha në mbledhjen e Qeverisë se Traktati është jetik për zgjerimin, pas skepticizmit të shprehur të disa vendeve të Unionit. “Në thelbin e tij, Traktati i Lisbonës është një fitore e evropeizmit, fitore e madhe e forcave të integrimit, forcave europeiste dhe një përgjigje përfundimtare ndaj euroskepticizmit. Traktati direkt nuk ka të bëjë me zgjerimin, por në një aspekt, ai ishte jetik për zgjerimin, sepse në vështirësitë e miratimit të tij, e vërteta është se disa vende nuk kanë pasur dëshirë të trajtojnë probleme të tjera përveç Traktatit”, u shpreh Kryeministri. Ratifikimin e Traktatit e përshëndeti dje edhe Ministria e Jashtme përmes një deklarate për mediat. “Ministria e Punëve të Jashtme përshëndet përfundimin e procedurave të ratifikimit të Traktatit të Lisbonës. Ministria e Punëve të Jashtme përshëndet përfundimin e procedurave të ratifikimit të Traktatit të Lisbonës pas nënshkrimit të tij nga ana e Presidentit të Republikës Çeke z. Vaclav Klaus. Hyrja në fuqi e Traktatit të Lisbonës, shënon fillimin e një epoke të re dinamike për të ardhmen e Bashkimit Evropian, duke rritur njëkohësisht efikasitetin e Unionit dhe peshën e tij në arenën ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë. Ndërsa ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu tha se: “Ky është fundi i një procesi reformues të Bashkimit Evropian që ka zgjatur për kohë të gjatë. Tani Evropa, jo vetëm do të funksionojë në mënyrë më demokratike për së brendshmi, por do të reflektojë vetëbesim edhe në vendimet që do të marrë në planin e jashtëm”.